Një Parlament për faqe të zezë

Banal dhe seksistë. Milionerë e dembelë. Që fasin për ShIK e UDB. Për vrasje e ndërhyrje në punët e drejtësisë. Ky është Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në 50 minuta të dokumentarit "Parlamenti +18", InDoks sjell një rrëfim tjetër të këtij institucioni.

Një Parlament për faqe të zezë

Kjo është prej të rrallave hera kur deputetja Teuta Rugovës, së bijës së ish-presidentit Ibrahim Rugova i është dëgjuar zëri në Kuvend, që i është dëgjuar zëri në përgjithësi. Votuesit e saj mund ta kenë harruar se si flet, e ndoshta edhe se si duket ajo. Është në krye të listës së deputetëve dembel të Kosovës.

Por, nuk është e vetmja. Dhe dembelia nuk është as problemi i vetëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës. E sidomos i përbërjes së fundit. Kjo legjislaturë që doli nga zgjedhjet e fundit ka ditur që të prodhojë komedi. Dhunë. Fyerje. Sharje. Gjuhë seksiste. UDB-a e ShIK-u ishin nëmeny prej shtëpisë. Pjesa më e madhe e seancave me të drejtë e kanë merituar përshkrimin “Emision për persona mbi moshën 18 vjeçare”. Të turpshme.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Por kur kësaj përbërje të Kuvendit i luhatet mandati nga seanca në seancë, si e vlerësojnë atë njerëzit që e monitorojnë në vazhdimësi? Si e shohin ata që ua këqyrin pasurinë zyrtarëve më të paguar të pushtetit? Si e shohin këtë legjislaturë edhe deputetët më aktiv të saj? Edhe ata që dikur ishin monitorues të Kuvendit e sot janë deputetët?

Në këtë emision ri-sillen në vëmendjen e publikut edhe skenat më të turpshme, ato më të rrezikshmet  edhe ato që janë për marre. Në këtë dokumentar të InDoks shfaqet një Kuvend lakuriq. Një Kuvend që ka në përbërje individë që janë gjithçka. Më së paku deputetë.

Kjo është një pamje e zakonshme e Kuvendit të Kosovës. Dhe situata di të eskalojë deri këtu.

Dhe shpesh’herë Kuvendi i përzihet në punë edhe Drejtësisë.

Por, para se tëri sillen në vëmendje të publikut këto skena të ulëta, InDoks ka folur me drejtuesit e organizatës jo-qeveritare, nga kryesoret, që e monitoron këtëinstitucion. Është ky Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas monitorimit tëtyre, sa janë dembelë deputetët kosovarë? Dhe, kush janë kampionë në këtë aspekt?

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

“Po tash më fol për konceptin e dembelisë, ka shumë elemente dhe duhet me e marrë secilin element dhe me ju fol pikësëpari për punën e mungesave. Vetëm gjatë vitit 2018, komplet deputetët kanë munguar rreth 1700 herë. Dmth, janë 1700 mungesa të deputetëve, vetëm në seanca plenare. Kurse në komisione, janë rreth mbi 1200 mungesa, të cilat i kanë realizuar deputetët. Nëse mirret mesatarisht, i bjen që secili deputet ka munguar rreth 15 herë në Kuvendin e Kosovës. Ka kampion të mungesave. Ka deputet të cilët kanë munguar një apo dy herë komplet gjatë punës së tyre. Sa i përket mungesave në seanca, më së shumti mungesa gjatë vitit të kaluar, ka pasur Ramiz Kelmendi, me 43 mungesa, i ndjekur nga Gani Dreshaj, Mitroviç nga Lista Serbe, pastaj, Faton Topalli dhe Teuta Rugova. Këta janë pesë deputetët që kanë shënuar numrin më të madh të mungesave gjatë seancave plenare, në vitin 2018”, ka thënë Murati.

Janë më shumë se gjysma e deputetëve që nuk e kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare. Janë 65 deputetë që nuk e kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare gjatë vitit 2018. Kjo tregon një indikator se sa seriozisht mirret puna nga ana e deputetëve. Dmth, kjo tregon se sa seriozisht mirret edhe roli që ata e kanë – si në aspektin mbikqyrës, për shkak se Kuvendi ka tri role kryesore: roli përfaqësues, ligjvënës dhe roli mbikqyrës”, shtoi Murati.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu!” thotë që deputetet kanë veç një motiv pse marrin pjesë në seanca. Sipas tij, ai motiv vjen për shkak të mëditjeve.

