14 persona kishin shkuar vitin e kaluar në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, me para publike pa qenë pjesë e projektit dhe as pjesë e ministrisë, shkruan Insajderi. 7 mijë e 144 euro, ishin ndarë nga Ministria e Mjedisit me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit (bileta aeroplani).
Krejt kjo u bë e ditur në Raportin e Auditimit për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, ku ndër të tjera thuhet se nuk dihet qëllimi i kësaj përkrahje apo përfitimi i ministrisë nga pjesëmarrja e tyre në këtë ngjarje të madhe të artit, ku Kosova vitin e kaluar u përfaqësua nga artistja Eliza Hoxha.
“Personat në fjalë nuk kanë qenë pjesë e Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj përkrahje apo përfitimi i ministrisë nga pjesëmarrja e tyre në ketë ngjarje. Vendimi ishte lëshuar në bazë të një kërkese, bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të përkrahur mbulimin e pjesërishëm të shpenzimeve, pa ofruar ndonjë dokument mbështetës i cili do të tregonte qëllimin apo përfitimin e ministrisë nga kjo ngjarje”, thuhet në raport.
Sipas Raportit të Auditimit shpenzimi i mjeteve financiare për personat që nuk janë pjesë e ministrisë dhe pa përfitime për ministrinë, si dhe mos arsyetimi i mjeteve të shpenzuara, tregon menaxhim jo adekuat të financave publike, dhe shpenzimet e tilla mund të konsiderohen shpenzime të parregullta./ Insajderi.com