Diaspora kujton presidentin Rugova përmes një ekspozite

Diaspora kujton presidentin Rugova përmes një ekspozite

Ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Republikës së Kosovës”, e përgatitur nga Muzeu i Kosovës dhe nën përkujdesjen e Ministrisë së Diasporës, përmban eksponate të ndryshme që lidhen me presidentin Rugova.

“Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Republikës së Kosovës”. Kështu është titulluar ekspozita e hapur mbrëmë, më 21 janar në një ambient të restorantit “Salmen” të Schlierenit, afër Cyrihut.

Hapjen e ekspozitës e ka bërë konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani ndërsa fjalën përshëndetëse e ka mbajtur ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca. Ajo, duke iu referuar ekspozitës, foli gjerësisht për shemblltyrën dhe rolin e presidentit të ndjerë, dr. Ibrahim Rugova në shtetndërtimin e Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Zonja Breca me këtë rast kujtoi rrugën jetësore të dr. Rugovës që nga lindja e tij në një familje patriotike dhe të persekutuar e deri te periudha kur ai dha  kontributin e tij madhor në ngritjen e shtetit të Kosovës. Është ironi e fatit, nënvizoi ndër të tjera znj. Breca, që presidenti Rugova nuk arriti ta shohë rezultatin final të përpjekjeve të tij jetësore, shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Një fjalë rasti e ka mbajtur zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës dhe të investimeve strategjike, Arian Daci. Ai, në emrin e ministrisë së përmendur ka përkujtuar rolin vendimtar që presidenti i ndjerë ka pasur në gjithë periudhën rreth njëzetvjeçare të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Këtë periudhë, siç ka theksuar Daci, e karakterizojnë dy personalitete emblema të historisë më të re të Kosovës: komandanti i UÇK-së, Adem Jashari dhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.