Vdiq aktori e regjisori Nuhi Matoshi

Vdiq aktori e regjisori Nuhi Matoshi

Komuniteti artistik ka humbur njërin prej anëtarëve të hershëm. I njohur më shumë për regjisor, por edhe si aktor, Nuhi Matoshi ka vdekur të martën, bën të ditur sot “Koha Ditore”. Ai kishte lindur më 1946 në Gmicë të Kamenicës.

Nuhiu njihej si njëri prej atyre që i dhanë hov themelimit të teatrit në këtë qytet. Së bashku me brezin e tij të artistëve bënë që ky institucion shpejt të kthehej në një nga pikat kulturore jo vetëm për Gjilanin. Përgjatë karrierës së tij Matoshi do të linte gjurmë si regjisor në Radiotelevizionin e Prishtinës, tash Radiotelevizioni i Kosovës.

Në vitet ’70 ishte në ekipin realizues si asistent regjie në filmat televizivë: “Epoka para gjyqit”, “E kafshoja terrin” nën regji të Ekrem Kryeziut, “Kopshti i pleqërisë” nën regji të Skender Limanit, “Binarët” nën regji të Faik Ymerit në produksionin “Gëzuar Vitin e Ri” më 1976, nën regji të Muharrem Qenës e të tjerë. Në RTP po ashtu ishte regjisor i dokumentarëve “Festivali i Folklorit – Gllogovci”, “Ansambli muzikor nga Mushtishti” e “Bujku”. Matoshi së fundmi ka luajtur edhe në filmin “Kësulat” me skenar të Jimi Tihovsit e regji të britanikut Alan Trow, që është dhënë premierë në tetor të vitit të kaluar.

Në historikun e Teatrit të Gjilanit ai do të mbahet në mend si njëri prej atyre që hapën rrugë për themelet e skenës profesioniste. “Rreth viteve ‘70 të shekullit të kaluar Nuhi Matoshi bashkë me aktorin Sabedin Shahiqi, të shkolluar në Prishtinë, ndërmorën hapat e parë për aplikimin e njohurive profesionale në skenën e atyre viteve, por edhe në veprimtari të tjera në kulturë.

“Organizuan gara të recituesve në nivel të qytetit e rajonit dhe zgjodhën amatorë për nevojat e teatrit të këtushëm, filluan punë të programuar përmes këshillave artistike për hartim të repertorit dhe morën pjesë në garat e ndryshme të fushës dramaturgjike të atyre viteve, ku nisi jeta e mirëfilltë teatrore, që mori përmasa të gjëra dhe bëri që Teatrit të Gjilani t’i kthehej prej Shkupi, më 1976, aktori tashmë i formuar Muharrem Shahiqi si regjisor i teatrit, si edhe meritat e patjetërsueshme të vëllezërve Fetah dhe Ruzhdi Mehmeti, të cilët për herë të parë ia vunë bazat e një teatri gjysmëprofesionist, siç kategorizohej aso kohe”, shkruhet në historikun e këtij teatri, ku për një kohë Matoshi qe edhe drejtor.

Me telegram ngushëllimi i është drejtuar familjes Matoshi kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Me dhembje të madhe e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj dhe regjisorit të mirënjohur kosovar, Nuhi Matoshi. Matoshi ishte artist i dashur nga të gjithë, motivues dhe njeri që punoi për vlera artistike deri në frymën e fundit. Ai ishte i të gjithëve”, ka shkruar ndër të tjera Haziri, duke shtuar se Matoshi do të mbahet në mend për kontributin e jashtëzakonshëm në sferën e regjisë në RTP, por edhe në projekte të shumta filmike e teatrale, duke kontribuar në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave artistike. “Ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, shokëve, miqve dhe farefisit. Lamtumirë, miku im!”, shkruhet në telegram.

Mbesa e Nuhi Matoshit, aktorja e njohur kosovare, Adriana Matoshi, e ka përshkruar atë si njeri të dashur e artist të mirë.

“Agi Nuhë, siç e kemi thirrur krejt fëmijët, së pari ka qenë një njeri shumë i urtë dhe i dashur. Si e vogël e mbaj në mend shumë si zotëri me sheshir e llullë, edhe sa herë ka folë diçka, krejt e kanë dëgjuar me vëmendje. Gjithmonë ka qenë pozitiv…”, ka thënë Matoshi. Ka kujtuar se si e vogël kishte marrë pjesë në programet e Vitit të Ri, ku Nuhiu ishte regjisor. Kujton se ishte shumë i respektuar nga artistët, edhe pse nganjëherë dinte edhe ta ngrinte zërin për çështje pune. “E pasi unë jam marrë me aktrim, e kam pasur këshilltarin më të mirë. Shpeshherë edhe kemi dalë vetë për kafe dhe e kam dëgjuar për përvojat e tij në profesion. Aq i dashur e aq i mire. Shumë jam ndier krenare kur kolegët e tij e kanë lavdëruar , ka thënë Matoshi. Sipas saj, familja ka humbur një njeri shumë të mirë e të dashur, por edhe një artist të madh.

“Do të jetoj gjithmonë me këshillat e tij”, ka thënë ajo.

Në Teatrin e Gjilanit, ku Nuhi Matoshi dha kontribut të çmueshëm, sot prej orës 11:00 do të mbahet një komemoracion në nderim të tij.