Profesori Sadik Zekaj, ka arritur që falë ndryshimit të ditëlindjes të vazhdojë punën në Universitetin e Prishtinës. Ai ka gjetur dy dëshmitarë të cilët kanë thënë se bashkëfshatari i tyre është lindur në vitin 1953 e jo 1950 siç ka qenë i regjistruar. Datëlindja e tij ka shkuar edhe në Gjykatë. Gjykata ka vendosur masë sigurie në favor të Zekajt deri në vendimin përfundimtar. Ai ka treguar se ka dhënë deklaratë në polici lidhur me këto ndyshime.
Profesori Sadik Zekaj do t’u ligjërojë studentëve të Mjekësisë edhe tri vjet, falë ndryshimit që i ka bërë ditëlindjes së tij me dy dëshmitarë.
Profesori, që më ditëlindjen e vjetër ka mbushur 65 vjet më 29 janar 2015, me ditëlindjen e re, këtë moshë e arrin fiks tri vjet më vonë.
Me këtë ndryshim, ai ka sfiduar një vendim të rektorit Ramadan Zejnullahu që e pensiononte atë më mbërritur moshën e “pleqërisë”.
Ligjëruesi i mjekësisë Interne dhe shef i Katedrës së Mjekësisë Interne ka mbështetje ligjore për të vazhduar punën në Universitetin Hasan Prishtina. Një vendim gjyqi vendos masë të përkohshme derisa të zgjidhet kontesti mes tij dhe Universitetit.
Kur dihet se sa zgjasin procese të tilla, Zeka do të arrijë moshën e pensionit edhe me ditëlindjen e re, pa u shqyrtuar kontesti juridik.
Profesori që krejt karrierën e ka ndërtuar me dokumentet e vjetra dhe ka kryer fakultetin, magjistraturën dhe doktoraturën, ka thënë se kurrfarë interesi nuk ka pasur që ta ndryshojë vitin e lindjes. Thotë se ka firmë të veten dhe nuk është i varur nga puna në Universitet. Megjithatë, shton se nuk ka dashur të pensionohet tri vjet para bashkëmoshatarëve të tij.
“Unë pata pyet në komunë, me kanë thanë mundesh me e ba përmirësimin. Kam shku në Gllogovc e kam ba kërkesën, ju kam drejtu organit. Organet kanë vendos me ma pranu. Kanë mujt me ma refuzu por e kanë pa që është e bazuar kërkesa.
“Ndryshimin nuk e kam bërë deri tash vetëm për shkak të mosinteresimit se nuk më ka pengu mosha”, ka thënë ai për Insajderin.
Ai ka treguar se ka dhënë deklaratë në polici lidhur me këto ndyshime.
Me gjithë të ardhurat nga biznesi, ndryshimi i datës së lindjes do t’i sjell profesorit Zeka edhe mbi 30 mijë euro tjera pagë deri në pensionimin e ri, pas tri vjetësh.
Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e këtij profesori, përfshirë vendimin e Gjendjes Civile në Komunën e Gllogovcit, vendimin e Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit si dhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për masë të përkohshme që është nxjerr para pak ditësh.
Procedurave për ndërrimin e datës së lindjes, profesori i kishte hyrë para katër vjetësh.
Sektori i gjendjes civile në Gllogoc- kishte vendosur që t’i lejohej përmirësimi i datëlindjes siç thuhet “të regjistruar gabimisht”, nga 29.01. 1950 në 29.01.1953.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Sadik Zekaj ka paraqitur provë materiale dëftesën mbi kryerjen e shkollimit fillor të lëshuar nga Shkolla Fillore “Fehmi Rama” në Likoc, “ku shihet se datëlindja e regjistruar dhe e saktë e tij është 29. 01. 1953.
Po ashtu ka paraqitur dëshmitarë Shefqet dhe Halim Zekën – dy bashkëfshatarë të tij të cilët thonë se dinë saktë datëlindjen e tij.
Gjendja civile konteston vërtetësinë e Librit Amëz në të cilin profesori ka të dhënat e ditëlindjes së vjetër.
“Ky organ… gjeti se regjistrimi i fakteve të lindjes…, janë të regjistruara në një libër të vjetër të lindjes që është përshkruar si (dupllikat) që mbahet në Zyrën e Gjendjes Civile në Abri e Epërme, që nuk mund të merret si datëlindje e saktë, pasi që nuk është libër origjinal. Të dhënat në këtë libër nuk janë dhënë direkt nga prindërit e tij, por është bërë përshkrim nga personat e tjerë”, thuhet në aktvendim.
Dëshmitarët kanë deklaruar se “Sadikun e njohin që nga lindja”.
“Unë njoh mirë Sadikun, dhe në shkollë kam qenë katër vite si gjeneratë më përpara”, ka thënë dëshmitari Shefqet Zekaj.
“Prandaj ky organ, pasi që shqyrtoi kërkesën, bëri provat e nevojshme dhe konkludoi se kërkesa është e arsyeshme, e bazuar me ligj, prandaj u vendos siç u cek në dispozitivin e aktvendimit”.
Mbi këtë aktvendim të dyshimtë për ndërrim të datëlindjes, Ministria e Punës ka shfuqizuar vendimin e lëshuar më 12 janar 2015 nga rektori Ramadan Zejnullahu.
Vendimi është marrë pasi Sadik Zekaj ka paraqitur ankesë në Inspektoriatin e Punës lidhur më mos kryerjen e obligimeve nga ana e Rektoratit për shkak të mospërputhjes së datës së lindjes.
“Inspektorët e punës e shqyrtuan lëndën dhe gjetën se dr. Sadik Zekaj ka datëlindjen në bazë të Certifikatës së Lindjes 29.01.1953 si dhe me letërnjoftimin e paraqitur me datë të lindjes 29.01.1953”, thuhet në vendim.
“Duke i marrë parasysh këtë dokumentacion zyrtar dhe valid nga Institucionet që janë thirrur për lëshimin e dokumentacionit identifikues, jemi të obliguar që t’i zbatojmë dhe t’i marrim si fakte relevante të nxjerrjes së vendimit”, thuhet më tej.
Më 18 janar të këtij viti Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar si të bazuar propozimi për caktimin e masës së sigurimit.
“Pezullohet zbatimi i vendimit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës… detyrohet kundër propozuesi – Universiteti i Prishtinës që propozuesit të masës t’i mundësoj kryerjen e detyrave të punës – Profesor i Asocuar për lëndën mjekësi interne në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë edhe pas datës 30.09.2015, derisa të ekzistojnë kushtet ligjore”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Profesori ka theksuar se në vendimin e Rektoratit gabimisht është konstatuar gjendja faktike sa i përket moshës, meqë në dosjen e tij personale ka ekzistuar vendimi administrativ për përmirësimin e vitit të lindjes, nga vitit 1950 në atë 1953, si dhe certifikata e lindjes, – nga të cilat vërtetohet datëlindja e saktë.
“Prandaj, nga arsyet e theksuara dhe duke marrë për bazë kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore deri në vendosjen përfundimtare lidhur me rastin konkret dhe faktin se pas dy vitesh propozuesi do të arrij moshën ligjore për pensionim, kështu për evitimin e dëmit të pariparueshëm jo material dhe material, ka propozuar që të caktohet masa për sigurimin”, thuhet në vendim./Insajderi.com