Si pasojë e mbylljes së Kalasë bie numri i vizitorëve në Novobërdë

Si pasojë e mbylljes së Kalasë bie numri i vizitorëve në Novobërdë

Ka rreth 4 muaj që Kalaja e Novobërdës po qëndron e mbyllur për vizitorë.

Kjo për shkak të rrezikut nga shembja e mureve të kalasë, të cilat janë të vjetra dhe të punuara keq.

Disa vizitorë që po qëndronin në Novobërdë për herë të parë thanë se janë të zhgënjyer që nuk mund të hynin brenda monumentit historik.

Ata, madje, drejtuan edhe kritika ndaj institucioneve përgjegjëse, për mosmonitorim të punimeve.

Të dielën, numri i vizitorëve te Kalaja e Novobërdës nuk ishte i madh dhe për banorët e kësaj ane, në këtë ka ndikuar restaurimi i ngadalshëm.

Është tentuar që të xhirohet nga brenda Kalanë e Novobërdës, por Luan Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, përmes telefonit, ka thënë se nuk mund të xhirohet shkaku i rrezikshmërisë, si dhe ka kërcënuar ekipin që nëse xhirohet ndonjë pjesë e njohur si ‘hulumtime të arkeologëve’, do të padisin televizionin.

E, nga Ministria e Kulturës kanë thënë që për projektin janë në bashkëveprim me Zyrën e BE-së dhe se dëmet e bëra do të riparohen.

Investimet në Kalanë e Novobërdës kanë nisur në fillim të vitit 2015 dhe kanë përfunduar në tetor të 2016-s, e janë financuar nga Komisioni Evropian, me 1.1 milion euro/koha.net