Ekspozita e Kolë Idromenos prezanton veprat e panjohura rreth 100-vjeçare

Ekspozita e Kolë Idromenos prezanton veprat e panjohura rreth 100-vjeçare

Piktori dhe personaliteti i madh i artit shqiptar Kolë Idromeno vjen i plotë në ekspozitën retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Për herë të parë prezantohen edhe dy vepra të tij, të panjohura deri më sot për publikun.

Sapo përmend piktorin e njohur Kolë Idromeno përpara të shfaqet kryevepra e tij, “Motra Tone” realizuar në moshën 23-vjeçare prej tij. Galeria Kombëtare e Arteve sjell për herë të parë veprën e plotë të piktorit.

Për herë të parë prezantohet edhe portreti i rrallë nga Idromeno i vitit 1927, i cili është identifikuar së fundmi dhe që është kleriku Ernest Çoba.

Kompozimi “Kur dreqi hyn në shtëpi” ekspozohet për herë të parë pasi është restauruar, se fundmi bashkë me 24 vepra të tjera.

Ekspozita retrospektivë, e cila do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare për 3 muaj na shpalos Kolë Idromenon në shumë dimensione, si piktor, fotograf, skenograf, muzikant dhe arkitekt.

Një tablo gjigande e Kolë Idromenos, e vlerësuar nga kritika si një nga kompozimet më të jashtëzakonshme të pikturës shqiptare është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vepra me një histori të pazakontë udhëtimesh nëpër Malësinë e Veriut ka edhe një histori të veçantë të restaurimit dhe konservimit të saj. Pavarësisht se tema e kësaj vepre është me karakter religjioz dhe në regjimin komunist ishte e ndaluar çdo vepër me simbolikë fetare, për mjeshtrin e pikturës shqiptare Kol Idromeno duket se është bërë një përjashtim.

Po t’iu referohemi detajeve, në këtë kompozim bien në sy zakone, tradita dhe veshje popullore. Është një manifestim i gjallë i etnografisë shqiptare.

Janë plot 220 figura, ku janë skicuar qindra njerëz që mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe të Malësisë së Veriut.

Në ekspozitë nuk mungojnë edhe fotografitë e rralla të Kolë Idromenos.

Ndërkohë studiuesja e njohur e etnografisë Afërdita Onuzi për ta plotësuar lidhjen shpirtërore me tablotë mbi 100-vjeçare, ka punuar shumë për ta shoqëruar ekspozitën e Idromenos me një ekspozitë etnografike, me kostume, veshje e stoli, imazhet e të cilave i gjen në pikturat e tij.