Oda e Avokatëve largon jashtëligjshëm nga puna zyrtaren e financave

Oda e Avokatëve të Kosovës, në fund të vitit të kaluar ka larguar nga puna, zyrtaren e financave. Vendimi për shkëputjen e një anshme të kontratës, është konsideruar i jashtëligjshëm nga Inspektorati i Punës. Ata kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit për largim dhe sistemimin e saj brenda Odës, por kjo shoqatë nuk e ka zbatuar vendimin e Inspektoratit.

Oda e Avokatëve largon jashtëligjshëm nga puna zyrtaren e financave

Merita Kida, e cila mbante pozitën e zyrtares së Financave në Odën e Avokatëve të Kosovës, është larguar nga puna në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimin për ndërprerjen e një anshme të kontratës së punës e kishte marrë Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve, me arsyetimin, siç thuhet në vendim “mosplotësimit të kushteve profesionale”, raporton Insajderi.

“Zyrtarja për financa sipas normatives nuk e plotëson kushtin themelor për këtë pozitë sepse e njëjta nuk ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik ashtu siç kërkohet me rregulloren e stafit por ka të përfunduar Fakultetin e Fizioterapisë kurse është në përfundim të masterit në Menaxhment dhe Financa”.

“Këshilli Drejtues vlerësoi se vendi i punës zyrtar financiar nuk mund të mbulohet me master në lëminë e financave ngase për atë pozitë kërkohet baza e kualifikimit profesional të jetë Fakulteti Ekonomik me sistem katër vjeçar ose bachelor në ekonomi plus master konform nenit 36 të rregullores për stafin”, thuhej në vendim.

Në këtë vendim të cilin e ka siguruar Insajderi po ashtu thuhej se zyrtares Kida i ndahet edhe kompensimi i menjëhershëm në vlerën e pesë pagave. Ndërkohë që vendimi hynte në fuqi që nga 1 shkurti 2018.

Merita Kida, e cila ka punuar në odë që nga gushti i vitit 2001, ishte ankuar në Inspektoratin e Punës, lidhur me shkëputjen e kontratës, shkruan Insajderi.

Ky institucion me 14 mars, i dha të drejtë Kidës në ankesën e saj, pasi konstatoi se u largua jashtëligjshëm nga puna.

“Inspektorati i Punës komform kompetencës së tij, pas shqyrtimit të akteve të lartcekura mbi bazën e së cilës është proceduar dhe vepruar nga punëdhënësi konstatoi se vendimi nr.136/2018 dt.30.01.2018, për ndërprerjen e kontratës së punonjëses Merita Kida, nuk posedon bazën ligjore dhe si e tillë nuk mund të prodhojë efekt juridik”.

Inspektorati gjithashtu konstatoi se ligjërisht Këshilli Drejtues nuk është kompetent të largoj nga puna punonjësit e stafit administrativ.

“Me vendimin e lartcekur të cilin e ka marr këshilli drejtues i OAK-së, i cili me asnjë dispozitë të Ligjit nr.04/L-193 për avokatinë, statutit të OAK dt.04/11/2017 si dhe rregullore për Marrëdhënien e Punës, sistemimin e Vendeve të Punës dhe Detyrave të Punës, Paga dhe Benificionet e Punës, Përgjegjësit Disiplinore të Stafit të OAK-së dt.27/02/2017, nuk është kompetent të nxjerrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së punonjësve në stafin administrativ të OAK”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

 

Sa i përket pikës së vendimit të odës për kompensimin me para, të punëtores së larguar, Inspektorati konstatoi se oda bëri shkelje ligjore pasi që nuk ka pasur largime kolektive nga puna, ku kërkohet kuota prej 10% apo së paku 20 punëtorë të larguar sipas së cilës pastaj bëhet kompensimi.

“Është fare e paqartë se si institucioni punëdhënës “Oda e Avokatëve të Kosovës” ka  zbatuar këtë dispozitë ligjore.

Kështu Inspektorati e obligonte Odën e Avokatëve të Kosovës që ta shfuqizoj vendimin për shkëputjen e kontratës dhe ta sistemonte punonjësen duke u bazuar në kualifikimin të cilin e posedon konform rregullores së Odës së Avokatëve.

Këto veprime sipas vendimit të Inspektoratit Oda e Avokatëve duhej t`i kryente brenda 8 ditësh.