“Të themi dembelë në seanca parlamentare, por njëkohësisht edhe në komisione parlamentare. Pjesmarrja e tyre në seanca krijohet për shkak të mëditjeve të cilat i marrin. Për arsye se e dimë që çdo deputet i cili merr pjesë në një seancë, paguhet ekstra për atë seancë. Edhe angazhimi i tyre në komisione parlamentare është me pagesë. Pra, është pagesa ajo që i obligon ose i detyron ata për me marrë pjesë aty – sa për të marrë atë meditje, që është më e lartë se vetë rroga”.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

E kush, sipas tij janë ata që thjeshtë janë kuvendarët për shkak të pagës e mëditjeve?

“Po janë përfolur shumë emra. Teuta Rugova, që nga deputetet femra, ka qenë më joaktivja edhe në legjislaturën e kaluar. Po ashtu, po vërehet një joaktivitet edhe në këtë legjislaturë nga ana e saj. Ka edhe deputetë tjerë që kanë qenë joaktiv edhe në punën e tyre, si në seancat parlamentare po ashtu edhe nëpër komisione”.

Edhe gazetari Kushtrim Sadiku, që ndërton një emision në Klan Kosova e sheh si problem dembelinë në Kuvend. Por, para kësaj, ai sheh një problem edhe më esencial.

Para se ta bëj listën më duhet të potencoj që me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e legjislaturave, Kuvendi i Kosovës, ka pësuar një rënie drastike nga ana e cilësisë. Padyshim tek të gjitha subjektet politike. Nuk vecohet vetëm një subjekt. Një parallogaritje e keqe e subjekteve politike, e centralizuar ku vendosen persona joadekuat për ta përfaqësuar zërin e popullit. Persona të cilët natyrisht nuk e kanë merituar votën e qytetarëve – nuk e kanë kryer obligimin e tyre, që janë zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Padyshim që me kalimin e kohës, legjislaturë pas legjislature, ka pasur një dobësim drastik”.

FOTO/ Kushtrim Sadiku, autor i emisionit “InFo Magazinë”, Klan Kosova

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Cila është lista e dembelëve sipas Kushtrimit?

“Po, absolutisht mendoj që ka disa deputetë që nuk i kam dëgjuar asnjëherë duke komunikuar. Duke mos qenë asnjëherë prezentë nëpër studio televizive. Teuta Rugovën se kam dëgjuar asnjëherë duke qenë aktive në Kuvendin e Kosovës. Ajo nuk është prezente e lëre më duke e zhvilluar një fjalim. Deputeti tjetër nga ana e LDK-së, Fidan Rekaliu, nuk e kam dëgjuar – ndoshta unë nuk kam arritur ta shoh apo ta ndjek, përkundër që jam përcjellës i vëmendshëm i Kuvendit. Nga PDK nuk e kam dëgjuar duke komunikuar Avdyl Salihun. Unë nuk e kam parë në seanca. Besoj që numri i tyre është i madh. Kjo flet shumë për formën se si funksionojnë partitë politike. Qendra e vendos kush të jetë prezent në Kuvend e kush jo – në mënyrë që t’i kontrollojnë me telekomandë”, ka thënë gazetari Kushtrim Sadiku.

E për këtë problem flasin edhe ata që janë vetë kolegë të dembelëve. Por, jo të tillë.

“Nuk kisha folë me emra, por që statistika të organizatave tjera. Ka deputetë që asnjëherë nuk ka fol në Kuvend. Tematika përtej cilat i trajtojmë. Krejt këto nuk bëhen ndryshe pa folë. Për fatin e keq, një numër i madh i deputetëve përvec që nuk flasin, edhe mungojnë shumë. Nuk vijnë në mbledhje të Komisionit. Veç komisioni që unë e udhëheq – atë për mbikëqyrje publike, disa herë ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe pastaj del një standard të vlerësimit se këta persona a e shohin pozitën e deputetit si privilegj për benificionet tjera, dhe vijnë për shkak të kësaj, apo pozitën  deputetit e kuptojnë si një përgjegjësi ndaj atyre që i kanë votu”.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Driton Selmanaj para se të bëhej deputet nga radhët e LDK-së ishte pikërisht në anën tjetër- monitorues i deputetëve nga shoqëria civile. Si I duket tash atij ky institucion kur e sheh edhe nga Brenda.

“Në fakt sa isha pjesë e organizatave të shoqërisë civile në shoqërinë e monitoruesit të Kuvendit, pata menduar se legjislatura para kësaj ka qenë legjislatura më e dobët. E kisha bindjen që nuk ka pasur legjislaturë më të dobët. Mendoja që e kishim prekë fundin, për shkak të rolit dhe jokonstruktivitetit të deputetëve, vlerave individuale të tyre. Kisha përshtypjen se nuk ka më dobët. Tash po e shoh që e kam pasur gabim. Pra, në këtë të fundin e kemi prekur më të keqen të mundshme”.

