Intervista e katër artisteve kosovare për “Danas” në Serbi: Vuçiqi si njeri i Millosheviqit nuk mund të arrijë paqe me shqiptarët

Në Kosovë gjenocidi është kryer para 20 vjetëve. Edhe më tutje edhe 1.652 njerëz llogariten si të zhdukur, ndërsa përdhunimi është përdorur si armë lufte.

Intervista e katër artisteve kosovare për “Danas” në Serbi: Vuçiqi si njeri i Millosheviqit nuk mund të arrijë paqe me shqiptarët

Me okupimin e Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta, ka ardhur deri te përpjekja që të shkatërrohet një gjeneratë e tërë, ndërsa njerëzit në Kosovë edhe më tutje po i vuajnë pasojat, theksojnë dy qifte të motrave, Vesa dhe Hana dhe Lola dhe Alketa, të cilat e krijojnë organizatën Haveit.

Janë mbledhur në vitin 2011 për të kryer një numër të shfaqjeve shoqërore, kanë qenë autore të video instilacioneve dhe fushatave të bilbordeve. Vitin e kaluar e kanë fituar shpërblimin për demokraci (KCSF).

Ato për art i inspiron jeta e përditshme, kanë miq serb dhe angazhohen për luftë kundër diskriminimit dhe strukturës juridike represive e cila ndikon nëpërmes të normave patriarkale. Zgjidhjen e konflikteve e shohin në ardhjen e gjeneratës progresive.

Ato katra në kuadër të projektit Ana Tjetër e Kosovës kanë dhënë intervistë për gazetën serbe “Danas” në të cilën janë përgjigjur edhe në pyetjet e Sonja Biserkos, kryetares së Këshilllit të Helsinkit për drejtat e njeriut në Serbi, por edhe në pyetje nga rrjetet sociale.

Projekti “Ana Tjetër e Kosovës” ka për qëllim të ofrojë informata për opinionin kosovar dhe serb të cilat nuk i kanë plasuar elitat politike, nga asnjëra anë, por qytetarët e pavarur, dhe ka për qëllim lidhjen e skenës kulturore kosovare dhe serbe e cila nuk është përfaqësuar mjaftueshëm nëpër medie.

Pyetjet e shtruara nga gazeta “Danas”:

Çfarë do të duhej, sipas mendimit juaj, të jetë prioritet në mënyrë që marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës të normalizohen?

“Nuk mund të ketë kurrfarë normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë pa shqyrtimin sistematik të asaj se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Së pari Serbia duhet të kërkojë falje, por edhe të zbatojë edhe politikat tjera të cilat do t’i bënin me dije njerëzve në Kosovë se Serbia është e gatshme ta merr përgjegjësinë institucionale dhe kolektive. Gjenocidi është kryer para 20 vjetëve në Kosovë. Edhe më tutje 1.652 njerëz llogariten si të zhdukur, ndërsa përdhunimi është përdorur si armë luftarake. Me okupimin e Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta, ka ardhur deri te përpjekja që të shkatërrohet një gjeneratë e tërë, ndërsa njerëzit në Kosovë edhe më tutje po i vuajnë pasojat. Kjo duhet të merret parasysh. Për të ardhur deri te mirëkuptimi i përgjithshëm duhet të kryhet shumë punë. Vetëm me pranimin dhe qëllimin e qartë që të vazhdohet më tutje mund të vendosen marrëdhëniet normale bilaterale”.

Si e vlerësoni procesin e normalizimit i të cilin momentalisht po e zhvillojnë autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit?  

“Konsiderojmë se definitivisht duhet bërë edhe shumë në procesin e normalizimit. Si i pari dhe më  rëndësishmi duhet të jetë pranimi i realitetit momental i shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Kjo to t’i përforconte komunitetet shqiptare dhe serbe të shkojnë përpara dhe të kthehen kah çështjet e përbashkëta me të cilat po përballen. Megjithatë, na duket se në këtë moment ky proces po zhvillohet përtej institucioneve, dhe nevojat e njerëzve nuk janë përfaqësuar në mënyrë të drejtë”.

A është e mundur që procesi i normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë t’i përfundojnë elitat politike të cilat ishin aktive gjatë konfliktit të viteve të nëntëdhjeta?

Përgjigjja në këtë pyetje nuk mund të zbatohet në mënyrë të njëjtë për Kosovën dhe Serbinë. Elitat politike gjatë viteve të nëntëdhjeta në Kosovë janë përpjekur të luftojnë për liri. Duhet të ekzistojë dallimi i qartë në mes të shtypurve dhe shtypësve kur bëhen këto pyetje, nëse kërkohet përgjigje e qartë. Lufta nuk është kryer në mes të dy kundërshtarëve të barabartë. Serbia e ka shfrytëzuar gjithë aparaturën në Jugosllavi për sulm, derisa njerëzit në Kosovë kanë luftuar kundër okupimit. Dhe si të tillë ata meritojnë përgjigje të ndryshme.

Gjithashtu konsiderojmë se është e nevojshme të përmenden emrat. Nëse kjo pyetje ka të bëjë me dialogun të cilin po e zhvillojnë përfaqësuesit e dy vendeve, atëherë duhet përmendur se gjatë viteve të nëntëdhjeta presidenti Hashim Thaçi ka qenë luftëtar i lirisë, derisa Aleksandar Vuçiq ka punuar nën Millosheviqin. Pra, elitat politike të Serbisë gjatë viteve të nëntëdhjeta, të cilat edhe sot po e mbajnë fuqinë, janë përgjegjëse për shkatërrim të vet mënyrës së jetesës në Kosovë. Ata nuk kanë legjitimitet të mjaftueshëm ta zbatojnë këtë proces.

