Fotografitë personale, pak të njohura të piktorit Edward Munch

Fotografitë personale, pak të njohura të piktorit Edward Munch

Piktori Edvard Munch është përgjithësisht i perceptuar si babai i të zezës nordike, piktori simbolist i psikodramave të viteve 1890 me tituj si “Vampiri” dhe “Klithma”. Një ekspozitë e re e hapur këto ditë me titull “Edvard Munch: syri modern”, na sugjeron të shikojmë përtej këtij perceptimi.

Munch jetoi shpejt, por nuk vdiq i ri. Ai u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare më 1944-n. Ai jetoi edhe 50 vjet pasi realizoi veprën e tij më të njohur, “Klithma”. Çfarë bëri gjatë kësaj kohe mes famës dhe fundit të jetës? Përgjatë të gjithë kohës, ai ishte shumë i interesuar të inkorporonte idetë dhe teknologjitë e reja tek arti i tij. Sot, një piktor modernist me emrin David Hockney përdor polaroidin, fotokopjuesin dhe iPad-in në artin e tij; Munch përdori aparatet fotografike, rrezet X dhe idetë filozofike që gjente në librat e bibliotekës së tij të bollshme. Niçe (Nietzsche) dhe Dostojevski qenë ndikues të dukshëm të artit të tij, por një numër i madh librash të tjerë mbi matematikën dhe shkencën influencuan në mënyrë surprizuese më pak të njohur. Koleksioni i tij i librave përfshin edhe “Teoria e relativitetit nga Ainshtajni, botim i vitit 1919 dhe dukshëm një libër shumë i përdorur.

Ai ishte piktori i shumë autoportreteve, ku e shihte veten përmes “syrit modern”, përfshirë të parit të vetes të palëvizur si në një fotografi. Munch bleu aparatin e tij të parë fotografik në vitin 1902. Ai kishte lente relativisht me kënd të gjerë dhe dha një perspektivë të shkurtër deri në ekzagjerim dhe zona interesante të turbulluara qëllimisht. Këto karakteristika ai i përdori te tablotë “Dëborë e freskët në rrugë”, “Mbi tryezën e operacionit” dhe te “Kuajt në galop”, të gjitha të përfunduara brenda një dekade nga dita e blerjes së aparatit fotografik.

Aparati i lejoi atij gjithashtu të bënte autoportrete nga kënde që përndryshe do të kishin qenë të pamundura për t’u pikturuar – një piktor mund të shohë maksimumi përmes një pasqyre. Aparati i tij i parë nuk e kishte shërbimin e autoshkrepjes, kështu që atij iu desh të zgjaste krahun gjithmonë për të kryer shkrepjen.

Edvard Munch ,1855

Kjo krijoi një pamje prej fantazme: trupi i tij dukej transparent me pamjen e vijëzuar qartë të ambientit pas. Ai ishte sakaq i interesuar për fotografitë spiritualiste, megjithëse kishte neveri për vetë spiritualizmin. Fotografët spiritualistë përdornin fotografitë e mbivendosura për të krijuar “fantazma” transparente. Munch përdorte të njëjtën teknikë për të shkrirë të dyja subjektet së bashku, siç shikohet te seria “Destinacioni fatal”. Shumë shpesh, një subjekt është vetë ai, ndërsa një tjetër është vepra e tij, duke ngritur pyetje intriguese mbi mbivendosjen mes artit dhe artistit.

Munch ishte në Paris kur rrezet X u zbuluan rreth vitit 1895. Njerëzit zhvilluan festa të rrezes X: në vijën blu të rrezeve, bizhuteritë u bënë inkandeshente dhe aktorët luajtën kërcime skeletesh. Edhe nëpër rrugica mund të blije portretin tënd në rreze X në një copë druri, gjë që të mundësonte të shikoje kockat e tua të stampuara mbi ngjyrën e grurit të drurit. Munch reagoi ndaj rrezeve X në dy mënyra. Më 1895-n ai prodhoi “Autoportretin me një krah skeleti”, një litografi që tregonte fytyrën e tij me mish mbi skeletin kockor të krahut.

Më 1911-n, një nga miqtë e ngushtë të Munch hapi një kinema në Oslo. Munch e shijonte të parit të filmit së bashku me qenin e tij. Ai bleu një kamera më 1927-n dhe realizoi disa filmime.

Transparenca, kompozimi me shumë shtresa dhe distanca e shkurtër deri në ekzagjerim mes piktorit dhe tablosë janë karakteristikat e punës së tij në këtë periudhë.

Arti i tij ndryshoi rrënjësisht pas viteve 1906-1908. Një nga arsyet ishte porosia që iu bë për të dizajnuar skenën për pjesën teatrale të Henrik Ibsen, “Fantazmat”. Ai pikturoi disa seri me tablo që qenë vendosur brenda një hapësire të ngjashme me skenën, një tavan i ulët deri në klaustrofobi me murin përballë që mungonte.

Kjo përqasje shkoi shumë mirë me serinë e tij të veprave nga bordellot dhe ato të ish të dashurës së tij Tulla Larsen, të cilën e portretizon si vrasëse. I shqetësuar se vepra e tij ishte bërë tepër bajate, më 1907-n ai filloi serinë e “Gruas së përlotur”, e cila i dha mundësi të ecte përpara.

Munch humbi shikimin në syrin e djathtë si pasojë e një hemorragjie në vitin 1930. Ndërsa shikimi iu rikthye ngadalë, ai vijoi të pikturonte me syrin tjetër. Fillimisht pikturoi vetëm rrathë të turbullta. Pastaj vizioni filloi të qartësohej nga pak deri sa u kthye në normalitet. Kjo pjesë e veprës së tij është një testament i kurajës artistike të tij.