“Për mendimin tim është ende prej legjislaturave që nuk do t’i dëshiroja kurrë Kosovës, në asnjë aspect. Besom që ka situatë që si pjesë e kësaj strukture më mirë kam qenë sa ishte lartë dhe i shikoja nga lart edhe objektiv edhe subjketiv. Sepse nuk e prekja. Them të drejtën në detaje, sepse nuk njihja mirë deputet dhe përcaktoja përceptime mbi deshira të mia. Të ju them të drejtën ka deficid intelektual edhe për fatin brenda Kuvendit. Se për qeveri s’kem çka flasim. Po kthehemi në lojëra të skrupullta. Vijnë në shprehje metoda tjera pabesie. Injoranca, analfabetizmi, dembelia, që është element themelor. Ka prej tyre që janë të padijshëm, të pabesë. Uroj që që të jem i saktë dhe mos të përsëritet më kjo situatë. Kjo le të jetë legjislatura e fundit e kësaj natyre. Nuk i duhet Kosovën, e as popullit ky përfaqësim. Duhet analizë me e pa a është ligji electoral problem, mentaliteti apo çka është. Mendoj që kjo pasqyrë e Kuvendit të Kosovës, nuk reflekton popullin e Kosovës, ose së paku nuk dua të besoj që kjo është pasqyra e Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

FOTO/ Driton Selmanaj, deputet i LDK-së

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Dhe, ky grumbull deputetësh, 12 shosh që shumica nuk përfaqësojnë votuesin e tyre, është i varur nga opozita. Edhe pse përceptimi është se kjo e fundit po e bojkoton. Në fakt, del që koalicioni qeveritar i PAN-it dhe një grumbull partisë të parëndësishme ka aq jo-stabilitet, sa Kuvendi nuk do të mbijetonte pa opozitarët.

“Është krijuar një perceptim gjatë vitit 2018, që opozita po e bojkoton punën. Opozita është bojkotu në Kuvend. Prej 57 ligjet që janë miratuar në vitin e kaluar, vetëm 11 ligje janë miratuar pa votën e subjekteve opozitare. Opozita ka qenë kyqe në punën e Kuvendit. I kanë ndihmuar ndihmuar agjenda legjislative i ka ndihmuar agjenda legjislative”.

Dhe po ashtu del që opozita kanë qenë më aktivët në këtëlegjislaturë. Sipas matjeve të fundit, deri në gjysmën e viti të kaluar grupi parlamentar më aktiv më pyetje është ai i Vetëvendosjes me  79 pyetje, pasuar nga LDK-ja me 64 pyetje, PDK  me 34 pyetje, PSD me 31 pyetje, AAK me 14, NISMA me 13 pyetje. Pastaj vijnë grupet minoritare me nga një ose dy pyetje në tërësi.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Grupi parlamentar që ka nisur më së shumti interpelanca në atë periudhë është ai i LDK-së me shtatë interpelanca, ku tre prej tyre janë iniciuar bashkë me grupin parlamentar të VV-së. Vetëvendosje po ashtu ka ka inicuar gjithashtu shtatë interpelanca duke përfshirë edhe tri që janë inciuar me LDK-në. PSD-ja e ndarë nga Vetëvendosja tashmë ka inciuar 1 interpelancë. 10 prej interpelancave të thirrura i janë drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, një interpleancë për ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe një interpelancë për ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili. Megjithatë, përkundër numrit të madh të interpelancave, nuk është arritur ndonjë efekt konkret.

Por, pse ky Kuvend nuk ka efekt? Korab Sejdiu, një avokat i suksesshëm që u bë deputet ka një përgjigje në intervistën për InDoks.

“Unë vij prej aspektit profesional, njëkohësisht është ende biznes ku ka një dinamikë të caktuar. Mirëpo, është edhe orientuar drejt rezultatit dinamik. Është në realizimin e rezultateve të caktuar dhe natyrisht në këtë spektrin publik, veçanërisht në Parlament”, ka thënë deputeti Sejdiu.

Shiku. UDBA. Trdhëtarë e heronjë. Esat Pasha e AvniRrustemi. BIA e Serbia. Dhe shumë debate totalisht të parëndësishme kanë qenë ato që e kanë marrë vëmendjen e kuvendarëve kosovarë në legjislaturën e fundit. Por, asnjë nismë serioze për të formuar komisione hetimore as për SHIK-un e as për pjesëtarët eventual të shërbimit sekret serb në Kosovë nuk janë marrë nga ta.

