E sëmurë dhe e vetmuar – Jetesa e pasigurt e “bilbilit shqiptar”

E sëmurë dhe e vetmuar – Jetesa e pasigurt e “bilbilit shqiptar”

Bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha ishte dwrguar dje në Emergjencën e QKUK-së në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka konfirmuar se pacientes i është dhënë ndihma mjekësore dhe është dërguar në repartin e Radiologjisë.

“Zyra e informimit QKUK ju konfirmon se pacientja N.P ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve që ka marrë në shtëpi. Është dhënë ndihma mjekësore në kuadër të klinikës emergjente dhe është jashtë rrezikut për jetë. Janë duke vazhduar ekzaminimet e tjera diagnostike në kliniken e radiologjisë në QKUK”, ka thënë Fazliu.

Pas trajtimit mjekësor që iu ofrua në Qendrën Radiologjisë, ajo tani është më mirë. Këtë e konfirmon mjeku Sami Deliu.

“Gjendja e përgjithshme e zonjës Pagarusha tani ka filluar të përmirësohet. Ajo ka një lëndim të boshtit kurrizor, respektivisht unazës së katërt, si pasojë e rrëzimit në shtëpi”, ka thënë Deliu.

Sipas tij, në repartin e Radiologjisë janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në rastin e Pagarushës.

“Kemi marr të gjitha masat, i kemi vendos korset. Gjendja e tanishme është stabile, andaj planifikojmë që shumë shpejt të lirohet në shtëpi”, ka shtuar Deliu.

Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtinë, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984, në mënyrë që edhe një herë t’i rikthehet skenës, në vitin 2000, kur në Tiranë interpretoi këngën “Për ty”, në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili arriti ta bindë që edhe një herë të shkëlqejë para publikut.

Namin e muzikës popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.

Ndër rreth 150 këngët që ka interpretuar, mbetet e paharruar “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi dhe me tekst të Rifat Kukajt, por edhe, “Ani mori nuse”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam” dhe shumë të tjera.

Nexhmije Pagarusha mori shumë çmime, ndër të cilat “Këngëtare e Shekullit” në Kosovë dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”, me të cilin e dekoroi presidenti shqiptar Bujar Nishani në vitin 2012.

Bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha është dekoruar me medalje nga Presidenti i Amerikës, Donald Trump. Medalja iu dorëzua në Tiranë në një ceremoni ku të pranishëm ishin diplomatë amerikanë. Kjo medalje Primadonës së muzikës shqipe iu dha në ditëlindjen e saj. Nexhmije Pagarusha ka mbushur në maj 85 vjet.

Ajo jeton prej vitesh e vetmuar në banesën e saj në Prishtinë.