Njëri ndër projektet më të mëdha gjatë qeverisjes së Komunës së Pejës nga Gazmend Muhaxheri (LDK), ka qenë ai për projektin “Borea”. Insajderi kishte raportuar për prapaskenat të cilat e kishin shoqëruar këtë projekt dhe veprimet e dyshuara në procedurën e tij. Megjithatë, janë disa premtime të cilat i ka përmbushur kryetari aktual, disa i ka në gjysmë, e disa tjera nuk i ka nisur ende. [Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]
Kur përmendet qeverisja e Gazmend Muhaxherit, të kujton edhe projektin e madh “Borea”, për të cilin Gazeta Insajderi kishte zbuluar se një sërë veprimesh të dyshimta janë ndërmarrë gjatë tenderimit të projektit të promovuar shumë si sukses i madh nga ish-kryeministri Isa Mustafa dhe dy ministrat në detyrë – Abdullah Hoti, asokohe ministër i Financave dhe Hykmete Bajrami, po ashtu asokohe ministre për Tregti dhe Industri.
Përveç kësaj, Insajderi ka gjetur se Komuna e Pejës kishte paguar mbi 620 mijë euro për vendime gjyqësore. Sa i përket pagesave për kontrata mbi vepër, Insajderi ka gjetur se për më pak së një muaj, Komuna e Pejës ka paguar për 31 persona në vlerë mbi 10 mijë euro. Pagesat janë për nga periudha 15 mars 2017 deri më 6 shkurt 2017.
Komuna e Pejës shpenzon afro 4 mijë euro për mirëmbajtjen e lapidarit pa u bërë ende një vit
Më tutje, kryetari aktual i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri nga LDK-ja kishte dhënë 23 premtime. Sipas Institutit GAP, prej këtyre premtimeve, dhjetë janë të përfunduara, katër tjera janë gjysmë të përfunduara, kurse tri premtime fare nuk kanë filluar.
Komuna e Pejës në vitin 2017 ka planifikuar 22.5 milionë euro buxhet. Në këtë buxhet janë bartur nga viti 2016 edhe 1.08 milionë euro të tjera nga të hyrat vetanake të pashpenzuara.
Krahasuar me buxhetin e planifikuar të vitit 2013, kur ishte koha e zgjedhjeve lokale, buxheti i Pejës i këtij viti ka pasur një rritje prej 2.8 milionë euro. Kjo rritje në masë të madhe buron nga rritja e granteve qeveritare.
Në buxhetin e vitit 2017 janë ndarë rreth tre milionë euro më shumë për kategorinë e pagave dhe mëditjeve (13.2 milionë euro) sesa në 2013, ndërsa janë reduktuar shpenzimet për subvencione dhe transfere për rreth 50 mijë euro.
Ndikim të madh në rritjen e buxhetit për paga kishte vendimi i Qeverisë së Kosovës i vitit 2014 për rritjen e pagave në sektorin publik për 25%.
Sa i përket ndryshimit të numrit të punësuarve, vërehet së Komuna e Pejës ka angazhuar kryesisht punëtorë jashtë listës së pagave, pra që paguhen nga kategori tjera buxhetore.
Specifikisht në vitin 2016 janë angazhuar 99 punonjës të tillë. Kurse në kategorinë e investimeve kapitale, shuma e planifikuar në vitin 2017 5.8 milionë euro, e njëjtë me atë të vitit 2013.
Këto të dhëna janë marrë nga raporti i Institutit GAP.
Komuna e Pejës është ndër shtatë qendrat më të dhëna në Republikën e Kosovës. Problemet më të mëdha të saj, sipas GAP-it, janë trajtimi i mbeturinave, ndërtimet pa leje, eksploatimi ilegal i zhavorrit dhe prerjet e pyjeve.
Trajtimi i mbeturinave – Peja ka problem serioz me menaxhimin e mbeturinave. Trotuaret, hapësirat gjelbëruese dhe zona të ndryshme të qytetit shpesh mbulohen nga mbeturinat, përkundër se ato largohen vazhdimisht nga kompania përgjegjëse.
Mirëpo, mungesa e kontejnerëve nëpër shumë vende të qytetit dhe mos vendosja e tyre nga institucionet komunale bëjnë që këto hapësira të shfrytëzohen për hedhje të mbeturinave nga banorët.
Në anën tjetër, sipas GAP-it, as inspektorët komunalë nuk i ndëshkojnë personat që ndotin ambientit. Me shqetësues është fakti se si trajtohet menaxhimi i mbeturinave në rajonin e Rugovës.