Dhe se si e trajtojnë institucionin e Kuvendit deputetët në përgjithësi tregon Artan Murati nga KDI-ja. Ai e ilustron edhe me shembuj që të bëjnë me dije se situata ndonjëherë rrëshqet në banalitet. Komedi e tragjedi bashkë, shpesh.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

 “Ndodh shpesh me pas ngjarje qesharake në Kuvend – qoftë mes seancave, por besoj edhe në ato seanca publike ka mundësi me i pa dhe pastaj me marrë fjalën ku shpesh’herë ndodhin fyerje të cilat e kanë degraduar seancat parlamentare. Kjo është qesharake dhe tragjike. Të tilla degradime ka pasur edhe në komisione, ku është dashur me pritë 30-40 minuta një deputet për ta bërë kuorumin. Ka pasur raste kur kanë ardhur deputetët duke thënë më falni për vonesën, por isha duke bërë tush dhe kam harruar se në sa ora ka qenë mbledhja e Kuvendit, apo mbledhja e Komisionit”, ka thënë Murati.

Edhe gazetari Kushtrim Sadiku din shumë situata qesharake të këtij Kuvendi. Por i duhet një copë herë të mendohet. Se janë shumë të tilla.

“Ka pasur shumë momente qesharake në Kuvendin e Kosovës – po tentohem që të kujtoj dhe duket që ka shumë dhe nuk po e di cilin ta zgjedh paraprakisht. Njëri nga to është kërcënimi i lehtë i Ganimete Musliut, ku ka tentuar ta hedh takën në drejtim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ka qenë një element shumë interesant. Po ashtu, ka pasur edhe momente të fjalimeve të deputetëve. Njëra ndër to është edhe fjalimi i deputetes së LDK-së, Valentina Bunjaku, ku e përmend fjalën dezinfektim në vend të fjalës dezinformim. Natyrisht, momente të tilla ka tek shumë deputetë. Po më kujtohen edhe rastet e Milaim Zekës. Po ashtu, as kryetari i Kuvendit, nuk ka qenë i vëmendshëm në raport me deputetët. Rasti ku i ishte drejtuar Albulena Haxhiut, dhe disa raste tjera. Mendoj që këto nuk janë momente të mira. Po ashtu edhe rasti i tij ndaj Fisnik Ismailit dhe me shumë deputetë tjerë. Pozita që e posedon kryetari i Kuvendit, nuk e lejon që të përdorë këtë lloj të komunikimit në momentin kur ai bëhet nervoz”, ka thënë gazetari Sadiku.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

E Korab Sjediu, deputet për herën e parë në këtë mandate thotë që nuk e ka lejuar veten që të lëshohet në debat me UDB e SHIK. Është I vetëdijshëm se me këtë nuk e ka marrë as mbulimin medial, dhe për një pjesë të degradimit të Kuvendit I fajëson edhe mediat.

Po me të tregu të drejtën, nëse isha lëshu në nivel të atyre diskriminimeve ku po i shohim se pikërisht ata po kanë mbulesë të mjaftueshme mediale, do të ishte jo e natyrshme për mu. Kështu që unë nuk mundem me dalë jashtë lëkurës time. Unë tentoj që të fokusohem në të gjitha fjalimet tek temat shumë më përmbajtësore dhe natyrisht më profesionale. Fatkeqësisht ndoshta dembelia ka kontribuar në degradimin e fjalorit dhe po i detyron disa deputetë me dalë në elemente të tyre, vetëm sa të kenë pak mbulesë – se mbulesa po bëhet për këto cështje të cilat i përmenda – jo ti ShIK, jo ti ashtu, jo ti kështu. Ndërsa, personat që fokusohen në cështje më përmbajtësore që në të vërtetë ndikojnë në jetën e qytetarëve. Përvec që është dikush duke e shikuar drejtpërdrejt, personat që në fakt të cilët e përcjellin punën time. Nëse është kismet me garu prapë, shpresoj që do e vlerësojnë punën time, se sa deklarimet pompoze që mund të bëhen lidhur me cështje të pabazuara dhe fyese ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë deputeti Korab Sejdiu.

