Propozimi i Tomor Çelës për Profesor Asistent dhe lidhjet e tij me anëtarët e Komisionit

Ish-zëdhënësi i Komisionit Qeveritar për Demarkacionin, Tomor Çela, është propozuar në pozitën e 'Profesorit Asistent' në Fakultetin e Edukimit për grup lëndësh. Në raportet e Komisionit vlerësues figuron një nënshkrim i dyshimtë i anëtarit të tretë. Për më tepër, Komisioni i hodhi poshtë dosjet e të gjithë kandidatëve tjerë me arsyetimin se nuk janë të kompletuara sipas kritereve të konkursit. Janë disa procese që i kanë bashkuar kandidatin Çela dhe anëtarët e Komisionit të cilët e propozuan.

Propozimi i Tomor Çelës për Profesor Asistent dhe lidhjet e tij me anëtarët e Komisionit

Përveç kësaj, në raportin e vlerësimit ka diçka të dyshimtë. Në vlerësimin e parë të Komisionit figurojnë vetëm dy nënshkrime nga tre anëtarë sa ishin gjithsej.

Ferim Gashi (kryetar), Arsim Ejupi (anëtar), të dytë nga Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore (FShMN), e kishin dhënë pëlqimin që kandidati Tomor Çela të pranohet në pozitën e “Profesorit Asistent” në konkursin për grup lëndësh në Fakultetin e Edukimit. Kurse anëtari i tretë që vinte nga ky fakultet, Demë Hoti, nuk e kishte dhënë nënshkrimin.

Kurse në Buletinin që është publikuar në ueb-faqen e Fakultetit të Edukimit, aty tashmë figuron edhe nënshkrimi i Demë Hotit. Të dy dokumentet mbajnë të njëjtin numër dhe datë të protokollit. Por në Buletin vërehet një ndërhyrje stilolapsi si formë e përmirësimit.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga anëtari i tretë i Komisionit, Demë Hoti, rreth nënshkrimit të dyshimtë në këto dokumente, por ka zgjedhur që krejt këtë t’ia adresojë kryetarit të Komisionit, Ferim Gashi.

“Ju lutem që për informata t’i drejtoheni kryetarit të komisionit. Ai e ka të drejtën e ofrimit të informacioneve detale përkitazi me Raportin”, ka thënë Hoti për Insajderin.

Gazeta ka kërkuar sqarim edhe nga kryetari i Komisionit, Ferim Gashi, por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje. Njësoj kemi kërkuar përgjigje edhe nga anëtari i dytë i Komisionit, Arsim Ejupi, por nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Megjithatë, Komisioni vlerësues kishte vendosur që kandidati i parë, Tomor Çela të propozohet si ‘Profesor Asistent’ në Fakultetin e Edukimit.

Çela ishte propozuar për grup lëndësh – Mësimdhënia dhe të nxënit e Gjeografisë Fizike (O), Hulumtimet shkencore në Gjeografi (Z), Praktika Pedagogjike I (O), Mësimdhënia dhe të nxënit e Gjeografisë Shoqërore (O), Teknologjia dhe media në mësimin e Gjeografisë (Z), dhe Mësimdhënia dhe të nxënit e Gjeografisë Regjionale (Z).

Komisioni hodhi poshtë të gjitha dokumentacionet e kandidatëve tjerë

Po i njëjti Komision vlerësues kishte hedhë poshtë dokumentacionin e katër kandidatëve tjerë në këtë konkurs me arsyetimin se nuk i plotësojnë kërkesat sipas kritereve të konkursit.

Kandidati i dytë Bekim Samadraxha ishte refuzuar se nuk i kishte kompletuar dokumentacionet, siç ishte mungesa e dëshmisë valide që nuk është nën hetime. Sipas Komisionit, dëshmia do të duhej të nxirrej gjatë kohës sa ishte i hapur konkursi dhe jo të jetë më e vjetër se kaq. Kurse ky dokument mbante datën 01.12.2016.

