Libri i radhës erotik i autores së “50 Shades of Grey” flet për një vajzë shqiptare

Libri i radhës erotik i autores së “50 Shades of Grey” flet për një vajzë shqiptare

Romani i fundit erotik nga autorja e famshme e “50 Shades of Grey”, EL James ka shkaktuar një valë kritikash për mënyrën sesi e portretizon vendin tonë dhe shqiptarët.

Libri “The Mister” përshkruan historinë e një pastrueseje të varfër shqiptare që ra viktimë e gangsterëve dhe trafikimit seksual, dhe përjeton një romancë me një aristokrat anglez, madje mrekullohet nga smartfonët dhe karta që ai përdor për të tërhequr para.

Vajza shqiptare me origjinë nga Kukësi, Alesia Demaçi, përshkruhet si një injorante, ndërsa shqiptarët e tjerë në këtë roman përshkruhen te gjithë si kriminelë të rrezikshëm dhe trafikantë femrash.

Alesia përballet me presionin e babait për t’u martuar me të fejuarin e saj në fshatin e lindjes në Kukës, i cili do që ajo të jetë një grua tradicionale shqiptare.

Qirjako Qirko, ambasadori shqiptar në Londër, tha se libri i portretizon bashkatdhetarët e tij si kriminelë primitivë dhe krijon perceptime negative.

Ambasadori shqiptar thotë për “Daily Mail” se kjo është e papranueshme dhe shumë larg realitetit të Shqipërisë, që është një vend mëse i sigurt për të huajt e për vendasit.

“Me vjen keq që ky roman me këto informacione krijon një perceptim kaq negativ për vendin tim, shqiptaret janë populli më i mirë që ju mund të takoni në jetën tuaj. Në Angli jetojnë 120 mijë shqiptarë por vetëm disa individë janë kriminele”, është shprehur ambasadori.