
Një galeri në Paris ua ofron vizitorëve mundësinë për t’u “zhytur” në ngjyrat e Vincent van Gogh si kurrë më parë. “L’Atelier des Lumieres” është duke projektuar në dysheme e mure versionet e digjitalizuara të disa prej veprave më të famshme të artistit, duke përfshirë “Starry Night Over the Rhone” dhe “Churchyard in the Rain”, shkruan Reuters.
Duke përcjellë iluzionin e gurgullimës së ujit me efekte të dritës e të zërit, këtë spektakël e shoqërojnë skena të pasura nëpërmjet teknologjisë. “Ne e kemi ‘Night Starry’, kemi luledielli dhe ngjyrat e ylberit”, ka thënë drejtori i galerisë Michael Couzigou për Reuters. Me këtë projekt kjo galeri e hapur në prill të vitit të kaluar, dhe e cila në fokus ka artin digjital, synon që kryeveprave të artit pamor t’u japë një dimension krejt tjetër. Galeria është e para e këtij lloji në Francë.