FOTO/ Korab Sejdiu, deputeti i pavarur/ pjesë e Grupit Parlamentar LDK

Driton Selmanaj nuk e kishte të lehtë përballjen me Kryeparlamentarin Kadri Veseli. I fundit është ish-Shefi i SHIK-ut, një organizatë kontroverse spiunazhi e afërt fortë me PDK-në. Por, ai po mbahet. Edhe pse i duket banal ky debat.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

“Në fakt cështja e ShIK-ut dhe patriotë e tradhtarë kanë qenë diskurs koxha i njohur në disa legjislatura radhazi. Kjo është për të ardhur keq. I dimë krejt se sa secili vlenë në këtë shoqëri dhe kush cka ka bërë. Tendenca për t’i kthyer këto tema, janë të parëndësishme. Ka eskaluar gjuha banale. Nuk përdoren më vetëm fjalën ShIK, tradhtarë e patriotë, por ka degraduar fjalori në një gjuhë të papranueshme. Nuk guxojmë që ne në Kuvend të flasin gjëra që në shtëpi mos të guxohet të shikohet. Me e kqyrë +18, kjo është tmerr. Ti e sheh që disa deputetë nuk pritojnë me e quajt dikënd kriminel. Shpifin dhe merren me familjarë. Unë me njërin prej tyre kupolave të krimit, që është Kadri Veseli, asnjëherë nuk përfundon deri në fund. Sikur ta thoshte diku tjetër do të mirrje me të. Do të mund ta padisim për shpifje, mirëpo ai flet në Kuvend, se ka një dreq imuniteti brenda Kuvendit. Sepse në foltore ckado që flet ka një imunitet dhe për këtë arsye ka degraduar gjithçka. Vijmë deri tek fyerjet banale – etiketime të cilat unë mendoj që nuk do të duhej të kishte në Kuvend.

Ai, fajin për këtë degradim ia vesh edhe Kadri Veselit. Edhe thotë që qysh është duke shkuar puna, mund të shohim episode të dhunës fizikë në Kuvend.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

“Unë mendoj që është denim minimal në Kuvend, që ta degradojnë fjalorin të përjashtohen nga seancat. Në fakt, për mungesa është problem por për gjuhën është e sanksionuar. Nuk është e nevojshme që të ridefinohen brenda rregullores. Kushdo që e përdorë gjuhë që është joparlamentare vendos kryesuesi i seancës që të përjashtohet për një seancë të paktën – pra të përjashtohet atë ditë. Kërkohet kërkim falje. Nëse nuk del thirr sigurimin. Mirëpo, këtu nuk po ndodh që ndaj tij duhet të merren masa. Ky shkak mendoj që ka qenë shtytësi kryesor për këtë gjuhë. Kemi disa herë fjalor denigrues ndaj cenimit të deputeteve gra. Ironia dhe cinizmi janë virtyte të njerëzve të mençur.  Prandaj, unë po them që rregullorja është e qartë dhe kushdo që përdorë gjuhë fyese përjashtohet. Problemi nuk është vetëm te gjuha, mirëpo kur ka eskalime të skajshme aty mund të pritet edhe dhuna fizike”, ka thënë Driton Selmanaj.

Edhe pse jo ende brenda në sallë, deputetë kosovarë kanë ditur që të japin pak spektakël më përleshje. Por edhe brenda në sallën e Kuvendit janë provokuar situata që mund të përfundonin në dhunë fizike. Si kjo ‘byrytje’ e Xhavit Halitit me bërryla.

Dhe, këta deputetët dembelë. Të pa edukatë. Banal në fjalorë. E jo rrallë herë edhe të dhunshëm janë kryesisht klasa e pasur e shoqërisë në Kosovë. Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu!” për këtë dokumentar flet për këtë pjesë fortë të rëndësishme.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Sa i përket vetëm pjesës së deputetëve, është pjesa më e madhe e legjislaturës që arrijnë miliona euro pasuri dhe në anën tjetër, të vetmet të hyra që i deklarojnë janë paga dhe mëditjet që i marrin në Kuvend. Me ato paga dhe meditje nuk mund të arrihet pasuri e tillë milionëshe. Për këtë shkak, automatikisht krijohet përshtypja që mund të ketë pasuri të paligjshme. Të krijohet përshtypja se nga vjen ajo pasuri që e posedon edhe që e kanë krijuar. Normalisht që një pjesë e deputetëve kanë pasuri të ndryshme nga ajo që e kanë deklaruar. Një pjesë tjetër fare nuk kanë deklaruar biznese, por pasuria është marramendëse milionëshe, kurse të hyrat e tyre janë mesatarisht rreth 30 mijë euro në vit”.

