Nga Dr. Dorian Koçi
Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav* gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet*,
Këto ishin vargje që më erdhën ndërmend ndërsa avioni prekte pistën për të zbritur në aeroportin “Frédéric Chopin” të Varshavës. Gjithmonë më ka bërë kurioz emri Ladislav dhe sa herë që e lexoja përkthimin e mrekullueshëm të Nolit të poemës Skënderbeu të poetit amerikan Henry Longfellow nuk mënoja të lexoja dhe shpjegimin që shënohej me asterik: Mbreti Ladisllav – Ladisllav II-të (1423-1444), mbret i Polonisë, më vonë edhe i Hungarisë, u vra në betejën e Varnës nga ushtria e Sulltan Muratit II-të. Ky kuriozitet dhe persiatje nuk vinte nga emri sllav i mbretit të Polonisë por më tepër si kuriozitet gjeografik dhe kulturor sesi Skënderbeu ynë dhe Mbreti Ladislav ishin të përbashkuar sëbashku në një front antiosman në Europë. Në ditët në vazhdim do të mësoja më shumë rreth brigjeve të detit Balltik, hapësirës kontinentale të Polonisë historike dhe do ta realizoja se në kufijtë historikë e kulturorë Arbëria dhe Polonia takoheshin në digën e madhe të Danubit kundër hordhive të Perandorive Osmane.
Për këdo që viziton Poloninë e sotme kupton ashtu si në gjithë vendet e Europës Lindore e Juglindore se influenca të ndryshme kulturore kanë dominuar gjatë shekujve, influenca që në fakt janë përbashkuar në një identitet të rëndësishëm polak përgjatë shekujve. Polonia u nda në në vitin 1795 mes Prusisë, Rusisë dhe Austrisë duke i dhënë fund një periudhe të shkurtër, por të shkëlqyeshme të reflektimit të iluminizmit europian që kish prodhuar dhe kushtetutën e parë liberale në Europë të bazuar në mendimet e Montesque-s dhe Russoes. Duke dashur të ndjekë gjurmët e gjakut arbër në Poloni sërish më kujtohet një artikull i historianit të ndjerë Koli Xoxe për një personazh pak të njohur historik në Shqipëri, Pal Kruten që në vitet e hartimit të kushtetutës ndodhej në Varshavë. Aty, ai do të merrte pjesë në jetën politike të Polonisë dhe në mbështetjen e kushtetutës moderne që u hartua në ato vite. Por në fakt Varshava ka shumë më tepër gjëra për të parë sesa vetëm gjurmët shqiptare. Në qendrën historike të saj të rindërtuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ku mbizotëron stili arkitekturor i barokut të vonë gjithkush mund ta gjej veten midis një oazi qytetërimi që përfshin disa nga fazat më të rëndësishme të zhvillimit kulturor të Europës. Kjo përkatësi europiane ndihet në ajër, jo vetëm nën hijen e godinave hijerënda por edhe në ndryshimet e menjëhershme që kanë përfshirë Poloninë pas aderimit të saj në Bashkimin Europian në vitin 2004. Kanë kaluar 15 vjet që nga ai moment dhe ende shembulli i klasës politike polake dhe i vendeve të tjera të grupit të Vishegradit citohet si një shembull që duhet ndjekur nga vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë hyrjen në Bashkimin Europian. Klasa politike polake e majtë dhe e djathtë i sheshoi kontradiktat e brendshme për të realizuar konsensusin e madh në mënyrë që të kishin mbështetjen e vendeve të fuqishme dhe mike si Gjermania dhe Franca. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë një rrjet i admirueshëm transporti rrugor dhe hekurudhor është përmirësuar duke e shndërruar Poloninë në një nga vendet më nevralgjike në lidhjet midis Europës Lindore dhe Qendrore , midis Balltikut dhe vendeve të Europës Perëndimore.
