[Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]
Komuna Gjakovës nga viti 2007 deri në vitin 2013 ka qenë nën qeverisjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me kryetar Pal Lekaj. Mirëpo këtë bastion të AAK-së, kishte arritur ta rrëzojë, kandidatja nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Mimoza Kusari-Lila.
Edhe pse në zgjedhjet e dhjetorit në vitin 2013, me 25 mijë e 183 vota, Kusari-Lila arriti të bëhej gruaja më e votuar në Kosovë. Këtë rekord ajo nuk vazhdon ta mbajë më, mirëpo kërkon që ta mbaj frontin e Komunës së Gjakovës.
Tash si kryetare e partisë së saj, Alternativa, i ka hyrë garës për një mandat tjetër. Por ka konkurrencë të fortë. Gjashtë kandidatë tentojnë ta rrëzojnë Kusari-Lilën.
Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Edmond Dushi nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Bekim Ermeni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ramadan Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Fazli Hoxha nga Nisma për Kosovën.
Problemet e Gjakovës dhe premtimet e pambajtura të Kusari-Lilës
Në vitin 2009, Kusari – Lila kishte kandiduar për postin e kryetares së Komunës së Gjakovës, në zgjedhjet lokale, zgjedhje këto shumë të kontestuara, rezultate të cilat çuan deri në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. E që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk doli në favor të Kusari-Lilës.
Mirëpo një vit më vonë si kandidate për kryetare të komunës së Gjakovës, me Aleancën Kosova e Re (AKR), Kusari – Lila u bë gruaja më e votuar politikane në Kosovë.
Ndërsa ajo është duke rikandiduar edhe për një mandat për të parën e Gjakovës, ku kishte premtuar se do të realizonte shumë projekte në komunën në të cilën garonte.
Ajo iu kishte premtuar, qytetarëve të Gjakovës se gjatë mandatit të saj katër vjeçar do të përmirësonte jetën e qytetarëve të Gjakovës.
Impianti i ujërave të zeza, ishte një nga premtimet më të mëdha të Mimoza Kusari-Lilës në Gjakovë.
Në një vizitë në fshatin Duzhnje gjatë fushatës zgjedhore ajo kishte akuzuar qeverisjen e kaluar për gjendjen e ujësjellësit atje.
“Është shumë e rëndë për ju edhe pas 7 viteve kjo qeverisje vjen dhe ju premton rrugë, rrjet të ujësjellësi dhe kanalizimeve, projekte këto që nuk i ka pasur asnjëherë në prioritetet e punës së tyre”, kishte thënë Kusari-Lila.
Mirëpo as ajo vetë nuk e zgjedhi këtë problem. Edhe pse implementimi i projektit për trajtimin e ujërave të zeza, kishte filluar, ujërat e zeza vazhdojnë të jenë në mesin e problemeve të mëdha të kësaj komune.
Ndërsa premtimi tjetër që mbeti në sirtarin e Mimoza Kusari – Lila ishte zhvendosja e saj në qytetin e Gjakovës.
Gjatë fushatës ajo kishte premtuar së do të zhvendoset në Gjakovë ku dhe fëmijët e saj do i dërgoj atje. Edhe pse e kishte dhënë këtë premtim , Kusari – Lila nuk e mbajti.
Përveç që nuk shkoj kurrë për të jetuar në Gjakovë, Kusari-Lila gjatë mandatit të saj u kritikua për vonesat e saj në punë .
Shkaktar i vonesave të saj ishin vrapimet që i bënte në parkun nacional “Gërmia”, me grupin e saj “Gërmia 555”.
Mimoza Kusari-Lila, e cila edhe tash po kandidon për kryetare të Gjakovës, pati dhënë edhe një premtim qytetarëve të saj.
“Së bashku do të shohim aeroplanët duke u ngritur dhe ateruar nga Aeroporti i Gjakovës”.
Por siç duket aterimin e vetëm e ka realizuar vetë Mimoza Kusari-Lila, edhe atë në një fluturim pa leje. Mirëpo ata nuk mbetën të zhgënjyer nga ajo. Në vitin 2015 ajo hapi vende të reja pune.
Në komunën e Gjakovës u hap fabrika “Intertex”, e cila prodhon mbulesa për përdorim për vetura të firmave të njohura si Audi, Volvo, Porsche dhe makinave tjera.
Ndër tjerash gjatë mandatit të saj, Kusari-Lila, në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës ka arritur që ta bëjë Gjakovën zonë të veçante administrative nen të cilën janë komuna e Malishevës dhe Suharekës. Mirëpo përkundër kësaj gjakovarët përballen edhe me shumë probleme tjera. Ndër problemet kyçe janë menaxhimi i mbeturinave, transporti publik dhe keq menaxhim brenda komunës.
Sipas “Institutit GAP”, Komuna e Gjakovës ballafaqohet me një gjendje relativisht të rëndë të menaxhimit të mbeturinave. Numër i madh i mbeturinave vërehen në çdo anë të qytetit krejt kjo si pasojë e mungesës të theksuar të kontejnerëve të mbeturinave.
