Shkolla Pranverore e Feminizmit – Shkolla që po bënë të mundur atë që politika po e ndalon

Shkolla Pranverore e Feminizmit – Shkolla që po bënë të mundur atë që politika po e ndalon

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis nga Kosova dhe Qendra Alternative e Vajzave nga Serbia për të katërtin vit me radhë organizojnë Shkollën Pranverore të Feminizmit.

Si edicionet e kaluara edhe kësaj radhe Artpolis, mblodhi gjithsej 20 gra të reja që të jenë pjesë e kësaj shkolle, ku pjesa e parë e saj për këtë edicion u mbajt në Zlatibor. Duke ndarë përvojat e ndryshme mes tyre, 10 gratë nga Kosova dhe 10 gratë nga Serbia, patën rastin të njihen edhe më shumë mes vete dhe të dinë për gjërat që ndoshta për herë të parë i kanë dëgjuar për Kosovën dhe Serbinë. Një eksperiencë e jashtëzakonshme njëjtë sikurse tjerat ishte edhe kjo, ku ide kryesore e gjithë këtij projekti është edhe dialogu për paqe dhe shkëmbimi i përvojave të reja nga vajzat nga Kosova dhe Serbia.

Si një ngjarje me rëndësi të veçantë, kjo i jep hapësirë si kurrë më parë njohjes mes grave kosovare dhe serbe, ku çuditërisht, në aktivitete dhe jashtë tyre, harroje se ekziston ende një konflikt politik mes këtyre dy shtete.

Këtë vit pjesa e parë e Shkollës Pranverore Feministe që u mbajt në  Zlatibor nga 8 deri më 11 prill, u mundësoi këtyre grave, të njoftohen me njëra-tjetrën, të ndjekin ligjërata nga feministet e njohura në Serbi, kanë pasur mundësi të mësojnë më shumë për Gratë e Zeza që janë në Beograd, kanë mësuar  më shumë në lidhje me bashkëpunimin e feministeve nga Kosova dhe Serbia, kanë pasur workshope që kanë mësuar për trupin e tyre e vetën e tyre, kanë mbajtur orë të Joga-s dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja që këtu nuk përfundojnë marrëdhëniet e këtyre grave, ato vazhdojnë tutje në forma të ndryshme, e po ashtu edhe në rrjete sociale.

Gjatë këtyre ditëve ligjërueset që ndanë përvojat e tyre dhe e bënë mjaftë atraktive këtë shkollë ishin: Vesna Bujošević, Marijana Stojčić, Sanja Petrović Todosijević and Marijana Toma.

Por, jo vetëm kaq. Gratë në këtë shkollë guxojnë të flasin për të kaluarën, siq është lufta në Kosovë. Ka aq shumë raste, ku gratë serbe nuk kanë fare njohuri se çfarë ka ndodhur në Kosovë, e gjithashtu ka raste ku gratë kosovare nuk e dinë që gjatë luftës gratë serbe kanë përkrahur shumë gratë nga Kosova. Përvojat janë të ndryshme, por ajo që është më e rëndësishmja, në edicionet e kaluara të kësaj shkolle nuk ka munguar kërkim-falja nga gratë serbe për ato të Kosovës. Megjithatë, bashkëpunimi dhe vlerësimi që i bëjnë njëra tjetrës është për tu duartrokitu.

Ajo që vlen shumë të përmendët është se këto gra, tashmë janë të gatshme të bashkëpunojnë, gjë që këtu na kujtohet edhe realizmi i një dokumentari nga vet ato në edicionet e kaluara e po ashtu ato kanë bërë edhe një broshurë për gjithë eksperiencën që kanë pasur në edicionet e kaluara.

Pas gjithë kësaj përvoje e cila do të mbetet gjatë në kujtesë, gratë u shprehën të impresionuara që ndanë pikëpamjet e tyre me njëra tjetrën.

Pjesëmarrësja Milica Martinovic, u shpreh shumë e lumtur që ishte pjesë e kësaj shkolle. Ajo tha se u shoqërua menjëherë me gratë që ishin pjesë e Shkollës Pranverore të Feminizmit, ndërsa diskutimi dhe ndarja e përvojave ishte pjesa më e mirë.

Kjo ishte hera e parë që Milica, merrte pjesë në këtë shkollë.