Institucionet komunale nuk veprojnë karshi bizneseve, kompanisë përgjegjëse, dhe qytetarëve që nuk kryejnë obligimet e tyre apo ndotin ambientin e kësaj zone malore që ka shumë vizitore.
Sipas Institutit GAP, kjo situate po dëmton në masë të madhe edhe imazhin e qytetit të Pejës karshi vizitorëve.
Ndërtimet pa leje – Në vitin 2015 dhe 2016, në raportin vjetor të punës së komunës, nga 28 objekte banesore sa janë ndërtuar, 23 nga to kanë pasur tejkalim të lejes së ndërtimit.
Kjo është bërë nga neglizhenca e zyrtarëve të komunës dhe për këtë është arrestuar Drejtori i Inpseksionit, Demë Dashi, për të cilin është shpallur aktakuzë, thuhet në të raportin e Institutit GAP.
Eksploatimi ilegal i zhavorrit – Ky problem ka datuar edhe në listën e problemeve të cekura më 2013.
Shtrati i Lumëbardhit në pjesën që përshkon fshatrat e Grykës së Rugovës, vazhdimisht shfrytëzohet për nxjerrjen e zhavorrit nga shumë kompani të palicencuara për kryerjen e veprimtarive të tilla.
Katër vende të tilla gjenden edhe në grykën e quajtur Brestovik në lumin Shushica, thuhet në raportin e GAP-it.
Kjo dukuri besohet të ndikojë në shkatërrimin e shtretërve të lumenjve dhe në mundësinë e daljes së tyre nga shtrati.
Prerjet e pyjeve – Komunat e Dukagjinit në përgjithësi, por në veçanti pyjet e Komunës së Pejës, i janë ekspozuar prerjeve të vazhdueshme, kryesisht në mënyrë ilegale. Në disa raste janë prerë edhe pishat e mbjella dekada më herët. Zona më e prekur nga kjo dukuri vlerësohet të jetë rajoni i fshatrave të Rugovës.
Premtimet e (pa) realizuara të kryetarit
Janë 23 premtime që i ka dhënë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Sipas të dhënave të Institutit GAP, dhjetë prej këtyre premtimeve janë të përfunduara.
Gjithnjë sipas këtyre të dhënave, katër premtime tjera janë gjysmë të përfunduara, gjashtë premtime të filluara dhe tri të tjera ende nuk kanë filluar.
Kryetari aktual Gazmend Muhaxheri (LDK), i cili është edhe kandidat i kësaj partie për një mandat tjetër, kishte premtuar ndërtimin e Shkollës se Mesme të Mjekësisë, e cila është ndërtuar dhe akoma nuk është funksionalizuar, por problemi i funksionalizimit pritet të zgjidhet shpejt.
Gjithashtu, ai ka premtuar për blegtorinë dhënien e 2 mijë blerëve brenda katër vjetëve. Të dhënat e GAP-it tregojnë se, deri në mars të këtij viti, komuna për tri vjet ka ndarë 730 koshere të bletëve për 250 bletar.
Kurse në sekretin e bujqësisë kryetari Muhaxheri kishte premtuar ndërtimin e 80 serrave brenda 4 viteve. Prej këtij premtimi komuna ka ndarë rreth 70 serra dhe sipërfaqja e mbuluar nga serrat llogaritet në 5,500 metra katror. Përkrahja me serra është paraparë të vazhdoje edhe në 2017.
Premtimi për ndërtimin e 40 stallave për bujqit, Instituti GAP nuk ka shënuar asnjë të dhënë.
Komuna po ashtu kishte premtuar investimin e 1.5 milionë euro në bujqësi, që i bie diku 330 mijë euro në vit. Megjithatë, akoma nuk ka arritur që nga buxheti i komunës të ndahet kjo shumë e premtuar. Por komuna ka arritur që nga përpjekjet e saj me donatorët të sigurojë rreth 700,000 euro.
Kurse për ndërtimin e 200 hektar pemishte – Komuna ka planifikuar mbjelljen e 35 hektarëve nëpërmjet një marrëveshje më provincën e Trentos në Itali si një vend që shquhet dhe njihet për kultivimin e pemëve, ku përveç furnizimit me fidanë ata do të ndihmonin edhe me ekspertë të kësaj fushe. Sipas GAP-it, kjo në praktikë nuk ka funksionuar.
Sa i përket infrastrukturës, të dhënat e Institutit GAP tregojnë se komuna ka investuar në ndërtimin e shumë rrugëve, kanalizimeve, kanaleve të ujitjes dhe ndriçimit të rrugëve.
Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm
Ekziston një numër i dobësive të qeverisjes në komunë, veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial.
