Është nënshkruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për shtetasit e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe.
Ky vazhdim i marrëveshjes u nënshkrua nga drejtori i QKK-së z. Arben Zharku, dhe nga prodekani i FAMU-së z. Ondrėj Zach.
Drejtori i QKK-së z. Zharku rreth vazhdimit të këtij Memorandumi u shpreh: “Jemi të gëzuar që po e vazhdojmë këtë mundësi të madhe për brezat e rinj që ëndërrojnë të studiojnë filmin në një prej shkollave më të çmueshme në botë. E falënderojmë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e vazhdimit të marrëveshjes me FAMU-në në Pragë dhe për këtë mundësi.”
Bursa e plotë që ndahet nga Ministria e Kulturës jep mundësi për studime në programin bachelor (në rast se e flisni gjuhën çeke) dhe në programin master në këto drejtime: regji, skenar dhe kamerë (drejtor fotografie) etj.
Akademia e Arteve të Bukura FAMU në Pragë është themeluar në vitin 1947 dhe është një ndër shkollat më të vjetra në botë, dhe sipas gazetës Hollywood Reporter është shkolla numër një në Evropë, ndërsa e njëmbëdhjeta në botë. Të diplomuar nga kjo shkollë janë shumë regjisorë dhe skenaristë të njohur ndërkombëtarisht si fitues të çmimeve Oskar ose laureat të festivaleve ndërkombëtare të filmit.
Deri më tani 4 studentë kosovarë: Norika Sefa, Dritëro Mehmetaj, Noar Sahiti, dhe Enis Saraçi kanë gëzuar këtë bursë.