“Për babain tim që e kam kaq afër zemrës dhe larg sysh”, kjo është fraza kryesore e librit të sapo botuar të shkrimtares 17-vjeçare nga Peja Melisa Zekaj, të titulluar “2am” – e që i është kushtuar babait të saj, Valdet Zekaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që tani po mbahet në burgjet e Maqedonisë.
Mëngjesi i nëntë majit të vitit të kaluar ishte dramatik në Kumanovë, pasi një grup prej rreth 70 shqiptarësh, luftuan në Kumanovë me forcat policore maqedonase, konflikt nga i cili mbetën të vrarë nëntë shqiptarë dhe disa të tjerë u burgosën nga autoritetet maqedonase.
Në mesin e atyre që u arrestuan ishte edhe babai i adoleshentes nga Peja, Melisës, e cila e frymëzuar nga i ati ka vendosur t’i dedikoj atij këtë libër, një vepër letrare që ndonëse nuk ngërthen brenda tij një histori personale apo karakteriale, më shumë shpërfaq imagjinatën e shkrimtares së re kosovare në shumë tematika aktuale.
Ndonëse mungesa dhe dashuria për babanë e saj janë të përçuara në libër, vepra e Zekajt ka për qëllim të shfaqë në një masë ndjesinë e fuqisë së gruas, ashtu si dhe pjesë të tjera të jetës në përgjithësi, të paraqitura nga këndi personal i një adoleshenteje.
“Libri është për të rinj edhe jam inspiruar tek shoqëria që më rrethon edhe çdo gjë tjeter qe kam parë”, rrëfen Zekaj për Insajderin.
Ajo thotë se libri nuk është shkruar në një formë të caktuar letrare, por është një përzierje e zhanreve të ndryshme letrare.
“Nuk ka formë letrare te caktume, nuk ka kurgjo te caktuar mbasi jemi në vitin 2016 dhe kam dashur të krijojë diçka prej vete, për atë them se libri kryesisht përbëhet prej eseve, poezive apo thënieve të shkurtra”, shprehet Zekaj.
17-vjeçarja, ndërkaq, i thotë Insajderit se dëshiron që të gjithë të rinjtë kosovarë të gjejnë të paktën një pjesë të vetës së tyre në këtë vepër letrare.
“Krejt librin ja kam dedikuar babait edhe pse s’kam shkru diçka të veçantë per të, për arsye se nuk kam dëshiru që të shpërfaqë diçka personale familjare në këtë libër”, tregon Melisa, e cila tregon se librin e ka kompletuar për rreth një muaj.
Libri i saj nuk është regjistruar ende me kodin ISBN – Numrin Ndërkombëtar Standard të Librave, i cili mundëson shitjen e tij në bibliotekat e Kosovës sipas ligjeve në fuqi, mirëpo adoleshentja ka vendosur që ta publikojë atë për publikun në faqen e internetit Wattpad.com – uebsajt ku mund të lexohen dhe publikohen librat ‘online’.
Babai i Melisës, Valdet Zekaj ka qenë ushtar i UÇK-së, derisa vetë Melisa thotë se ai ka luftuar në tre lufta me karakter kombëtar. /Insajderi.com