Këtë kërkesë Komisioni e kishte bërë “në bazë të këshillave të disa shërbimeve juridike”, pa e precizuar se për cilat shërbime bëhet fjalë.

Gjithashtu, në konkurs nuk është cekur se çfarë kohe valide duhet të ketë dokumenti në falë dhe në çfarë periudhe duhet të nxirret.

Kandidati Samadraxha është shprehur i bindur se i plotëson kushtet në bazë të kritereve të konkursit.

“Me Statutin e UP-së ne i plotësojmë kriteret. Me shkrim nuk kemi marrë asnjë përgjigje, por sipas informacioneve, ne e kemi certifikatën që nuk jemi nën hetime, e cila është në dosje por është më e vjetër se 6 muaj”, ka thënë ai për Insajderin.

Edhe kandidati i tretë, Arsim Nuli, ngjashëm ishte refuzuar nga Komisioni vlerësues.

“Nuk e ka të kompletuar dokumentacionin sipas kushteve të parapara me konkurs. Mungon diploma e doktoratës, certifikata origjinale e lindjes”, thuhet në arsyetimin refuzues.

Kurse vetë kandidati Nuli thotë se të dhënat e Komisionit dëshmojnë se ata fare nuk e kanë hapur dosjen e tij.

“Në bazë të këtij përshkrimi vërehet qartë se dokumentet e mia nuk janë hapur fare. Këtë e dëshmojnë të dhënat e paraqitura si më lartë”, ka thënë Nuli për Insajderin.

Komisioni po ashtu e kishte refuzuar edhe kandidatin e katërt, Bashkim Kastratin, për mungesë të dëshmisë valide që nuk është nën hetime.

“Nuk e ka të kompletuar dokumentacionin sipas kushteve të parapara me konkurs. Mungon dëshmia valide që nuk është nën hetime”, thuhet ndër tjera në arsyetimin e Komisionit.

Kastrati ka thënë se Insajderin se Komisioni Vlerësues qysh në fillim të formimit të tij nga ana e fakultetit, është shkelur Rregullorja e UP-së për Procedurat e Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Riemërimin dhe Avancimin e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Pika 6 thotë se ‘Në komisione vlerësuese duhet të jenë së paku dy (2) anëtarë nga fusha e ngushtë me lëndët për të cilat është shpallur konkursi’, ndërsa asnjëri prej anëtarëve nuk është nga fusha përkatëse (Gjeografia Fizike)”, ka thënë Kastrati.

Ai ka thënë se Komisionit vlerësues po ashtu ka shkelur edhe pikën 8 të kësaj rregulloreje.

“Anëtari i komisionit vlerësues me thirrjen më të lartë akademike me automatizëm është kryetar i komisionit. Në rastet kur më shumë se një anëtar i komisionit ka thirrje më të lartë përkatësisht në rastet kur të gjithë anëtarët e komisionit kanë thirrje të njëjtë me pozitën  për të cilën ka aplikuar kandidati, kryetarë do të jetë anëtari më i vjetër në moshë përkatësisht anëtari i caktuar me konsensus”, ka shtuar ai.

Sipas tij, në këtë raste, anëtari i tretë, Demë Hoti, ka gradën më të lartë Profesor i rregullt, e që nuk është kryetar i komisionit.

Kandidati Kastrati pretendon se Komisioni e shkeli edhe pikën 9 të kësaj rregulloreje.

“Në mungesë të numrit të mjaftueshëm të profesorëve si në paragrafin 5 dhe 6 të këtij neni, në përbërje të komisionit vlerësues mund të emërohen edhe profesorë nga departamentet tjera, por në këtë rast kryetari i komisionit duhet të jetë nga radha e profesorëve të departamentit për të cilin janë duke u vlerësuar aplikacionet”, ka shtuar ai.

Në këtë rast kryetari i komisionit nuk është nga departamenti për të cilin janë duke u vlerësuar aplikacionet. Kryetari i Komisionit vjen nga FShMN-ja, kurse anëtari i tretë është nga Fakulteti i Edukimit.