Sipas të gjeturave të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2016, thuhet se lista kontrolluese e vetëvlerësimit, e plotësuar nga komuna, e pasqyron këtë situatë vetëm pjesërisht, me disa komente pozitive mbi ekzistimin e aranzhimeve ekzistuese që nuk bazohen në dëshmi.
“Një mjet kyç në mbështetje të qeverisjes efektive është zbatimi i rekomandimeve të auditimit. Zbatimi i rekomandimeve të vitit të kaluar nuk ishte në nivel të kënaqshëm”, thuhet në raport.
Nga gjithsej 18 rekomandimet e dhëna, Auditori thotë se vetëm katër ishin zbatuar plotësisht.
“Komuna e Pejës ka një strategji qeverisëse zhvillimore trevjeçare (2015-2017), por nuk kishte qartësuar përgjegjësitë për koordinimin dhe zhvillimin e këtij plani strategjik, dhe nuk kishte llogaritur kostot për implementimin e sajë”, vazhdon tutje të qartësojë raporti.
“Auditimi i Brendshëm kishte ofruar një pasqyrë të qartë mbi nivelin e sigurisë së kontrolleve të brendshme dhe kishte dhënë rekomandime për përmirësimin e tyre. Në vitin 2016, komuna ka përdorur 94% të buxhet final me një përmirësim për 20% në krahasim më vitin paraprak. Kjo tregon një trend pozitiv në menaxhimin e buxhetit”, precizon raporti.
Qeverisja e Gazmend Muhaxherit në sytë e opozitës
Roli i opozitës është ta kritikojë punën e pushtetit lokal dhe të mos pajtohet me shumë gjëra. Kjo si përpjekje për ta rrëzuar kundërshtarin i cili qeverisë një komunë të caktuar.
Kritikat e opozitës ndaj qeverisjes së kryetarit Muhaxheri kanë qenë të ashpra.
Kryetari i degës së AAK-së në Pejë, Naim Sahiti, e kishte akuzuar Muhaxherin për punësimin e vëllait të tij me kontratë mbi vepër në mbikëqyrje të një projekti, duke thënë se këtë gjoja e ka bërë në emër të profesionalizmit.
“Këtë konstatim se ky grup është zgjedhë të zbatojë projektet sipas dëshirës së kryetarit dhe klanit të tij, vërtetohet me faktin se në këtë grup për ta mbikëqyrë apo për të punuar me këta inxhinierë është angazhuar edhe vëllai i kryetarit të Komunës sipas kontratës në vepër. Ky është përveçse akt jomoral, është edhe shkelje ligji pasi që është ndikim direkt në punësim në këtë rast tek vëllai i tij”, kishte thënë Naim Sahiti.
Por jo vetëm kaq, opozitari Sahiti kishte thënë se janë tetë projekte që kryetari Muhaxheri i kishte nisur pa pasur vendim të Asamblesë Komunale.
“8 projekte të rrugëve janë shpallur pa pasur vendime të Asamblesë, që sipas ligjit është organi i vetëm që nxjerrë vendime për shpërndarjen e parave të qytetarëve. Lista e projekteve kapitale është miratuar në Asamble, me rastin e votimit të buxhetit, ndërsa këto 8 projekte që kapin shumën e 1,388,010 € nuk kanë qenë fare në atë listë dhe po zbatohen pa vendimin e Asamblesë”, tha Sahiti, i AAK-së.
Madje për këto tetë projekte Sahiti kishte thënë se në shumicën prej tyre “po shtrohen rrugicat e militantëve partiak”.
Për të gjitha këto shkelje ai kishte ftuar publikisht organet e hetuesisë që të hapin raste.
“Kërkojmë nga organet përgjegjëse që të merren masa ndaj shkeljes së hapur të ligjit, punësimit të vëllait, shpalljes së tenderëve, shpenzimit të mjeteve me vendim të kryetarit pa e përfillur organin legjitim, Kuvendin”, kishte thënë kryetari i degës së AAK-së në Pejë, Naim Sahiti.
Lëvizja Vetëvendosje në Pejë kishte ngre një mal akuzash ndaj qeverisjes së Gazmend Muhaxherit në Komunën e Pejës.
“Qeverisja komunale në këto tri vjet ka dëshmuar që nuk ka prioritet interesat e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, por përfitimet personale të zyrtarëve të saj, rahatinë e militantëve të LDK-së e PDK-së dhe shpërblimin e klaneve të afërta me ta”, thuhej në një reagim të degës së kësaj partie në Pejë.
Aty përmenden edhe lidhjet e kompanive me pushtetin komunal.
