Teksa i afrohemi Amfiteatrit të Tiranës, tingujt e kitarës rrëfejnë ardhjen e tij. Petrit Çeku i ulur në karrige mban në duar të vetmen kitare me të cilën luan prej 6 vitesh, klasiken e Ross Gutmeier.
Përpiqet të përqendrohet, të kuptojë akustikën për koncertin e së shtunës në mbrëmje si solist, derisa kureshtia e medies e shkëput nga bota e tij muzikore. Rrëfen se është i lumtur për këtë rikthim të tijin në Tiranë në kuadër të “Albanian guitar festival”, të organizuar nga Denis Bizhga, shef i Departamentit të Kitarës në liceun ”Jordan Misja”. “Është një festival që e glorifikon kitarën si instrument dhe jam i kënaqur që unë mund të jap kontributin tim”, shprehet artisti.
Interpreton në skena prestigjioze ndërkombëtare prej më shumë se një dekade, e gjatë kësaj kohe mes shumë përballjeve skenike me publikun është krijuar tek ai një lloj inflacioni ndjesish. “Por pavarësisht kësaj, unë i veçoj koncertet që mbaj në vendlindje, Prishtinë e në Shqipëri, pasi më zgjojnë ndjesi të larta emocionale.
Tirana është si një vendlindje e dytë për mua, është pjesë e mëmëdheut. Edhe pse kudo që shkoj, mundohem ta trajtoj çdo koncert njësoj, për shkak se jam në shërbim të muzikës, paraqitja para publikut shqiptar vetvetiu ndryshon emocionet tek unë”, tregon ai për “Panoramën”. Vlerëson mikpritjen e publikut në trevat shqiptare, që, sipas tij, përpiqet t’i mëshojë një kulture, që mbetet relativisht në margjina.
“Kjo edhe për shkak të mungesës së fondeve e një sërë arsyesh të tjera. Por, e theksoj, se është pikërisht publiku që frekuenton këto koncerte ai që e mban gjallë kulturën në Shqipëri e Kosovë”. Për Petritin janë po aq të rëndësishme edhe performancat skenike në Kroaci, ku jeton prej 15 vitesh, e ku publiku, siç edhe ai pohon, e njeh shumë mirë. KITARA SI TRASHËGIMI Lidhja e tij me kitarën, nis që fëmijërinë e tij të hershme, kur i ndikuar nga xhaxhai e i ati, kitaristë amatorë, ai do të niste t’i afrohej këtij instrumenti, fillimisht duke e trajtuar si një lodër.
“Në familjen time ekzistonte një mënyrë specifike e luajtjes në kitarë, të gjithë luajnë me gishta edhe janë shumë të aftë në atë që bëjnë”. Ndikimet e të atit nga kitara klasike, falë studimeve në Sarajevë do të linin shenjë edhe te Petriti. “Natyrisht që në vetëdijen e një fëmije të vogël kjo muzikë lë gjurmë”. E kujton ende kitarën e parë, dhuratë nga xhaxhai i tij, e me të cilën do të luante pjesë nga Francisco Tarrega, si “Lagrima”, “Alhambra”, të cilat ende i ka pjesë të repertorit të tij. “Është interesant fakti se im atë ma pati mësuar ‘Recuerdos del Alhambra’ me vesh, kur unë ende nuk dija të lexoja notat. Dhe ende sot, unë refuzoj t’i shikoj notat kur interpretoj këtë pjesë”.
Edhe pse në skenë interpreton prej 24 vitesh, karriera e tij ndërkombëtare nisi 12 vite më parë në Pittalugia (Alessandria) të Italisë. “Aty fitova një konkurs, dhe qe një event që shënjoi jo vetëm karrierën time ndërkombëtare, por edhe një garë me veten. Pasi është e lehtë të ngjitesh në skenë, por sfida është të qëndrosh aty”. Një sfidë të cilën ai e ka fituar duke qenë autokritik me veten. “Është një proces i vështirë, pasi unë ndërgjegjësoj veten se kjo nuk është e mjaftueshme që të mbes në këtë pozitë në skenën ndërkombëtare. Kjo e bën punën time edhe pak spirituale, psikologjikisht të vështirë, por gjithçka në mënyrë të shëndetshme”.
Shumëkush e lakmon për udhëtimet e tij në mbarë botën, por ai e tregon këtë si një tjetër sfidë që ka ndaj vetes, gjithmonë për të njëjtin qëllim. “Edhe kur mbërrij atje ku kam koncertin, unë luaj në kitarë”.
Ndërsa jeta e tij vërtitet rreth koncerteve nëpër botë, tek artisti pasioni dhe entuziazmi për të performuar në skenë kanë mbetur të njëjta. “Ajo që ka ndryshuar është publiku. Tanimë performoj në skena të mëdha, ku njerëz nga shumë vende të botës udhëtojnë prej së largu për të parë koncertet e mia. Vitin e kaluar kam marrë pjesë në një turne, ku kanë marrë pjesë 20 mijë spektatorë çdo natë. E në fund të tij, kam reflektuar se kisha interpretuar para një gjysmë milionë njerëzish. Pra, ka ndryshuar numri i publikut, skena, por emocionet kanë mbetur po ato”.
