“Peer Gynti nga Kosova” pjesë e festivalit të  Zurich-ut

“Peer Gynti nga Kosova” do të shfaqet tri herë radhazi, në këtë festival.

 “Peer Gynti nga Kosova” pjesë e festivalit të  Zurich-ut

Shfaqja “Peer Gynti nga Kosova”  e autorit Jeton Neziraj e cila vjen me regji të Agon Myftarit do të jetë pjesë e Festivalit “Blickfelder Festival” që organizohet nga Kantoni i Zurich-ut dhe këtë vit mbahet nga 13 deri më 23 qershor 2019 në Zurich, përcjell Insajderi.

“Blickfelder Festival” është festivali kryesor i teatrit për fëmijë dhe të rinjë në Zvicër dhe njëri ndër festivalet më të rëndësishme në Evropë. Ai ka karakter ndërkombëtar dhe sivjet, pos shfaqjes nga Kosova, do të prezantohen edhe dhjetëra shfaqje nga Zvicra dhe vende të ndryshme të botës.

“Peer Gynti nga Kosova” është realizuar në maj të vitit 2017, kurse nga ajo kohë ka pasur mbi 20 repriza në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Gjermani.

Sivjet përveç në Zvicër, do të shfaqet edhe në Lyon të Francës.

“Peer Gynti nga Kosova” është prodhuar nga Qendra Multimedia dhe ka pasur premierën në maj të vitit të kaluar.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Bujar Ahmeti, Donikë Ahmeti, Semira Latifi, Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj.

Skenografinë është punuar  nga Nicola Minssen, kostumet nga Yllka Brada, kurse kompozimin muzikor Gabriele Marangoni. Dramaturg i shfaqjes është Stefan Schletter.

“Peer Gynti nga Kosova” është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë. Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eksperiencat e shumë desperadove të rijnë të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre./ Insajderi.com