Rron Qena: Detyra e artistit është të gjej të bukurën aty ku nuk është

Rron Qena: Detyra e artistit është të gjej të bukurën aty ku nuk është

Mbrëmë në ambientet e qendrës EUICC në Prishtinë, u hap ekspozita e radhës e artistit Rron Qena.

“Fading under the sky” titullohej cikli prej 7 punimesh me të cilat u prezentua Rroni dhe njëherazi titulli i njërës prej pikturave. Secila prej punimeve, me titull të veçantë paraqiste pjesë prej realitetit të qytetit dhe njerëzve që jetojnë në të.

Pikturat e Rroni përmes titujve dhe vizualizimit shtrojnë pyetje që tentojnë të na shtyjnë të jemi të vetëdijshëm në një rrafsh shumë dimensional. Është marrëdhënia e artistit me qytetin, i cili çdo ditë e më shumë po shkatërrohet para syve të tij qoftë në aspektin urban, ambientalist apo human.

“Cikli i punimeve është realizuar gjatë vitit të kaluar kur ndotja e ajrit mori masa drastike në qytetin e Prishtinës, çka filloi të më shtynte drejt një botë që dalëngadalë po zhduket, përhumbet në mjegullën e ndotjes së ajrit. Përderisa në ekspozitën e kaluar, ndotja e ajrit është tema kryesore e ciklit, ky cikël tenton të sjellë pasoja e ndotjes, kaosin e shkaktuar prej këtij fenomeni, kaos ky që ka përfshirë qytetin dhe njerëzit e tij, dhe në një mënyrë është bërë karakterizuese për vendin,” tha Rroni për Insajderin.

“Qielli, ka mbetur relaksimi i vetëm i qytetit me arkitekturën brutalisht të ngarkuar, që ironikisht është zbukuruar dhe ka marrë ngjyra magjepsëse prej ndotjes, ndërkohë që ndërtesat e tepërta duken sikur i zënë frymën vendit dhe njerëzve që jetojnë këtu. Prishtina po venitet e bashkë me të edhe njerëzit” vazhdon ai. “Ka shumë pak gjëra që të japin kënaqësi në Prishtinë, e si pasojë e kësaj njerëzit nuk arrijnë ta gjejnë veten, rrugën apo punën e duhur. Po më duket sikur Prishtina po na privon prej jetës normale”

Rroni e theksoi se njëra prej punimeve “Space Ilusion” tregon për një iluzion të shkaktuar nga ky fenomen. “Mjegulla që mbulonte qytetin, të krijonte iluzionin e hapësirës në një vend ku ndërtesat janë të panumërta”. Dukuria negative ka arritur të transformohet përmes artit të tij në diçka jashtëzakonisht të bukur.

“Më duhet të kthehem pas në kohë, dhe ta kujtoj një shprehje të babës tim, i cili thoshte se detyra e artistit është të gjej të bukurën aty ku nuk është, dhe kjo më ka preukupuar gjatë, por vetëm vonë e kam kuptuar domethënien” tha Rron Qena në përmbyllje të intervistës së tij për Insajderin.