Por kundër vendimit të Inspektoratit, të njëjtën ditë ishin ankuar Oda e Avokatëve. Pretendonte se gjatë marrjes së vendimit ishin bërë konstatime të gabuara dhe jo të plota të gjendjes faktike.

Oda kërkonte që të shfuqizohej vendimi i shkallës së parë të Inspektoratit.

Por me 23 maj, organi i shkallës së dytë i Inspektoratit pasi shqyrtoi shkresat e lëndës konstatoi se shkëputja e njëanshme e kontratës së punës nga punëdhënësi OAK është bërë duke i cenuar dispozitat e nenit 70 për ndërprerjen e kontratës së punës, 71 Kohën  e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës, 76 Largimet kolektive nga puna dhe 78 mbrojtja e të drejtave për të punësuarit.

“Ankesa e paraqitur kundër vendimit të atakuar nuk është mbështetur në prova apo dëshmi me të cilin do të ndryshonin gjendjen faktike të përshkruar nga Inspektorati i punës si organi i shkallës së parë. Sepse pala në procedurë me ankesë bënë një arsyetim jo bindës për konstatimin  gjendjes faktike dhe aplikimin e dispozitave ligjore sepse të gjitha faktet që i përshkruan në ankesë janë fakte që i ka shqyrtuar Inspektorati i punës si shkallë e parë”, thuhet në vendim.

Oda nuk e ktheu në punë zyrtaren financiare

Pavarësisht vendimit të Inspektoratit, Oda e Avokatëve nuk e ka kthyer në punë Merita Kidën e cila mbante pozitën e zyrtares së financave që nga viti 2001, në këtë shoqatë.

Në përgjigjen e zyrës për informim për Insajderin thuhet se vendimi i Inspektoratit të Punës nuk është zbatuar.

“Vendimi i IPK-së, nuk është zbatuar për shkak se sipas vendimit të tyre është kërkuar që e njëjta të sistemohet me kualifikim përkatës në OAK”.

“Normativa e OAK-së nuk ka të parapara pozita për kualifikim përkatës, përkatësisht Bachelor të Fizioterapisë, po ashtu, nuk ka pozita të lira ku kërkohet shkollimi i mesëm, kështu që, OAK e ka pasur të pamundur risistemimin e saj”, thuhet më tej në përgjigjen e Odës.

Insajderi ka kontaktuar edhe me kryeinspektorin për të kuptuar se çfarë veprimesh ka ndërmarrë ky institucion pasi që Oda nuk e ka zbatuar vendimin e saj.

Kryeinspektori i Punës Basri Ibrahimi, tha shkurt se është i njoftuar me rastin dhe se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj Odës së Avokatëve. Mirëpo ai nuk ka treguar se për çfarë veprimesh ligjore bëhet fjalë.

“Lidhur me këtë rast ne kemi marrë të gjitha veprimet ligjore”, tha ai.

Tashmë ish-zyrtarja e financave në odën e avokatëve, Merita Kida është e pa punë që nga muaji shkurt kur kishte hyrë në fuqi vendimi për largimin e saj, të cilin e kishte marrë Këshilli Drejtues i Odës.

Avokatja e saj, Albana Kelmendi e ka quajtur absurde mos kthimi në vendin e punës të klientës së saj.

“Është jo logjike se si oda e avokatëve, nuk e respekton vendimin e inspektoratit, kur avokatët thirrën në mbrojte dhe respektim të vendimeve të institucioneve”, tha ajo.

Për neglizhencën e Odës së Avokatëve të Kosovës, ndaj dy vendimeve të Inspektoratit, avokatja Kelmendi thotë se ka dorëzuar edhe një propozim për lejimin e ekzekutimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Bazuar në vendimin e shkallës së dytë të inspektoratit të punës, Kelmendi i propozon gjykatës të nxjerr aktvendim për lejimin e përmbarimit të vendimit për sistemimin në vendin punës së Merita Kidës si dhe të obligohet oda e avokatëve që t`ia njohë të drejtën e realizimit të pagave të munguara duke filluar nga data 1 shkurt:

“Si datë e arritjes së kërkesës e deri në përmbushjen definitive me kamatë ligjore prej 8% si dhe të gjitha shtesat që do t`i takonin sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në propozim. /Insajderi.com