“Tash nëse flasim me emra të përvecëm, ka qenë Behgjet Pacolli, i cili tash është pjesë e ekzekutivit dhe jo më i legjislativit. Pacolli ka qenë deputeti më i pasur në të gjitha legjislaturat që i ka pasur Kuvendi i Kosovës. Dihet që pasuria e tij ka ardhur si pasojë e bizneseve të tij. Pra, pasuria e tij, rrjedh nga bizneset e jo nga pagat. Nga institucionet tashmë kemi deputetë të tjerë, të cilët janë në milionerë. Për shembull, deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj – pasuria e të cilit buron nga bizneset dhe jo nga Kuvendi. Mirëpo, ka edhe deputetë të tjerë si Xhavit Haliti, që ka një pasuri rreth një milion euro, ndërsa në anën tjetër nuk ka asnjë aktivitet biznesor, që nënkupton se nga kanë ardhur gjithë ajo pasuri. Po ashtu, ka edhe deputetë tjerë që e ka vlerën e milionëshit dhe përmbi milionëshit dhe nuk korrespondon me pagën që e marrin në Kuvend”, ka thënë Demhasaj.

Këta deputetët milionerë të Kosovës mund ta kenë fituar pasurinë e tyre edhe në mënyrë të paligjshme. Edhe në mënyrë të ligjshme, po ashtu. Por, ata përdorin një hile që ta kamuflojnë prejardhjen e saj.

“Shumica e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë publik, në përgjithësi kur e deklarojnë pasurinë si burim apo si vit përfitimi të pasurisë, e kanë lanë. Në vitin 2000, menjëherë vitin pasluftës, pjesa më e madhe e tyre e kanë përcaktuar si atë kohë që e kanë pasurinë dhe është problem me u kthy prapa në atë kohë. Ka qenë rasti me presidenten Jahjaga, e cila një vit deklaron që ka 17 mijë euro para të gatshme në bankë, në vitin pasues ajo deklaroi se i ka rreth 74 mijë euro para të gatshme. Ky rast tregon se si brenda një viti 60 mijë euro të kursehen. Gjithashtu, për këto para ajo nuk ka dhënë një arsyetim se nga kanë buruar, pasi që dihet që gjithë kjo shumë për një vit nuk ka mundur të arrihet nga kursimet. Ka zyrtarë të tjerë që nga viti në vit kanë deklarime të ndryshme të pasurisë. Kur një deputet deklaron se ka një pasuri prej 30 mijë eurove në vitin e caktuar, kurse në vitin tjetër nuk ka ato para të gatshme nuk arsyeton se nga janë shpenzuar ato para”, ka thënë Arton Demhasaj.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Ai tregon se lëvizjet në pasurinë e politikanëve, deputetët e ish-deputetët janë shqetësues. Dhe përmend disa emra.

“Po, ka qenë një fenomen i tille edhe te deputetët. Ka qenë Lutfi Haziri, që tash është kryetar i Komunës. E ka pasur një lëvizje të tillë, që po e hapim dhe po e shohim më pas se si ka qenë pasuria. Pasi që folëm për Xhavit Halitin, te deklarimi i pasurisë së tij, tregon se ka pasuri të paluajtshme në një vlerë prej 1 milion e 220 mijë euro, kurse pasuri të luajtshme 32 mijë euro. Këtu e shohim një dallim në paratë e gatshme nga 2010 deri në 2016, është dikund 60 mijë euro, që ka deklaruar ai. Nëse e llogarisim komplet të hyrat që i ka realizuar për një periudhë të caktuar, vlera është 163 mijë euro, pra prej vitit 2010-2016. Kurse, të hyrat nga Kuvendi, kanë qenë me vlerë rreth 63 mijë eurove dhe pasuria e paluajtshme tani e tij është 1 milion e 230 mijë euro dhe kjo nuk korrespondon në të hyrat që i ka”, ka thënë Demhasaj.

“Po e shohim edhe Adem Grabovcin, pasuria e tij a paluajtshme është 1 milion e 500 mijë euro. Dallimi mes parave të gatshme që janë deklaruar se janë në banke ka qenë 11 mijë euro. Dallimi ndër vite dhe të hyrat e këtij zyrtari nga viti 2010-2016, janë 49 mijë euro për shtatë vite, sa ka punuar si deputet i Kosovës, po ashtu, janë 149 mijë euro. Kurse, pasuria e paluajtshme kap vlerën deri në një milion e 500 mijë euro. Këto nuk e kanë një shpjegim”, ka shtuar Demhasaj.

Isa Mustafa ka deklaruar një pasuri prej 646 mijë euro. Diferenca e tij të parave të gatshme gjatë periudhës së njëjtë, pra 2010-2016, ka qenë rreth 25 mijë euro. Kurse, të hyrat gjatë kësaj periudhe të tij kanë qenë 233 mijë euro. Edhe këtu është një diferencë gjithmonë rreth 70 apo 80 përqind mes të hyrave që i ka realizuar për shtatë vite si zyrtar i lartë dhe pasurinë zyrtare që e posedon”, ka thënë Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”.

