Fillon bartja e Ministrisë së Kulturës në Prizren

Fillon bartja e Ministrisë së Kulturës në Prizren

Dita e premte e kësaj jave është afati i radhës i caktuar nga lidershipi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për jetësimin e fazës së parë të bartjes së këtij dikasteri në ndërtesën që vite më parë shfrytëzohej nga rektorati i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Tashmë kjo ndërtesë është rinovuar dhe adaptuar për nevojat e MKRS-së, përkatësisht kabinetin e ministrit dhe zyrtarëve të Departamentit të Kulturës dhe të Trashëgimisë Kulturore. Madje të martën në rrjetet sociale janë publikuar pamjet e zyrave të MKRS-së në Prizren.

“Ambiente të gatshme për bartjen e një pjese të MKRS-së në qytetin historik. Hapja zyrtare do të realizohet shumë shpejt. Është çështje ditësh kur në Prizren MKRS-ja do të fillojë punën e saj”, shkruan në postimin e kësaj ministrie.