Mirëpo një problem tjetër që është kyç për komunën e Gjakovës është mungesa e linjave urbane të transportit. Në komunën e Gjakovës ekziston vetëm një linjë e transportit. Mungojnë linja që lidhin zonat rurale me qytetin. Kjo ka bërë që të kufizohet lëvizja e qytetareve për plotësimin e nevojave themelore, të shkojnë në punë, shkollë dhe të kenë qasje të vështir në shërbimet shëndetësore.
Ndërsa sipas të gjeturave të raportit te Auditorit të Përgjithshëm Komuna e Gjakovës gjatë vitit 2016 nuk ka paguar punëtorët dhe nuk ka pasur dëshmi se e bënë atë punë.
Përveç kësaj komuna kishte keq menaxhuar edhe me buxhetin. Zyra e Auditorit kishte gjetur se vlerën prej 1 milion e 270 mijë e 405 të fondeve vetjake e ka bartur si të pashpenzuar.
Kandidatët për kryetar të Gjakovës
Ardian Gjini, AAK
Ardian Gjini i lindur në qytetin e Gjakovës është duke kërkuar votën e gjakovarëve për herë të parë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Gjini është kandidatë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila ka udhëhequr me Gjakovën nga viti 2007 deri në vitin 2013.
Shkollimin Gjini ka përfunduar në qytetin e tij të lindjes, në gjimnazin “Hajdar Dushi”, ndërsa studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Kantyt në Canterbury dhe është magjistër në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane.
Ardian Gjini është nënkryetar i AAK-së dhe gjatë karrierës së tij politike ka qenë ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Në të kaluarën Gjini ka qenë anëtar në Komisionin për Legjislacion dhe në Nën-komisionin për Mandate, Imunitet dhe Rregullore të Punës. Gjini ka thënë se për zgjedhjet e 22 tetorit është duke u përgatitur qe dy vjet e gjysmë. Ai thotë se synimi i tij është kthimi i vizionit në komunën e Gjakovës.
Driton Çaushi, LVV
Driton Çaushi është duke kërkuar votën për të parin e kryetarit të komunës së Gjakovës, në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor. Çaushi i cili njëherit është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2016 Çaushi ka qenë nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ulësen e deputetit Çaushi e kishte zënë pas dorëheqjes së deputet Besnik Bislimi. Ndër tjerash Çaushi është asistent në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.
Synimi i tij për komunën e Gjakovës është plotësimi i kushteve të cilat nuk janë plotësuar gjatë qeverisjes së Mimoza Kusari-Lilës.
Edmon Dushi, AKR
Edmon Dushi i cili vjen nga Aleanca Kosova e Re (AKR), është duke garuar për të parin e komunës së Gjakovës. Dushi është kryetar i AKR-së në degën në Gjakovë.
Edmond Dushi është në këto zgjedhje angazhohet për herë të parë në politikë. Më herët ai ka punuar për organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe së fundi ka qenë pjesë e OSBE-së.
Bekim Ermeni, LDK
Kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), është Bekim Ermeni. Bekim Ermeni është duke kërkuar votën e Gjakovarëve për një qeverisje me Gjakovën për katër vite me radhë.
Ermeni aktualisht është udhëheq me Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Gjakovës.
Fazli Hoxha, Nisma për Kosovën
Kandidati për kryetar të Gjakovës i subjektit Nisma për Kosovën, është Fazli Hoxha.
Hoxha është magjistrër i Shkencave në Edukim dhe ish-epror në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Hoxha ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Prioritet për të në komunën e Ferizajt është rregullimi sistemit të ujësjellësit.
Ramadan Hoti, PDK
Ramadan Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës është duke synuar pozitën e kryetarit të Komunës së Gjakovës.
Hoti shkollimin ka përfunduar në qytetin e tij të lindjes në Rugovë, shkollën e mese ka vazhduar në Prizren, ndërsa studimet universitare i ka përfunduar Universitetin e Prishtinës në drejtimin Emergjencë dhe Siguri. Ai ka qenë pjesë aktive e demonstratave të vitit 1988 dhe ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK).
Mimoza Kusari-Lila, Alternativa
Mimoza Kusari-Lila e cila ka udhëhequr për katër vite me komunën e Gjakovës, ajo është duke kërkuar votën e qytetarëve edhe për një mandat tjetër.
Kusari-Lila u bë pjesë e jetës politike në vitin 2003 atëherë kur iu ofrua pozita e zëdhënëses dhe këshilltares politike të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Bajram Rexhepi. Ndërsa në shkurt të vitit 2011 ajo ishte zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Para se t’i bashkohej qeverisë, në vitin 2001, ajo ka punuar për Bankën Botërore dhe USAID-in. Gjatë vitit 2006-2009, Kusari-Lila ka shërbyer si drejtoreshë ekzekutive në Oden Ekonomike Amerikane në Kosovë (Am Cham).
Mimoza Kusari-Lila ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar për Administrim biznesi në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku në 2001 u specializua në e-biznes.