“Gjithçka ishte e mrekullueshme. Kam ndjekur seminare të ngjashme me gra nga rajoni, mirëpo kjo ishte shumë më ndryshe sepse ishin vetëm ne, gratë nga Serbia dhe Kosova, e kjo e bënte më të veçantë këtë për shkak të komunikimit dhe gjërave të tjera. Kjo ishte gjithashtu një sfidë por e vlerësoj shumë që u shoqërova menjëherë me gratë me të cilat po takohesha për herë të parë, e krejt kjo, sepse në fund ne të gjitha ndanim problemet dhe sfidat e njëjta”, tha Milica Martinovic, e cila përfundoi duke thënë se ishte shumë e kënaqur që ndau pikëpamjen e saj me gratë nga Kosova.

Ndërsa pjesëmarrësja Shahe Selmani, tha se duhet të trajtohet më shumë dhe më gjerë tema e feminizmit. Ajo nuk la pa përmendur që ka qenë shumë e kënaqur me këtë pjesëmarrje në këtë shkollë dhe se si përvojë e parë për të ishte diçka e jashtëzakonshme.

“Jam kënaqur që kam njohur njerëz të rinj, dhe që kemi pas mundësi të diskutojmë për tema të rëndësishme për të dy vendet, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Përshtypje më së shumti më la krijimi i një hapësire të sigurt brenda hotelit dhe pritja e tyre, sepse është një vend që gati çdo qytetar i Kosovës nuk ndjehet i sigurt”, u shpreh Selmani.

Për Shahe Selmanin, gjëja më e rëndësishme ishte dokumentari i shfaqur.

“Po ashtu dokumentari i parë ku flitej që gjatë kohës së luftës në Kosovë shumë qytetar në Serbi kanë mbajtur protesta kundër luftës, gjë që nuk kam qenë e informuar. Dua ta ceki edhe mësimin e Yoga-s se si me anë të frymëmarrjes t’i përballojmë situatat e ndryshme që gjendemi gjatë jetës”, tregoi ajo për gjërat më interesante sipas saj në Shkollën Pranverore të Feminizmit.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Zlatibor, Shkolla Pranverore e Feminizmit, mundësoi diskutimin e rolit të gruas përgjatë historisë dhe rëndësisë së saj në zgjidhjen e konflikteve. Gratë pjesëmarrëse patën rastin të njihen nga afërt me aktivitetet feministe që ndodhin në Kosovë dhe Serbi.

Shkolla Pranverore e Feminizmit, deri tani përgjatë katër edicioneve të mbajtura, ka arritur t’i mbledhë mbi 100 gra nga Kosova dhe Serbia.

Elonë Xhiha, tha se më së shumti i ka bërë përshtypje bindja socialiste e feministe e grave të lindura dhe të rritura në një shtet që mbizotëron ideologjia nacionaliste si dhe gatishmëria e tyre për zgjidhjen e konfliktit qindra vjeçare.

“E vlerësoj si një shkollë të nevojshme për të gjitha vajzat e interesuara të informohen rreth feminizmit dhe veprimtarisë së grave pas luftës së dytë botërore. Po ashtu është një mundësi për të njohur gra tjera aktiviste dhe të ndash me to bindjet e eksperiencat tua”, pohoi Xhiha.

Ndërkaq Jelena Nikolic  tha se pavarësisht që është kënaqur shumë në fund të ditës atë nuk mund ta impresionojë asgjë më shumë se vetë njerëzit, ata të cilët sipas saj janë të gatshëm për ta përqafuar të ardhmen.

Por, kjo përvojë dhe ky organizmi si gjithmonë nuk përfundon me kaq. Pjesa e dytë e kësaj shkolle do të mbahet në Kosovë dhe do të realizohet në muajin tetor. Gratë nga Serbia do të vijnë këtu tek ne, ku do të vazhdojmë me ligjërata dhe sesione të ndryshme, të cilat gjithashtu kanë të bëjnë për feminizmin dhe ndërtimin e paqes mes Serbisë dhe Kosovës.

Rikujtojmë se Shkolla Pranverore e Feminizmit organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis, Qendra Alternative e Vajzave – Serbia, ndërsa përkrahet nga Kvinna Till Kvinna dhe Bashkimin Evropian -në kuadër të projektit nga Koalicionit Kosovar për Pajtim.

Shkruan: Sarandë Selimi