Kadri Veseli promovoi fabrikën e të akuzuarit për uzurpim

Kryeparlamentari Kadri Veseli mori pjesë në promovimin e fabrikës, ku është hisedar një biznesmen që është i akuzuar për uzurpim e kërcënim, vetëm një ditë pasi kërkoi publikimin e listës së uzurpatorëve të pronave shoqërore.

Kadri Veseli promovoi fabrikën e të akuzuarit për uzurpim

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, bëri thirrje për publikimin e listës së uzurpatorë të ndërmarrjeve shoqërore  më 29 janar të këtij viti, pas takimit me anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Thërrasim që sa më shpejt të largohen nga pronat që kanë uzurpuar. Thërrasim edhe organet e gjyqësorit që të merren me këtë çështje”, pati deklaruar Veseli.

Por, një ditë më vonë, më 30 janar udhëtoi për në fshatin Selac të Mitrovicës. Aty promovoi hapjen e një biznesi të madh.

Një prej aksionarëve të këtij biznesi është Bekim Shyti, një i akuzuar për pushtim të paligjshëm dhe kërcënim ndaj blerësit të një ndërmarrje shoqërore.

Shyti ka qenë komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Shalës.

Përkundër kësaj Veseli deklaroi se këtë investim e sheh si gjënë më pozitive që ka ndodhur kohëve të fundit në Kosovë.

“Ky është një nga lajmet më të mira që na ngroh, veçanërisht në këto ditë të acarta të janarit”, pati thënë Veseli.

Hidrocentralit i është vënë emri “Albaniku III”, dhe pritet të prodhojë 4.3 megavat energji elektrike. Investimet llogariten se kanë vlerën e 6 milionë e 300 mijë eurove.

Latifi: Secili është përgjegjës për veprimet e veta

Blerim Latifi, këshilltar politik, i Veselit deklaroi për Insajderi.com se kryetari nuk ka mundur të jetë i informuar se dikush nga aksionarët mund të jetë uzurpatorë.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, drejton dhe përfaqëson Kuvendin e Kosovës, dhe jo Agjencinë Kosovar të Privatizimit, apo Prokurorinë e Shtetit, që të mund të jetë në dijeni se kush çfarë ka uzurpuar apo mendohet se ka uzurpuar në Kosovë”, ka deklaruar Latifi.

Latifi ka shtuar se, bazuar në informatat që ka pasur kabineti i krye parlamentarit, investimi në hidrocentralin në Selac është bërë në përputhje me kërkesat ligjore dhe paraqet një shembull të mirë të investimit të kapitalit të diasporës në vendlindje.

“Ndërkaq, pjesëmarrja e kryetarit Veseli, si i ftuar, në inaugurimin e hidrocentralit Albaniku III, nuk është bërë për të promovuar këtë ose atë biznes, këtë apo atë investues, por për të stimuluar klimën e investimeve ekonomike në Kosovë, gjë që është në interes të qytetarëve të vendit, të cilët para se gjithash kërkojnë sot zhvillim ekonomik, vende të reja të punës, e mirëqenie për familjet e tyre”, ka thënë Latifi.

Këshilltari i Veselit shtoi se ka qenë vet kryeparlamentari që ka kërkuar  nga AKP-ja që të bëjë publik  emrat e uzurpatorëve në Kosovë dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë që të trajtojë këtë problem.

“Secili është përgjegjës për veprimet e veta”, ka shtuar Latifi.

Ndërkohë Agjencia Kosovare  e Privatizimit, pas kërkesave të Veselit, publikoi të hënën listën e uzurpatorëve të pronave shoqërore.

Gjithsejtë janë 170 prona të uzurpuara, dhe më së shumti uzurpime ka në komunën e Mitrovicës së Veriut me 18 për qind dhe në Prishtinë me 12 për qind.

1  3

Pjesë nga aktakuza e ngritur kundër Shytit dhe Beqirit.

 

“Pushka top tu bëftë e hajde mere lokalin”

Aktakuza ndaj Bekim Shytit dhe biznesmenit tjetër Kasim Beqirit u ngrit më 12 prill të 2013-es nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Të dy akuzohen se nëpërmjet pushtimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme i kanë pamundësuar të dëmtuarit, Nexhat Kastratit,që të shfrytëzoj pronën e tij.

Ata nuk kanë lejuar Kastratin që të shfrytëzoj objektin e ish-restorant “Ylli”,që ndodhet në qendër të Mitrovicës, që e kishte blerë nëpërmjet procesit të privatizimit. I kishte kushtuar 200 mijë euro. Por aty ende operon marketi “Florenti” që menaxhohet nga Kasim Beqiri.

Shyti akuzohet edhe për kërcënim. Ai, sipas aktakuzës, citohet t’i ketë thënë Kastratit “pushka top tu bëftë e hajde merre lokalin”.

Por Shyti ka mohuar se kjo deklaratë përbën kërcënim kur ishte intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë në maj të vitit 2014.

Shyti pati pranuar se e ka telefonuar Kastratin dhe se në fund të bisedës i kishte thënë ““Nexhat ti më së paku koke shqiptar se mua mu ka bë e padrejtë si vendor me gjithë këto investim. Po ti qenke  i fortë. Unë jam këtu e hajde kur të dush merre lokalin”.

Kjo, sipas tij, nuk përbënte kurrfarë kërcënimi.

Bekim Shyti, i kontaktuar nga Insajderi, pohoi se aktakuza është hedhur poshtë dhe se nuk është duke u zhvilluar kurrfarë procedure penale ndaj tij. Po ashtu shtoi se janë spekulime akuzat se ka uzurpuar pronë të huaj.

“E kemi sqaruar këtë. Ne nuk e kemi uzurpuar pronën e askujt”, ka thënë Shyti.

Por Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi se nuk është hedhur poshtë aktakuza.

Shyqyri Syla, kryeprokuror, deklaroi për Insajderin se aktakuza është dërguar në gjykatë dhe ende është në fuqi.

“Ankuesi e ka paraqitur rastin edhe në EULEX por edhe tek ne. EULEX-i ka pushuar hetimet ndërsa prokuroria në Mitrovicë ka vazhduar me hetimet dhe ka ngritur aktakuzë”, ka thënë Syla.

Po ashtu edhe Ramë Dreshaj, avokat i Nexhat Kastratit, thotë se lidhur me këtë rast ende nuk është zhvilluar ndonjë seancë gjyqësore. Thotë se sistemi i drejtësisë është duke u frikësuar nga uzurpatorët.

Përveç lajmërimit të kërcënimit tek autoritetet policore, biznesmeni Kastrati ka ngritur edhe padi për lirimin e pronës.

Ramë Dreshaj, avokati i tij, deklaroi për Insajderi.com se shkalla e parë ka marrë vendim për lirimin e pronës dhe se pritet që të konfirmohet edhe nga Gjykata e Apelit.

Dreshaj, po ashtu, tha se në anën tjetër janë duke u zhvilluar seanca gjyqësore në lëndën civile, përkatësisht kërkesën e Kastratit për kompensimin e dëmit nga pamundësimi i shfrytëzimit të pronës.

“Javën e ardhshme e kemi seancën e radhës në Gjykatën Themelore në Skenderaj”, ka thënë Dreshaj duke shtuar se vlera e kërkuar e kompensimit kap shifrën e rreth 1 milionë eurove.