Ka nevojë për gjenerata të reja progresive. Në këtë rast, elitat politike në Kosovë megjithatë vuajnë edhe nga çështjet tjera të cilat nuk janë të përfaqësuara mjaftueshëm në këtë proces. Por nëse përgjigjemi në pyetjen tuaj: nuk shohim rolin e tyre gjatë viteve të nëntëdhjeta si problem të arritjes së cilësdo forme të normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Cilat janë përmbajtjet e performancave të juaja?

“Ne reagojmë në mënyrë artistike ndaj problemeve të shoqërisë sonë. Kemi bërë një numër të madh të performancave për tema të ndryshme, ashtu që shfaqjet tona janë në lidhje me çështjet në Kosovës siç janë: dhuna në familje, personat e përdhunuara gjatë luftës, homofobia etj”.

Me cilat çështje kritike merrni dhe për çfarë angazhoheni?

“Merremi me kritikë të dhunës në familje, diskriminim, të drejtat e grave, të drejtat e LBGTQI, identiteti gjinor, janë vetëm disa nga temat me të cilat merremi.

Sjellim në pikëpyetje format e ndryshme fluide të shtypjes si dhe strukturat represive të drejtësisë të cilat veprojnë nëpërmes të normave patriarkale. Duhet përmendur se në Kosovë ekziston një jetë e gjallë kulturore e cila merret me çështjet kritike dhe ku njerëzit mund të mblidhen në vende siç janë Hapësira Motrat, Stacioni – Qendra për art bashkëkohor Prishtinë, Kino Armata, Termokiss”.

U shënua Dita e Grave, si është statusi i të drejtave të grave në Kosovë?

“Gjërat ngadalë po ndryshojnë, dhe mirë është që po ndryshojnë. Çdo vit jemi më të forta dhe gjithnjë e më shpesh po e ngrehim zërin dhe shpresojmë se do të arrijmë deri në cak. Javën e kaluar vrasësi i bashkëshortes (Valbona Ndrecaj) dhe vajzës së tyre ka marrë dënim me burgim të përjetshëm. Mendojmë se jeta e grave po fillon të merret seriozisht”.

Pyetjet e Sonja Biserkos, kryetare e Këshillit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi:

Si po reagon shoqëria në aktivitetet tuaja?

“Kjo varet prej përmbajtjes së temës me të cilën merremi. Ato të cilat kanë lidhje me problemet sociale siç janë mungesa e ujit apo dhuna në familje e përkrahë shumica e njerëzve, mirëpo kur i bëjmë shfaqjet mbi problemet e LGBTQI, marrim shumë komente negative. Për shkak të performancës së puthjes të cilën e kemi bërë për Ditën e të Dashuruarve kemi marrë më shumë se njëqind kërcënime prej njerëzve të ndryshëm, të cilët i ka irrituar kjo fotografi”.

A i përkrahë shteti aktivitet tuaja?

“Jo, nuk i përkrahë. Në të vërtetë, kurrë nuk kemi aplikuar për çfarëdo lloji të përkrahjes, ndoshta edhe do të gjenim përkrahje”.

A janë të kyçura edhe gratë nga komuniteti serb në programet tuaja?

“Haveit përbëhet nga dy qifte të motrave të cilat i përbëjnë Vesa dhe Hana, Lola dhe Alketa. Funksionojmë si një kolektiv artistik dhe nuk kemi ndonjë program apo orar. Kolektivi si i tillë është një grup i mbyllur. Mirëpo, praktika jonë është e hapur për bashkëpunim me institucione kulturore dhe artistike, me organizata joqeveritare dhe me artistë tjerë. Këtë shpesh edhe e bëjmë. Nuk do të kishte arsye të mos bashkëpunojmë me komunitetin serb dhe kemi punuar së bashku në të kaluarën. Mirëpo kurrë nuk kemi shfaqur performancë të përbashkët”.

Pyetje nga rrjetet sociale:

Kush po e krijon luftën artificiale në mes të serbëve dhe shqiptarëve dhe pse?

“Besojmë se njerëzit në esencë nuk e urrejnë njëri tjetrin, as që janë në luftë me njeri tjetrin, në të vërtetë shpesh kemi qenë dëshmitarë dhe pjesë e programeve në të cilat bashkëpunimi me serbët ka qenë i shkëlqyer. Mirëpo, duhet vërejtur se gjendja momentale nuk është aq e mirë. Për shembull, shteti serb gjatë gjithë kohës punon në krijimin e problemeve për shtetin e Kosovës. Kjo nuk është vetëm politikë në një nivel më të lartë, ajo ndikon në jetën tonë të përditshme. Kur jemi dëshmitarë të këtyre përpjekjeve, siç janë investimet e mëdha në marrëdhëniet e jashtme për të penguar njohjen e Kosovës, investime të cilat përndryshe mund të shfrytëzoheshin për arsim, kulturë, shkolla dhe përgjithësi në jetë më të mirë, na kujtohet e kaluara e jonë e tmerrshme, dhe shtrohet pyetja se a janë gjërat vërtetë ndryshe”.

A keni miq në Serbi?

“Po. Kur kemi qenë fëmijë kemi luajtur së bashku në fqinjësi. Kemi miq të cilët jetojnë në Beograd, Banjallukë et”j.

Çfarë ju inspiron ta krijoni artin tuaj?

“Jeta jonë e përditshme. Ajo çfarë bëjmë është art nga nevoja”./Insajderi.com.