Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka nisur të hetojë BKT-në dhe dy zyrtarët e këtij institucioni bankar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale të falsifikimit të dokumentit, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të mashtrimit ose dëmtimit të kreditorëve.
Rreth një muaj pas raportimit të Insajderit lidhur me dyshimet për falsifikimin e nënshkrimit një klienti nga Prizreni nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetime kundër BKT-së dhe dy zyrtarëve të kësaj banke, Z.G. dhe F.M..
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka nisur të hetojë BKT-në dhe dy zyrtarët e këtij institucioni bankar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale të falsifikimit të dokumentit, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të mashtrimit ose dëmtimit të kreditorëve.
Siç raportoi Insajderi muajin e kaluar, klienti i Bankës Kombëtare Tregtare, Sali Shehu, 54-vjeç, rrezikoi ta humbte shtëpinë e tij në Prizren, pasi ajo ishte vendosur në një ankand publik si pasojë e inicimit të një procedure përmbarimore ndaj tij nga Banka Kombëtare Tregtare vitin e kaluar.
Shtëpinë prej 225 metrave katëror, Shehu e kishte hipotekuar me rastin e lidhjes së një kontrate me Bankën Kombëtare Tregtare, më 6 mars të vitit 2009, kur kishte marrë 150 mijë euro kredi me afat të kthimit për 180 muaj.
Mirëpo, Shehu akuzoi BKT-në për mashtrim.
54-vjeçari pretendonte se ai dhe katër bashkë-kredimarrësit e tjerë nuk e kishin nënshkruar asnjëherë aneks-kontratën për riprogramimin e borxhit të mbetur ndaj bankës, sipas të cilit dokument pas tri vitesh BKT-ja do të iniconte procedurë përmbarimore ndaj tij. Ai thoshte se nënshkrimet e tyre janë falsifikuar.
Për këto arsye, Sali Shehu ngriti padi ndaj BKT-së për anulimin e aneks-kontratës për riprogramimin e kredisë. Kërkoi nga Gjykata Themelore në Prizren që të vendosej masë siguruese deri në vendimin e Gjykatës lidhur me padinë e ngritur ndaj BKT-së, në mënyrë që të mbronte shtëpinë e hipotekuar më 2009.
Por, Gjykata kishte vendosur kundër kërkesës së tij, duke i dhënë të drejtë bankës që të iniconte procedurë përmbarimore ndaj klientit.
E pas raportimit të Insajderit dhe ndërrimit të gjyqtarit të rastit, Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur këtë javë në favor të klientit që dyshohet se u mashtrua nga BKT-ja. Në një vendim të marrë të martën, Gjykata urdhëroi ndalimin dhe tjetërsimin e shitjes së pronës së paluajtshme që BKT dyshohet se tentoi t’ia merrte jashtëligjshëm klientit të saj.
Ky urdhër deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor bënë ndalimin e shitjes apo tjetërsimit të paluajtshmërisë e cila evidentohet në emër të klientit Sali Shehu, i cili dyshohet se përmes falsifikimit të nënshkrimit të tij nga zyrtarët e BKT-së është dëmtuar.
“Urdhër për ndalim afatgjatë të pasurisë: 1. Ndalohet shitja dhe tjetërsimi i paluajtshmërisë si vijon më poshtë; 2. Urdhërohet Agjencia Kadestrale e Kosovës, Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastës si dhe Oda e Noterëve të Kosovës që të respektojnë këtë urdhër”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, të marrë të martën.
Padi ndaj BKT-së – akuzohet se falsifikoi nënshkrimin e qytetarit për t’ia marrë shtëpinë
Po ashtu, në këtë vendim është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Prizren është duke e hetuar rastin, në të cilin është e prëfshirë BKT-ja dhe dy zyrtarët e saj.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të rënda ka filluar hetimet kundër të pandehurve personit juridik Banka Kombëtare Tregtare SH.A “Kosovë” me seli në Prizren, F.M. nga Prizreni dhe Z.G. nga Prizreni për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të pandehurit kanë kryer veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar, falsifikimi i dokumentit dhe mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve ose debitorëve”, thuhet në vendimin e Gjykatës, ku njoftohet për nisjen e hetimeve të Prokurorisë ndaj BKT-së.
Ndërkohë, edhe dy javë më parë Gjykata Themelore e Prizrenit kishte marrë vendim që t’ia ndalonte Bankës Tregtare Kombëtare shitjen dhe tjetërsimin e shtëpisë së klientit të saj, Sali Shehut nga Prizreni, për 30 ditët e ardhshme – deri në një vendim tjetër, i cili u mor të martën. /Insajderi.com