Vazhdon misteri – 180 mijë euro për filmin e dhëndrit të Nait Hasanit që nuk e vlerësoi askush

Vazhdon misteri – 180 mijë euro për filmin e dhëndrit të Nait Hasanit që nuk e vlerësoi askush

Misteri se si janë ndarë 180 mijë euro nga rezervat e shtetit të Kosovës për filmin e regjisorit Luan Kryeziu po vazhdon edhe pas tri ditëve .

Dhëndëri i Nait Hasanit, ka fituar paratë për projektin e tij ‘Lojë jete’, por nuk dihet se nga kush u propozua.

Gazeta Online Insajderi raportoi para tri dite për ndarjen e fondeve për filmin e regjisorit, Luan Kryeziut. Në një deklarim për këtë çështje është distancuar edhe Ministria e Kulturës, shkruan Insajderi. Këshilltari i ministrit Kujtim Gashi, Samir Hoxha, i ka thënë Insajderit, se projekti nuk ka shkuar nga MKRS.

“Projekti nuk ka shkuar nga Ministria e Kulturës, ky është vendim që është marrë në mbledhje të qeverisë. As un e as ministri nuk kemi qenë këtu gjatë asaj periudhe. Ne nuk e kemi dërgu”, ka thënë për Insajderi, Samir Hoxha.

Ky film, që thuhet që është bashkëprodhim në mes Kosovës e SHBA-së, ka marrë gjithsej 180 mijë euro, para këto që Qeveria e Kosovë i ka ndarë nga rezervat shtetërore. Ky projekt, i cili pati dështuar keq në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovë, institucion ky i vetmi që ka të drejtë të vlerësojë projektet filmike në vend, mori mbështetje direkt nga qeveria, duke mos qenë as propozim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Më 12 shkurt në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është marrë vendimi për mbështetjen financiare të filmit të regjisorit Luan Kryeziu njëherësh edhe dhëndrit të deputetit Nait Hasani ‘Lojë jete’.

Arsyeja e përzgjedhjes së këtij filmi mbetet misterioze – askush nuk e di, shkruan Insajderi.

Ndërkohë, ende nuk ka ndonjë vendim se a do të tërhiqet mbrapa ky vendim i Qeverisë i cili ka thyer dy ligje të Republikës së Kosovë, si atë të Qendrës Kinematografike të Kosovës ashtu edhe ligjin për menaxhimin e financave publike, kjo pasi që, mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë.

Gjatë ditës së djeshme, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka mohuar zërat se ka pasur rol në dhënien e fondeve për filmin ‘Lojë jete’.

Hasani në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se nuk është marr me këtë çështje dhe nuk ka pas asnjë kontakt lidhur me skandalin në të cilin është përfshirë dhëndëri i tij, Luan Kryeziu.

“Unë i lexova të gjitha gazetat edhe më vjen keq për nivelin e gazetarisë, unë tanë kohen jam marr çështjen e ligjeve as që kam pas kontakte për këtë. Mendimi është për turp, por lere më për tjerët që mendojnë më tutje”, ka thënë Hasani për Insajderin.

Insajderi ka raportuar se Radio Televizioni Publik (RTK), ka shpenzuar 18 mijë euro për të blerë filmin e dhëndrit të deputetit Nait Hasani. Ky film me regji të Luan Kryeziut, ka përfituar nga transmetuesi publik edhe një fond shtesë, edhe pse filmi veç e ka përfunduar misionin e tij. Kjo nxitë dyshime të mëdha për keqpërdorime dhe konflikt interesi.

RTK mbikëqyret nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryetar i të cilit është Nait Hasani. Ndërkaq, Luan Kryeziu është shndërruar në figure komike duke përmendur që mbi pesë vite realizimin e një filmi për Adem Jasharin, por që asnjëherë nuk ka arritur ta bëjë.

Marsin e vitit të kaluar regjisori Luan Kryeziu, bëri bujë nëpër mediat vendore me deklaratën e tij për filmin me Adem Jasharin. Ai pati deklaruar se aktori serb Rade Šerbedžija, ka kërkuar ta luajë rolin e Heroit Kombëtar por që Kryeziu nuk e ka pranuar. Këto deklarata u hodhën poshtë nga aktori Šerbedžija, i cili pati thënë se ai asnjëherë nuk është ofruar për këtë rol dhe se Kryeziu ka gënjyer vetëm për të tërhequr vëmendjen kah projekti i tij./ Insajderi.com