Rrëfen se koncertet e tij janë bërë kaq intensive, sa tanimë e ka të vështirë ta kujtojë se ku ka performuar pak kohë më parë. “Dikush më takoi pak kohë parë e më tha se më kishte dëgjuar gjatë koncertit në Mynih, disa muaj më herët. Unë i thashë: Kjo s’është e mundur se unë nuk kam qenë në Mynih. Masandej, ai më tregoi foton. Dhe po, unë kisha qenë atje, por nuk e mbaja mend”. Por ka një performancë që Petriti e ruan të gjallë në kujtesën e tij. “Më kujtohet shumë mirë dalja ime e parë publike. Ka qenë në shkollë të muzikës. Kam pasur jashtëzakonisht emocione dhe nuk e harroj kurrë”. Në udhëtime nëpër botë, ku ai i dhuron magjinë e tingujve të kitarës artdashësve, i ka ndodhur që mes shumë artistëve të njohur të takojë edhe kolegë shqiptarë.
“Para disa vitesh në Gjermani pata mundësi të takohem e të dëgjoj Jonian Kadeshën, është një violinist që ‘t’i merr mendtë’, i jashtëzakonshëm. Ne kemi shumë artistë të tillë, madje mund të them se disa prej këngëtarëve më të mirë operistikë që kam dëgjuar janë shqiptarë. Ekspresiviteti i Çekut ka depërtuar së fundmi te një masë më e gjerë publiku përmes një videoje virale që e bën atë edhe celistin e famshëm të “2Cellos”, protagonist të një Adagio-je emocionuese si rrallëherë.
“Stjepan Hauser është një celist me një ndjeshmëri shumë të lartë dhe kjo më ka afektuar edhe mua, bën që kur performojmë bashkë të stimulojmë njëritjetrin në evidentimin e disa ndjenjave”. Po aq i ndikuar nga sensibiliteti i artistit shqiptar ka qenë edhe celisti kroat, aq sa është shprehur se: “Bota ndaloi kur po performoja me të talentuarin Petrit Çeku”. KOSOVA Për të folur për Kosovën dhe atë çka është shqiptare, Petrit Çeku ka zgjedhur kinemanë, natyrisht pa përjashtuar muzikën. Çka ishte nisur si dokumentar për virtuozin e muzikës klasike që në 2014-ën ishte gati të incizojë Suitat e Bahut për violonçelin në Spanjë, në vijim u bë një film udhëtimi për kufij e ilegalitet. “Sarabande” kanë fokus dy shokë që udhëtojnë mes ideve të Lindjes dhe Perëndimit, së shkuarës dhe së tashmes. Kufijtë mbeten ende një problem për Kosovën, të rinjtë ëndërrimtarë, e artistit ky fakt i dhemb e njëherazi i duket absurd.
“Situata në të cilën gjendet Kosova, për sa i përket pozitës së njerëzve, është e papranueshme brenda Europës. Pasi pavarësisht se si paraqitet nëpër statistika, ne jemi një popull që kemi kulturë europiane, ose së paku proeuropiane. Kemi shumë gjëra që na lidhin me Perëndimin. E them unë, e shumë të tjerë”. Si një dëshmi të vogël, mes shumë të tjerash, artisti rrëfen faktin se ai vetë është rritur, duke ditur se kush është Sebastian Bach. “Kam pasur pllakat e tij në shtëpi, kemi lexuar libra që na rrëfejnë e kanë të bëjnë me Perëndimin. Pra, kemi një kulturë të përgjithshme, që është e lidhur me Perëndimin, por neve nuk na lejohet të shkojmë fizikisht në Perëndim.
Ky është një lloj krimi mbi njerëzimin që na ndodh ne, për arsye politike që nuk kanë të bëjnë me ne. Filmi ‘Sarabande’, në mënyrë shumë të sofistikuar e tregon këtë, vështirësitë e një kosovari. Dhe ky film shënjon herën e parë ku unë flas për identitetin tim, si kosovar dhe jam shumë i lumtur që Kaltrina Krasniqi e çoi këtë film në atë nivel”. Ndërkohë, herën e fundit që interpretoi në Shqipëri ishte i shoqëruar nga orkestra e RTSH-së e publiku i Tiranës e ktheu përmes duartrokitjeve në skenë.
“Kompozitori Hector Berlioz ka thënë se kitara është si një orkestër e vogël dhe ka një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’i përçuar publikut atë çka mund të gjesh në një orkestër”. Publiku i kësaj së shtune pati mundësi të shijojë kapacitetin orkestral e simfonik të një kitare të vogël, me vetëm 6 tela nën mjeshtërinë e Çekut. Është e vërtetë që kitara ka një kapacitet jashtëzakonisht të madh për t’i imponuar publikut, që është çështje e një orkestre të ndodhë aty”. Publiku i Tiranës pati rastin për të ndjerë nga afër kapacitetin orkestral, simfonik të një kitareje të vogël me 6 tela, nën mjeshtërinë e Çekut./ Panorama