Koha.net. rikujton se ajo ishte " />

Ka vdekur Borka Paviqeviq, mikja e rrallë serbe e shqiptarëve

Ka vdekur Borka Paviqeviq, mikja e rrallë serbe e shqiptarëve

Dramaturgia dhe drejtoresha e Qendrës për Dekontaminimin e Kulturës (CZKD), Borka Paviqeviq, ka ndërruar jetë mbrëmë në Beograd, bën të ditur gazeta “Danas”.

Koha.net. rikujton se ajo ishte një nga intelektualet e rralla serbe që me guxim vazhdimisht ka dalë në përkrahje të shqiptarëve dhe të Kosovës para dhe pas luftës.

Borka Paviqeviq kishte lindur në Kotor të Malit të Zi, më 1947. Më 1971 u diplomua në Akademinë për Teatër, Fil, Radio e Televizion në Beograd, ku edhe magjistroi më 1976.

Për dhjetë vjet punoi në sektorin dramaturgjik të teatrit të Beogradit, Atelje 212, në BiTEF njëzet të tjera. Ishte dramaturge në teatrot e Zenicës, Splitit, Shkupit, Lubjanës, Suboticës e Beogradit.

Nga posti i drejtoreshës artistike të Teatrit Dramatik të Beogradit u ndërrua për shkak të pikëpamjeve dhe veprimtarisë publike politike më 1993, në kulmin e pushtetit diktatorial nacional-shovinist të Millosheviqit. Ishte pjesë e Lëvizjes Qytetare të Rezistencës që më 1991, dhe anëtare e Qarkut të Beogradit, Shoqatës së Intelektualëve të Lirë që nga themelimi.

Më 1994 themeloi dhe e drejtoi Qendrën për Dekontaminim të Kulturës në Beograd, përmes të cilës jo njëherë gjatë dekadave u artikuluan pikëpamje e u bën thirrje kundër politikave të papranueshme të pushtetarëve serbë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Këto pikëpamje ajo i ka shfaqur shpesh edhe përmes opinioneve në revistën “Takimi” (Susret), pastaj në të përjavshmen “Koha” (Vreme) si dhe në të përditshmen e beogradit “Sot” (Danas).

Ka botuar disa përmbledhje esesësh dhe tekstesh të tjera.

Që nga viti 1991, kur fillojnë luftërat në këtë pjesë të Ballkanit, të provokuara nga Serbia, ajo ishte ose nismëtare ose pjesëmarrëse e zellshme e aksioneve kundër luftës në Beograd e qytete të tjera në Serbi e rajon.

Për pikëpamjet dhe angazhimet e saj antiluftë e për paqe ishte laureate e shumë çmimeve, ndër të tjera e Fondacionit Hiroshima për Paqe e Kulturë më 2004, çmimin “Ruts” të Fondacionit Kulturor Europian për vitin 2009, e Dekoratës së Legjionit të Nderit të Francës më 2002 e të tjera.

Koha.net rikujton po ashtu se festivali “Mirdita – Dobar dan” është mbajtur në kuadër të Qendrës që e ka themeluar dhe drejtuar Borka Paviqeviq.