“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të tashmen dhe kush kontrollon të tashmen kontrollon dhe të ardhmen”. Ky citat i shkëputur nga vepra “Viti 1984” i shkrimtarit britanik George Orwell duket sikur ilustron dhe përpjekjet për të rifituar lirinë individuale dhe kombëtare nën ankthin totalitarist të nazizmit dhe komunizmit që përjetoi Polonia në shekullin e XX. Për t’iu kundërvënë pikërisht këtyre përpjekjeve në Varshavë dhe gjithandej në Poloni janë hapur shumë muzeume si vende të rëndësishme të memories kolektive. Nazizmi pati një projekt politik, kulturor dhe ekonomik për të zhbërë Poloninë dhe shpirtin polak duke arritur në eliminimin e 6.500.000 vetave nga të cilët 3.000.000 hebrenj në fabrikën e vdekjes në Aushvic dhe ngritur një sistem të ashpër kundërpërgjigjeje e terrori ndaj çdo përpjekje rezistence. Muzeu i Revoltës Polake i ndërtuar në vitin 2004, pikërisht në prag të hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian është një pasqyrë e gjallë sesi një popullsi e tërë që nuk pajtohet me diktaturën dhe terrorin organizohet për të shpërthyer në kryengritje e revoltë për dinjitet e liri. Muzeu i Revoltës është i ndërtuar sipas një konceptualizimi modern të muzeologjisë ku gjen pasqyrim dhe historia sociale dhe dhimbja, ankthi, shpresa e liria pasqyrohen në linjë muzeale përmes objekteve e fotove të njerëzve të thjeshtë që jetonin në kuartetet e Varshavës. Pamja rrëqethëse e Varshavës e marrë nga një avion sovjetik Antonov në videot përkatëse tregon sesi godina të tëra u shkatërruan në masë me dinamit nga forcat e Rajhut III si kundërpërgjigje ndaj revoltës polake që për fat të keq u braktis edhe nga aleatët. Polonia ishte viktima e parë Paktit Molotov-Ribentrop të datës 23 gusht 1939, ku ajo u nda sërish në zona influence mes Gjermanisë Naziste dhe BS. Agresioni gjerman filloi në datën 1 shtator 1939 çka shënon dhe fillimin e luftës së Dytë Botërore. Disa ditë më vonë trupat sovjetike filluan sulmin nga kufijtë lindorë duke e futur ushtrinë polake në një darë të frikshme dhe pas 15 ditësh Polonia kapitulloi. Rreth 22.000 ushtarë e oficerë polakë u dorëzuan tek sovjetikët, të cilët në gushtin e vitit 1940 nën organizmin e drejtë për së drejtë të famëkeqit Beria i pushkatuan në pyjet e Smolenskut, në Katin. Pushkatimi dhe egzekutimi në masë i lules së ushtrisë polake i shërbente tiparit të eliminimit të elitave që Stalini ushtronte prej kohësh në B.S dhe më vonë në gjithë territoret që pushtoi Ushtria e Kuqe.
ARBEIT MACHT FREI (Puna do t’ju bëjë të lirë), ky është mbishkrimi ironik i vendosur në hyrje të kapit të Aushvicit që sëbashku me Bikernaun, ngjitur me të, u kthyen në fabrika të vdekjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazistët e hapën këtë kamp më 1940, në periferi të qytetit Osvieçim, që si shumë qytete polakë qe pushtuar nga forcat gjermane me shpërthimin e Luftës II Botërore. Godinat prej tulle, që kishin shërbyer për ushtrinë polake, por që ishin ndërtuar qysh në kohën e perandorisë austro-hungareze, qenë gati. Gjermanët e ndryshuan emrin e qytetit në Aushvic dhe ky u bë emri i njohur i kampit. Në vitet në vazhdim kampi u rrit, derisa filloi të përbëhej nga tri pjesë të mëdha: Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monovic, si dhe më shumë se 40 nënkampe të vogla. Fillimisht, këtu burgoseshin polakët. Më vonë këtu vinin të burgosurit sovjetikë të luftës, romët dhe të burgosurit nga vendet e tjera. Në vitin 1947, një akt i Parlamentit polak themeloi Muzeun Aushvic-Birkenau, aty ku ndodhen Aushvici I dhe Aushvici II, pjesë të ruajtura të kampit më të madh nazist të vdekjes. Në vitin 1979, UNESCO e futi atë në listën e Trashëgimisë Botërore. Ai vizitohet nga 700.000 vizitorë në vit dhe shërben si një vend i memories kolektive të njerëzimit ku mund të shikoj sesi çmenduari njerëzore nën ideologjinë e superioritetit të racave mund të marrë në qafë gjithë njerëzimin.
