Tri ditë shfaqje e diskutime drejt promovimit të skenës së izoluar vendore

Tri ditë shfaqje e diskutime drejt promovimit të skenës së izoluar vendore

Selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë, shkrimtarë e regjisorë vendorë e të huaj midis të tjerësh do të mblidhen për tri ditë në Prishtinë. “Qendra. Multimedia. Theatre. Showcase. 2018”, një format që organizohet për herë të parë në Kosovë, do të vërë në dispozicion të publikut shfaqje teatrore e tryeza të diskutimit. Ani pse në edicionin e parë synimet e organizatorëve janë të qarta.

Ndër të tjera, ky organizim konsiderohet si “një mënyrë e mirë për të promovuar në botë teatrin e izoluar kosovar”. Sipas njoftimit, nga data 19 tetor deri më 21 të këtij muaji do të jepen shfaqjet e fundit të prodhuara nga qendra “Multimedia”, duke përfshirë edhe premierën e shfaqjes së re “Hipokritët ose pacienti anglez”. Drama me të cilën do të hapet “Qendra. Multimedia. Theatre. Showcase. 2018”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Agon Myftarit e Blerta Rrustemi-Nezirajt, që do të jepet në Teatrin “Oda”, shpërfaqet se si të pasurit marrin trajtim në klinikat e shtrenjta private në vend apo gjetiu në Evropë e të varfrit vdesin, duke pritur në radhë në spitalet publike, ose vdesin në përpjekje për të grumbulluar financa për t’u trajtuar në spitalet private.

Po ashtu, në këtë edicion, do të jepet shfaqja “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila do të hapë festivalin teatror, që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj. “Le Pont”, bazuar në romanin e Ismail Kadaresë “Ura me tri harqe”, vjen me adoptim e regji të Simon Pitaçajt.

Pjesë e këtij “showcase” janë edhe dy panele diskutimi dhe një mbrëmje letrare e muzikore.

“Gjeografia kulturore e Ballkanit Perëndimor” dhe “Shoqëritë evropiane duke reflektuar për novelat kritike të krimit” janë temat e dy paneleve të diskutimit. Në të parin panelistë do të jenë Sasha Iliq, Drita Llolla, Petar Andonovski e Vesa Sahatçiu, me moderator ish-ministrin e Kulturës në Mal të Zi, Janko Lumoviq. Ndërsa në panelin e dytë do të jenë Elke Schmitter, Veton Surroi e Jan Kuveler nën moderim të Alida Bremer. Ngjarje tjetër janë leximet nga Alida Bremer, Sasa Iliq, Elke Schmit, Azem Deliu dhe Petar Andonovski, aktivitet ky që do të shoqërohet edhe me muzikë, ku do të interpretojë Edona Reshitaj me bend. Sipas njoftimit të organizatorëve në këtë edicion të parë, përpos publikut kosovar, pjesëmarrës do të jenë edhe rreth 30 mysafirë të huaj si selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë e dashamirës të teatrit, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës./koha.net