Që nga Lufta e Dytë Botërore, Holokausti ka qenë objekt i filmave të shumtë. Son of Saul, nga hungarezi Laszlo Nemes dhe Labyrinth of Lies nga gjermano-italiani Giulio Ricciarelli dy filmat më të rinj në kinematografi. Të dy janë kandidatë për Oskar në kategorinë e filmit në gjuhë të huaj, për kinematografinë e tyre, për lojën e jashtëzakonshme dhe kryesisht për qasjen e tyre të re në sagën e Holokaustit.
Son of Saul ofron një portretizim të tmerrshëm të Holokaustit përmes syve të Saul Auslander, anëtar i një njësie të ashtuquajtura Sondercommando në kampin famëkeq të shfarosjes Auschwitz-Birkenau, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sondercommando quheshin njësitë e të burgosurve hebrenj të detyruar të punonin në krematoriume. Në film, Saul kërkon në mënyrë të dëshpëruar një rabi për të kryer sipas riteve varrimin e një djali të ri, njërin nga qindra mijëra të helmuarit në dhomat me gaz.
Duke përdorur një kamera dore, regjisori Nemes Laszlo përqëndrohet pothuajse krejtësisht në fytyrën e Saulit ndërsa përreth janë duke u kryer akte të neveritshme, duke i lënë hollësitë në imagjinatën e shikuesve. Laszlo thotë se përdori tinguj të njerëzve që luteshin, ulërinin dhe vdisnin në përpjekje për të rikrijuar atmosferën kaotike dhe të tmerrshe që sonderkomandot përshkruajnë në tekstet e tyre rreth jetës dhe vdekjes në këto kampe, raporton Zeri i Amerikës
“Procesi i mendimit nuk ka vend në kamp dhe është dicka që ne asnjëherë nuk e kuptuam pas luftës. Mendimi vjen pas luftës. Kur je brenda, je në një gjendje tjetër,” thotë regjisori Laszlo Nemes.
Megjithë zymtësinë e filmit, Nemes thotë se ka humanizëm në historinë e tij, ku personazhi kryesor, në mesin e vdekjes, rrezikon jetën për të varrosur një tjetër.
Labyrinth of Lies, nga Giulio Ricciarelli, tregon historinë e Johann Redmann, një prokuror gjerman i cili ndërsa heton një të dyshuar nazist për krime lufte në fund të viteve 1950, zbulon se në Auschwitz ishin kryer krime masive kundër njerëzimit.
Labyrinth of Lies zbulon sesi për gati 20 vjet pas luftës, Gjermania mbuloi mizoritë në Auschwitz, në mënyrë që brezi i ardhshëm të mos dinte asgjë për kampet e Holokaustit.
Kodi i heshtjes u thye në vitin 1963, kur kriminelët nazistë të luftës u gjykuan më në fund në Gjermani për aktet e tyre në Auschwitz.
Labyrinth of Lies zhvillohet si një thriller, por regjisori Ricciarelli thotë se sado e pabesueshme të tingëllojë, kjo është një histori e vërtetë me përjashtim të personazhit të Johann Radmann, i cili është krijuar nga jeta reale e prokurorëve të asaj kohe.