Nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” do të duhet të presin ende për të filluar mësimin në objektin e ri dhe kësisoj duhet të vazhdojnë bashkëjetesën me nxënësit e shkollës së mjekësisë “Ali Sokoli”.
Por kjo sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinës nuk do të jetë një bashkëjetesë e gjatë, pasi është gjetur lokacioni për ndërtimin e “Prenk Jakovës”.
Derisa ky objekt të ndërtohet, aneksi i shkollës së muzikës i vendosur brenda shkollës së mjekësisë, së paku i ka rinovuar kushtet e brendshme.
Për këtë arsye, edhe është vizituar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtoresha e Arsimit në Arbërie Nagavci.
“Kjo është një zgjidhje e përkohshme që ja kemi kushtuar kësaj shkolle, për shkak të kushteve të vështira ku kanë qenë në lokacionin e kaluar”, ka thënë Ahmeti.
Sipas të parit të Prishtinë, komuna ka vendosur ta rinovoj këtë aneks të shkollës “Ali Sokoli” për t’i krijuar kushte më të mira nxënësve të shkollës “Prenk Jakova”.
“Gjithsej ky investim na ka kushtuar 40 mijë euro dhe se viteve në vijim bashkë me drejtoreshën do të punojmë që të përmirësojmë kushtet edhe më tutje për këtë shkollë të rëndësisë së madhe për komunën tonë”, tha Ahmeti.
E drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Violeta Krasniqi, u shpreh të jetë e lumtur me renovimin e këtij aneksi, por sipas saj, pa u bërë me objekt të vetin, “Prenk Jakova” nuk mund të cilësohet tamam si një shkollë e muzikës.