Kastrati e ka edhe një shqetësim tjetër – thotë se dosja e tij fizike nuk është shqyrtuar fare.

“Komisioni nuk e ka shqyrtuar fare aplikacionin tim të kompletuar dhe të dërguar në kopje të fortë në fakultetin e Edukimit dhe në email, me arsyetim se ‘Dosja e kandidatit nr. 5 (Bashkim Kastrati), nuk është e kompletuar sipas kërkesave të konkursit”, ka thënë tutje ai.

Sa i përket mungesës së dëshmisë valide që nuk është nën hetime, Kastrati ka thënë se Komisioni në këtë rast ka shpifur.

Ai ka thënë se në konkurs nuk është kërkuar periudha valide e këtij dokumenti, gjë të cilën e dëshmojnë edhe kushte e paraqitura në konkurs.

Kandidatët Çela dhe Kastrati ishin konkurrentë edhe në konkursin e vitit të kaluar kur Çela asokohe u propozua në këtë pozitë nga kryetari i Komisionit vlerësues, Ibrahim Ramadani, i cili kishte qenë menaxher i biznesit të tij.

Edhe Sami Behrami, kandidati tjetër në konkurs, është refuzuar në konkursin e fundit me arsyetimin se “nuk e ka të kompletuar dokumentacionin sipas kushteve të parapara me konkurs”.

“Mungojnë certifikata e lindjes, dëshmia valide që nuk është nën hetime (dëshmia është e datës 29.04.2015). Diploma e studimeve bachelor, në vend të saj është kopja e certifikatës së noterizuar (kopje e datës 03.02.2017), diploma e magjistraturës dhe doktoratës nuk janë origjinale dhe janë kopje të noterizuara më datën 03.02.2017”, thuhet në arsyetimin e Komisionit vlerësues.

Edhe Behrami kishte qenë konkurrent me Çelën vitin e kaluar.

Gazeta Insajderi ka provuar ta kontaktojë kandidatin, por deri më tani nuk ka arritur.

Gjithashtu, Gazeta i ka dërguar pyetje edhe kandidatit që është propozuar nga Komisioni, Tomor Çela, por deri më tani nuk u është përgjigjur pyetjeve.

Lidhjet e Tomor Çelës me anëtarët e Komisionit

Në shkurt të vitit të kaluar, Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Edukimit e kishte propozuar Tomor Çelën në thirrjen e ‘Profesorit asistent’. Anëtar i Komisionit kishte qenë edhe Demë Hoti, i cili edhe kësaj here ishte në komision duke e propozuar në këtë thirrje.

Anëtarë tjerë të komisionit kishin qenë edhe ish-menaxheri i biznesit të tij, Ibrahim Ramadani dhe Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit kishte qenë i ashpër ndaj propozimit për Çelën.

Polemika mes tyre kishte nisur rreth çështjes së Demarkacionit. Çela ishte përkrahës i versionit të Marrëveshjes së Demarkacionit të nënshkruar në Bruksel, kurse Bulliqi insistonte se me atë marrëveshje Kosova humbte territor.

Lidhja e Çelës me dy anëtarët tjerë të Komisionit të fundit vlerësues, Ferim Gashi dhe Arsim Ejupi ka të bëjë me atë se ata ishin bërë bashkë si grup i ekspertëve duke e kundërshtuar versionin e Shpejtim Bulliqit, i cili asokohe ishte zgjedhë kryetar i Komisionit për korrigjimin e Demarkacionit.

Bulliqi, në cilësinë e anëtarit të Komisionit vlerësues vitin e kaluar, e kishte kontestuar edhe kualifikimin e Çelës, duke thënë se ai nuk kishte thirrje për ligjërimin e lëndëve që kërkoheshin me konkurs.

Gazeta ka kërkuar sqarim nga Çela për afërsinë e tij me anëtarët e Komisionit, por deri më tani nuk ka dhënë përgjigje./Insajderi.com