FOTO/ Arton Demhasaj, Organizata Çohu

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Dhe, pavarësisht pasurisë së tyre, deputetët, nuk turpërohen për të mashtruar për mëditjet. Disa vetëm nënshkruhen dhe ikin nga seanca. Ata madje nuk e kanë problem që edhe të shpenzojnë paranë publike e të mos jenë transparentë.

Kështu, deri kah fundi i viti gjatë 2018 Kuvendi ka publikuar vetëm raporti për gjashtë mujorin të shpenzimeve të atij viti. Në bazë të atij raporti del se deputetët kanë realizuar gjithsej 210 udhëtime jashtë vendit, udhëtime këto që buxhetit të shteti i kanë kushtuar mbi 170 mijë euro. Vetëm për periudhën prill – qershor 2018, shpenzimet e deputetëve në udhëtime jashtë vendit janë rritur për 86% në krahasim me tremujorin e parë të vitit.

Në bazë të raportit financiar, vërehet se 78 nga 120 deputetët e Kuvendit kanë realizuar udhëtime jashtë vendit. Megjithatë, raportet financiare nuk ofrojnë informacione lidhur me qëllimin e vizitave.

E pavarësisht këtij luksi, deputetët vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm.

“Jo, kjo është automatizëm në momentin që nënshkruan të paktën publikisht. Ne nuk jemi në dijeni në qoftëse ka dalë apo ka refuzuar ndonjë pagesë apo meditje prej Kuvendit. E njëjta vlen edhe për pjesëmarrjen në Komisione Parlamentare se edhe aty ka deputetë që përvec pagës bazë, paguhet edhe për pjesëmarrje në Komisione paguhet me nënshkrim. Deputetët në Komisione kanë performancën më të mirë edhe më të rregullt. Edhe aty ndodh që të ketë probleme të ndryshme edhe vonesat për nisjen e mbledhjeve të komisioneve. Këto janë ndër problemet koxha të mëdha. Deputetët nuk vijnë në kohë. Përshembull, është i ftuar një ministër në raportim – ministri me këshilltarët e tij vjen më herët dhe duhet t’i presin deputetët derisa të vijnë, në mënyrë që të fillohet raportimi. Kështu që këto janë disa prej këtyre problemeve”, ka thënë Artan Murati.

FOTO/ Artan Murati/ Monitorues, KDI

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Por, ky deputet i ri, në fillimet e tij edhe pse qëndronte në seancë nuk merrte mëditje. Ka një arsye interesante për këtë.

“Në fakt, më ka ndodh e kundërta. Nuk e kam pasur të qartë se duhesh me nënshkru kur të hysg. Një muaj kanë kaluar pa u nënshkruar. Kam qëndruar në seancë, nuk jam regjistruar me nënshkrim. Por, kjo ka ndodhur në fillim të mandatit. Unë për vete, mundohem të qëndrojë në seanca që shkoj. Natyrisht që, ka ndonjë rast të jashtzakonshëm që me dalë 30 minuta apo një orë. Shpesh na caktojmë edhe takime të Komisionit, gjatë kohës kur je në seancë apo është një cështje urgjente me e trajtuar një ligj ckadoqoftë. Po e them pjesën dërmuese të kohës kur nënshkruajmë, jam aty numerikisht nuk i saktë sa janë. Po të garantoj që mbi 90 seanca, më duket është një portal që llogarit, por besoj që 90 përqind deputetët janë më të zellshëm sa i përket pjesëmarrjes”, ka thënë Sejdiu.

Dhe pikërisht ky profil I deputetëve, të përgjegjshëm e të padjallëzuar për të kapur mëditje rrezikojnë që të mos rizgjidhen. Kështu thotë dikush që ka qenë në dy anët e Kuvendit, edhe si monitorues e edhe si deputet tash.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

“Në fakt, në të kaluerën shumica e deputetëve kanë qenë shumë aktivë nuk janë zgjedhur më. Unë vetë e kam monitoruar dhe e kam parë. Po iu them sinqerisht, unë nuk e kam menduar asnjëherë, por kudo që shkoj provoj me tërë kapacitetin tem që bart, momentin kur kam dalë zgjedhjeve unë jam befasuar për gjitha ato vota të cilat i kam marrë. Aq sa më ka bërë me u ndi mirë. Më kanë bërë përgjegjës që ta kryej punën mirë. Ta kryej punën me nder dhe përgjegjësi. Do të punoj maksimalisht. Ky jam, nuk jam tjetër. Mendoj që nuk ka instrument më të rëndësishëm se sa me u marrë me popullin dhe populli është barometri që vendos se kush do të jetë më i privilegjuari”.

