Prokuroria Speciale ka nisur hetimet kundër tre personave për veprën penale të krimit të organizuar që lidhet me transaksionet e dyshimta nga Fondi i Republikës së Kosovës. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi i ka konfirmuar hetimet.
Transaksionet e mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës i njohur si 3%-shi, janë bërë objekt hetimesh të Prokurorisë Speciale të republikës së Kosovës, ka mësuar gazeta online Insajderi.
Prokurori special, Faik Halili ka nisur hetimet për krim të organizuar me këto transaksione. Baza e hetimeve është bërë një raport i Qendrës së Inteligjencës Financiare (FIC) që është hartuar gjatë hetimeve kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe të tjerëve, në vitin 2012. Raporti hetimor që i ishte dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është publikuar të premten nga Insajderi.
[fbvideo link=”https://www.facebook.com/1933796746846146/videos/1951355448423609″ width=”680″ height=”400″ onlyvideo=”1″]
Dokumenti flet për tërheqje të mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës gjatë viteve 2006-2011.
Këto para janë tërhequr nga bankat në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të deponuara fondet e 3 përqindëshit.
Të dhënat e këtyre fondeve, tregojnë se Fondi i Republikës së Kosovës-i regjistruar si OJQ- ka llogari në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë. 16 transaksionet bëhet fjalë për shtatë, deri në 50 mijë euro.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar për Insajderin nisjen e hetimeve.
“Mund t’ju konfirmoj se Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i ngarkuar me këtë rast ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër tre personave”, ka thënë Lumezi.
Kryeprokurori i Shtetit nuk ka folur për detajet e hetimit me arsyetimin se është në fazën fillestare, por ka garantuar se deri në fund të këtij viti do të dalin rezultate konkrete të hetimit.
Burime nga Prokuroria Speciale kanë thënë se më herët kishte nisur një hetim për këtë fond bazuar në deklaratat e Musa Dakës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Amerikë. Por, ky hetim ishte mbyllur për shkak të parashkrimit të veprave.
“Të gjitha keqpërdorimet para vitit 2004 janë të parashkruara”, ka thënë ky burim.
Bujar Bukoshi ditë më parë e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa.
Bukoshi ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet e këtij fondi me arsyetimin se kjo çështje tashmë është e mbyllur për të. Ka thënë se paratë janë tërhequr nga Naser Osmani, deputet i LDK-së dhe Atdhe Gashi, ish këshilltar i tij.
Osmani e Gashi kanë mohuar se kanë pasur qasje në llogaritë bankare jashtë vendit.
Kryeministri Isa Mustafa, ish-ministër në Qeverinë e Bukoshit në Ekzil, vazhdon të hesht për këtë çështje.
Raporti i hetimeve financiare të FIC-it mban datën 27 mars 2012. Dyshimet kanë të bëjnë me pastrim parash. Dokumenti është i klasifikuar si “konfidencialitet i rreptë”.
Analiza është kryer bazuar ne një kërkesë të Zyrës së Prokurorisë Speciale të 15 dhjetorit 2011 dhe 4 janar 2012. Kërkesat lidheshin me dyshimet për pastrim parash nga Ilir Tolaj, Bujar Bukoshi dhe të tjerë.
Hetimi i FIC-it thotë se Bujar Bukoshi është person i autorizuar për llogarinë e Fondit të Republikës së Kosovës.
Fondi është një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në New-Ulm të Republikës Fererale Gjermane. Themelues dhe nënshkrues të statutit ishin: Bujar Bukoshi, Pjeter Coli, Isa Mustafa, Shaban Bobaj, Muhamet Bicaj dhe Begi Mazelxhin.
Në dokumentin hetimor thuhet se kryesit e këtyre transaksioneve nëpërmjet përshkrimit të tyre kanë thënë se transferet kanë për qëllim të mbulojnë “shpenzimet mujore” ose “pagesat” për zyrë.
Por hetimi thotë se kjo nuk ka qenë e mundur të konfirmohet.
“Ky supozim nuk mund të konfirmohet nga përshkrimi i debiteve të llogarisë. Një pjesë e madhe e fondeve rregullisht transferohen te Union Fund for the Reconstruction of Kosovo (UFORK)*, thuhet në dokument.
“134,660 euro përmes 26 transfereve mes viteve 2006 dhe 2012. Janë shpenzuar 179,815 euro për ‘shpenzime’ të paspecifikuara, ndonjëherë duke përmendur ‘zyrën e UFORK-ut’”, thuhet në këtë dokument. /Insajderi.com
Transaksionet e dyshimta nga fondi i 3 %-shit – tërheqje parash deri në vitin 2012