Jo shumë larg Aushvicit ndodhet Krakova, kryeqyteti i hershëm polak dhe kryeqyteti i kulturës së Polonisë, me universitet të themeluar që në vitin 1364. Në Krakovë ka jetuar dhe studiuar astronomi dhe shkencëtari i madh Nikola Koperniku që ndryshoi pothuajse gjithë formën e të menduarit të njeriut të humanizmit me zbulimin e vet të sistemit heliocentrik. Në Krakovë , qendër e madhe kulturore e Europës Qendrore gjen të memorizuara në godina, institucione, biblioteka , teatro e galeri artesh të gjitha fazat e qytetërimit europian. Në Krakovë ka shërbyer dhe Papa Gjon Pali II, monumenti i të cilit qëndron në hyrje të Katedrales Wael ku ndodhen dhe varret e mbretërve polakë. Figura e Papa Gjon Palit II, është shumë e respektuar në Poloni dhe kam një ndjesi shumë të mirë që dhe Shqipëria i është bashkangjitur nderimit të kësaj figure me bustin e përuruar tani së fundmi në Tiranë. Në këtë qytet të rëndësishëm të kulturës së Rilindjes Europiane që në muzeumet e veta mbart edhe tablonë e njohur të Da Vinçit, Dama con l’ermellino gjallon një kulturë e rëndësishme polake e lidhur ngushtë me atë të kontinentit. Në dhjetor aty përurohet muzeumi i ri ku do të përfshjë veprat e koleksonit të famshëm të Princ Czartoryski të blerë nga qeveria polake në vlerën e 100.000.000 eurove. Duke ecur në rrugët e këtij qyteti na kujtohet Mjeda ynë që kaloi disa vite këtu. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Në rrugicat e këtij qyteti ai mund të jenë fillesat e disa prej tingëllimave më elegante të gjuhës shqipe.
Krakova në mesjetë është shquar dhe për lagjen e hebrenjve por muzeumi më i madh kushtuar komunitetit hebraik shumë të pranishëm në Poloni është në Varshavë. Muzeu “POLIN” ka kushtuar rreth 36.000.000 euro dhe përfshin një rrëfimin e historisë përmes mjeteve audivizuale të hebrenjve në Poloni. Në të gjen të rindërtuar geton e famshme hebrenje ku gjermanët mbyllën dhe persekutuan popullsinë hebraike të Varshavës. Është e pamundur kur e viziton të të mos kujtohen sekuencat e njohura të filmit “Pianisti” , ashtu si dhe në qendrën historike të Krakovës gjen fabrikën e Oscar Schindler-it që frymëzoi regjisroin e njohur Spielberg për të realizuar filimin e njour “Lista e Schindler-it “.
Polonia me vendet e shumta të memories kolektive të njerëzimit frymëzon shumë breza të njerëzimit për ta vizituar dhe ne shqiptarët ndihemi dhe dyfish të nderuar kur e vizitojmë pasi gjithandej gjen njerëz që e kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë një imazh kaq pozitiv për mikpritjen, bregdetin e natyrën shqiptare. Polonia e Adam Mickeviçit të përkthyer e lexuar gjerësisht në shqip në vitet 70′-80′ nuk është vetëm një ndjesi romantike por edhe një realitet i prekshëm që erdhi në Shqipëri përmes jehonës së “Solidarnosit” që rrëzoi regjimin komunist në Poloni. Hapësira balltike e Adriatike e gjen veten aleatë në NATO dhe shumë shpejt në Bashkimin Europian pasi Polonia është një nga mbështetësit më të mëdhenj të kandidaturës së Shqipërisë për të hapur negociatat, çka sërish të sjell ndërmend vargjet e Longfelloë-it për mbretin polak Ladislav e Skënderbeun dhe aleancën e padiskutueshme të tyre për një Europë të bashkuar.