“Nuk e kam problem se ku do që të jem. Nuk e kam problem që të vazhdoj me intensitet të tillë të punës. Më kanë pranuar njerëzit me qenë këtu. Kam punuar në strukturat e LDK-së dhe ja që dolëm mirë me vota. Njerëzit na kanë besuar për angazhimin tonë, pavarësisht që e kemi të vështirë, absolutisht shumë të vështirë, ku një skandal nuk qëndron as 24 orë, për shkak se del skandali tjetër dhe thua se ku po jetoj. Po them që ne kemi një qeveri aq të papërgjegjshme aq me kulturë denigruese, aq me kulturë abuzuese të parasë publike, cka ti nuk din me cka me u marrë më parë. Dhe pastaj t’i qësin temat tjera, jo kufiri, jo FSK, jo taksa. Ti e sheh se këto i bëjnë vetëm për shpërqendrim të vëmendjes. Kultura abuzuese dhe shkatërruese, që ka vendos ky koalicion qeverisës dhe Kosova është po them në situatë tejet të rëndë, nga ata të cilët deri dje kanë marrë vota me flamurin e clirimtarëve. Unë mendoj që Kosova sot rrezikohet nga këtaq persona, sepse nuk jam i sigurtë se a janë clirimtarë”, ka thënë Driton Selmanaj.

Kuvendi i Kosovës është i mbushur me një grumbull njerëzish që mbajnë mbi supe epitetin e deputetit. Ajo çka ata flasin në seancë shpesh është për “ndërrimin e natës”, apo +18.

Akuzat nisin prej hajnisë e përfundojnë te tradhtia kombëtare me ShIK e UDB. Edhe për vrasje flitet pa trohë përgjegjësie.

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

Mungesat janëveç një aspekt i vogël i koloritit tëtë këqijave që ka Kuvendi i Republikës. Statistikat tregojnë që gati secili deputetët ka munguar në 15 seanca. Por, mëditjeve nuk ua falin dakikun- nënshkruhen për ti marrë edhe ikin nga salla. Asnjë fije skuqje nuk e sheh publiku nëfytyrat e tyre.

Një pjesë e mirë e tyre janë milionerë dhe atë një pjesë e tyre në mënyrë shumë të dyshimtë- me pasuri që thonë që i krijuan nëvitin 2000, e edhe më herët, kur shanset për të përfituar nga fondet e luftës ishin masive. Nga Fondi “Vendlindja thërret” i LPK-së dhe “ Fondi 3%” i LDK-së.

Publiku deri tash ka parë akuza, sharje, gaz lotsjellës, nxjerrje tëdeputetëve me sigurim. Dolli me raki në mes të seancës. Nuk ka parë ende grushtime. Por, ky serial komik i sëenjtes i quajtur Kuvendi i Kosovës mund të befasoi nga episodi në episod. Aktorët deputetët të tij janë edhe më kreativ në zbavitje se aktorët profesionistë të serialeve në Netflix./Insajderi.com

VIDEO/ Dokumentarin e plotë mund ta shikoni duke klikuar këtu

InDoks | Parlamenti +18

InDoks | Parlamenti +18Kuvendi i Kosovës është i mbushur me një grumbull njerëzish që mbajnë mbi supe epitetin e deputetit. Ajo çka ata flasin në seancë shpesh është për “ndërrimin e natës”, apo +18. Akuzat nisin prej hajnisë e përfundojnë te tradhtia kombëtare me ShIK e UDB. Edhe për vrasje flitet pa trohë përgjegjësie.Një pjesë e mirë e tyre janë milionerë dhe atë një pjesë e tyre në mënyrë shumë të dyshimtë- me pasuri që thonë që i krijuan në vitin 2000, e edhe më herët, kur shanset për të përfituar nga fondet e luftës ishin masive. Nga Fondi “Vendlindja thërret” i LPK-së dhe “ Fondi 3%” i LDK-së.Por kur kësaj përbërje të Kuvendit po i luhatet mandati nga seanca në seancë, si e vlerësojnë atë njerëzit që e monitorojnë në vazhdimësi? Si e shohin ata që ua këqyrin pasurinë zyrtarëve më të paguar të pushtetit? Si e shohin këtë legjislaturë edhe deputetët më aktiv të saj? Edhe ata që dikur ishin monitorues të Kuvendit e sot janë deputetët?

Posted by Insajderi on Sunday, 24 February 2019