“Kompanitë e lidhura me pushtetin kanë vjelë buxhetin e qytetarëve pamëshirshëm përmes tenderëve të improvizuar në zyrat e prokurimit politik e aspak publik. Dhe kjo gjendje ka vazhduar edhe pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm për eliminim të konkurrencës në tenderë. Për të mbuluar këto manipulime Komuna e Pejës ka ndërruar disa herë shefat e prokurimit”, vazhdon më tej reagimi.
Sa i përket sektorit të arsimit, Vetëvendosje kishte thënë se “Drejtoria e Arsimit kishte vazhduar me praktikën e punësimit të mësimdhënësve me kritere partiake, nepotike e klienteliste”.
Kurse për infrastrukturën e shkollave, kjo parti opozitare vlerëson se “investimet e bëra në infrastrukturën e shkollave kanë qenë pa asnjë standard”.
Për sektorin e shëndetësisë ata mendojnë se, përveç punësimeve të personelit mjekësor mbi baza partiake, ka mungesë të furnizimit me barna esenciale për pacientet në nevojë.
Premtimi i madh i Muhaxherit që thotë se e realizoi
Për një gjë që Komuna e Pejës shpesh është etiketuar, është haraçi.
Kryetari aktual i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se në qeverisjen e tij arritën ta zhdukin haraçin dhe zhvatjen.
“Ne patëm premtuar se do ta zhdukim haraçin, dhe e bëmë. Premtuam infrastrukturë, dhe e bëmë”, ka thënë Muhaxhieri.
Madje ai ka thënë se njerëzit e partisë se tij, LDK, janë të fjalës, punës e besës.
“…jemi njerëz të punës, fjalës e të besës. Jemi njerëz besnik siç ishin themeluesit dhe gjithë njerëzit e LDK’së”, ka thënë Muhaxheri.
Kandidatët për kryetar komune dhe profilet e tyre
Gazmend Muhaxheri (LDK)
Jeton në Pejë. Me profesion është Inxhinier i Ndërtimtarisë. Kandidon për herën e katërt për Kryetar të Komunës së Pejës. Dy herë ka qenë kandidat nga partia ORA, por nuk kishte fituar zgjedhjet. Kurse herën e tretë në vitin 2013 u zgjodh Kryetar i Pejës pasi garojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me herët ka udhëhequr edhe me drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Pejës.
Fatmir Gashi (AAK)
Jeton në Pejë. Me profesion është ekonomist. Me herë ka qenë zëvendës guvernator në Bankën Qendrore të Kosovës. Ka punuar në korporatën Dukagjini, ku ka mbajtur disa pozita. Fatmir Gashi ka qenë edhe asamblist i Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2000. Për Kryetar Komune garon për herën e parë këto zgjedhje.
Sabiha Shala (PDK)
Jeton në Pejë. Me profesion është juriste, mban titullin prof.dr. Punon si prorektore për mësim-dhënije,çështje studentore dhe hulumtime shkencore në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Kandidon për herën e parë për Kryetar të Pejës.
Bashkim Nurboja (LVV)
Jeton në Pejë. Me profesion ekonomist. Ka përfunduar magjistraturën në “Ekonomiks” për Analiza të Biznesit në Britani të Madhe në Universitetin “Staffordshire”, ndërsa tash është në përfundim të Doktoratës për Ekonomi në Universitetin e Ljubljanës – Fakulteti Ekonomik.
Nga viti 2006, ai punon në arsimin universitar në fushën e Ekonomiksit, tash është Ligjërues në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Kandidon për herën e parë për Kryetar të Komunës së Pejës
Reshat Nurboja (ALTERNATIVA)
Jeton në Pejë. Me profesion magjistër i shkencave politike. Ka qenë drejtor i Administratës për tri vite në qeverisjen e AAK-së. Ka ligjuar disa lëndë në Universitetin “Haxhi Zeka”.
Sali Kelmendi (Nisma)
Jeton në Pejë, me profesion pr.dr i Shkencave Politike, marrëdhënie ndërkombëtare. Ka qenë kryeredaktor i TV Prishtina, dhe themelues i programit dy orësh ne TVSH për Kosovën. Reporter në Lindje të mesme, një vit ka punuar edhe në Qipro. Ka punuar si profesor edhe në Universitetin e Prishtinë, në drejtimin Shkencat Politike. Ka qenë profesor edhe në Kolegjin “Dukagjini, aktualisht është i angazhuar në Kolegjin “Iliria”.
Eneida Kelmendi (Fjala)
Jeton në Pejë që 14 vite. Me profesion është ekonomiste. Aktualisht nuk ka marrëdhënie pune. Me herët ka punuar si kontabiliste në një kompani private. Është me prejardhje nga Prizreni, pas luftës ka punuar si moderatore në dy radio lokale.