Një vizitë në komunat arbëreshe të Italisë, në Kalabri

Një vizitë në komunat arbëreshe të Italisë, në Kalabri

Më 01 qershor 2019 ishim në Festivalin Folklorik në katundin arbëresh Santa Caterina Albanese të krahinës së Cozencës në Rajonin e Kalabrisë.

Ishim të ftuar të merrnim pjese në festivalin folklorik të pakicave etnike nga “Ambasadore e Kombit Shqiptar” profesoresha Cettina Mazzei.

Festivali lindi në Caraffa. Kësaj radhe kishte në qendër figurën e At Francesco Antonio Santorit si poet, shkrimtar, dramaturg me rastin e dyqind vjetorit të lindjes së tij! Në festival u përfshinë me projekte krijuese nxënësit dhe mësuesit e 14 shkollave nga katundet me pakica etnike. Me këtë rast referuan edhe Matteo Mandala dhe Franco Altimari, respektivisht profesorë në Universitetin e Palermos dhe atë të Kalabrisë. Zonja Cettina Mazzei, Ambasadore e Kombit, ishte ideatorja, organizatorja dhe drejtuesja e të gjithë veprimtarisë kulturore folklorike. Në mbështetje të këtij festivali të madh ishin komunat e Santa Caterina Albanese dhe ajo e Cerzetos. Këto dy komuna njihen si ruajtëse të memories së Santorit!

 Arbereshët e zhvillojnë këtë lloj festivali çdo vit, por në vendbanime të ndryshëm arbereshë duke evidentuar figura të shquara të historisë dhe kulturës në territorin e origjinës apo të veprimtarisë së tyre më të spikatur! Është një shembull shumëdimensional në ruajtje të identitetit kulturor etnik!

Ishim pjesë e delegacionit të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” të Tiranes. Në këtë delegacion bënin pjesë:  z. Teuta Braçaj – drejtore e shkollës, z. Mirela Novruzaj – n/drejtore, z. Ludiana Beqiraj – mësuese e gjuhës italiane dhe, njëherazi, autore e projektit të shkollës për jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit arbëresh, z. Violeta Kila – kryeadministratore e njesisë administrative nr. 5 të Tiranës dhe 20 nxënës pjesëmarrës në këtë projekt.

Projekti ishte i regjistruar dhe u bë i njohur në menyrë elektronike paraprakisht tek juria e festivalit! Juria e vlerësoi projektin me çmim special.
Udhëtuam me traget gjatë natës 29-30 maj drejt Barit. Kishim me vete nje minibus që do të na shoqëronte në çdo rast nevoje për levizjeje në ditët e qendrimit në komunat arbëreshe! Në Sibari na priti, na uroi mirseardhjen dhe na shoqeroi miku ynë i vjetër Damiano Guagliardi, një arbëresh idealist i përkushtuar shpirtërisht dhe me kontribute të vyera për çështjen arbërore që në rininë e vet! Me Damianon vizituam vendlindje dhe vendbanime të disa prej figurave të shquara të historisë së arbereshëve. U njohëm me arbereshë të mirë si edhe me kryetarë të rizgjedhur të komunave arbëreshe si me z. La Valle Roberto në Santa Caterina Albanese (Picëlia), z. Rizzo Giuseppe në Cerzeto (Qana), me z. Lamirato Salvatore në San Demetrio Corone (Shën Mitri) et. Gjithkund patëm emocione dhe mikpritje nga paraardhesit tanë arbër të çvendosur në shtetin fqinj që rreth shekullit XV, XVI. Edhe pse kanë kaluar qindra vjet, edhe pse breza të njëpasnjëshëm kanë lindur e janë rritur mes grupit më të madh etnik të ndryshëm nga ata, arbëreshët ndihen, mendojne dhe sillen si arbër!

Ishte një pritje dhe ndjesi e jashtëzakonshme në gjirin e arbëreshëve!

U akomoduam në hotel tek Ovidia Ipolito në Santa Caterina Albanese. Ovidia ishte arbëreshe, por kishte veshtiresi të shprehej mirë arbërisht. Gjithsesi u kuptuam, se dëshironim të mirkuptoheshim! Zona ku ne qendruam ishte me drejtim zhvillimi agroturizëm! Aty kultivoheshin kryesisht ullnj per vaj, rrush për verë dhe për tavolinë, pjeshka, qershi, pak blegtori, drithëra etj. Vlen të theksojmë se argobiznesi zhvillohej si proces zinxhir prodhimi dhe përpunimi!

Të nesërmen, që në mëngjes, rifilluam lëvizjet dhe vizitat. Në bisedat tona me Damianon, Giuseppe Passonin, Francesco Perrin, Alfio Moçin ishin patjetër zhvillimet politike, ekonomike, sociale, kulturore në Shqipëri! Vëllezërit tanë nuk janë indiferentë! Damiano shprehet: “ne e duam dheun e të parëve tanë të fortë dhe të lulëzuar! E duam të ketë qetësi e normalitet! Çdo problem i juaji ndikon e ndihet tek ne! Ne ndihemi të forte e krenohemi, kur Shqipëria është e fortë! Ndihemi të dobët e venitemi, kur atje tek ju nuk shkojnë mirë punët! Ne presim që politikanët shqiptarë të mendojnë e të kujdesen më shumë për Shqipërinë dhe të mos na harrojnë as ne që jemi gjaku juaj i shprishur! Ne e duam gjuhën e kulturën shqiptare! Këtu ku jemi e kemi ruajtur gjuhën dhe rritet, zakonet, traditat kryesisht në mënyrë tradicionale, kryesisht nëpërmjet rolit të familjes! Por vetëm kështu nuk mjafton!

Me martesat me të tjerë, nuk do të mund të ruajmë fuqishëm identitetin tonë arbëror pa një kujdesje të mireorganizuar e të mirëprogramuar! Ne na duhet të kemi më shumë shkëmbime të ndryshme njerëzish, studjuesish, eksperiencash, veprimtarish, por, sidomos, kemi nevojë për shkolla ku të mësojmë shqip. Tani vetëm kolegji në S. Demetrio Corona zhvillon 2 orë mësim të gjuhës shqipe në javë! Ne e vlerësojmë shumë ardhjen e ekipit të gjimnazit nga Tirana!”

Kryetari i komunës S. Caterina Albanese na tha që është arbëresh, kupton arbërisht e shqip, por nuk flet! Ai dhe banorët e komunës, pavaresisht nga mosha, duan të mësojnë shqip! Dhe atje do të organizohen kurse për gjuhën shqipe!

Nismat janë të domosdoshme, por është e domosdoshme ndihma dhe mbështetja nga të dy shtetet! Pavarësisht se shoqatat, organizatat, shkollat kanë rinisur të intensifikojnë veprimtari të  dobishme social kulturore, zgjidhja duhet të ngrihet në baza ligjore, institucionale! Komuniteti arbëresh e dëshiron këtë gjë! Emigrantët e rinj, gjithashtu kanë nevojë!/ Gazeta Dita