Dyshimi – Kompania “Beni Dona” helmon 45 ushtarë të Kosovës

Dyshimi – Kompania “Beni Dona” helmon 45 ushtarë të Kosovës

Rreth 45 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u helmuan ditë më parë nga ushqimi i përgatitur nga kuzhina e restorantit “Beni Dona Plast” në Mitrovicë.

45 ushtarë të FSK-së të kazermës “Minatori” në Mitrovicë, u përballën me ethe, temperaturë, barkqitje, dhimbje të trupit e plogështi, pasi drekuan në restorantin e firmës “Beni Dona Plast”, kompani e cila ka marrëveshje për furnizim me ushqim të shtatë kazermave të FSK-së në Kosovë, raporton Insajderi.

Në firmën “Beni Dona Plast” nuk e kanë komentuar rastin. Anëtari i bordit të kësaj kompanie, Fadil Paçarada, i kontaktuar nga Insajderi, ka thënë se nuk ka informata lidhur me këtë rast, të cilin nuk e ka mohuar.

“Nuk jam në Kosovë. Ndodhem në Shqipëri dhe nuk kam informata se si ka ndodhur ngjarja”, ka thënë Paçarada për Insajderin.

Mirëpo, Insajderi ka gjetur se firma “Beni Dona Plast” ka marrëveshje për furnizim dhe shërbim me ushqim të pjesëtarëve të FSK-së.

Prej vitit 2015, firma që drejtohet nga biznesmeni kontravers tenderësh në Kosovë Ragip Mustafa, e furnizon me ushqim Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kompania e Mustafës ka fituar tenderë milionësh nga Ministria e Mbrojtjes.

Në vitin 2015, “Beni Dona Plast” kishte fituar tenderin për “Furnizim dhe përgatitje të ushqimit për nevoja të FSK-së” nga Ministria e Mbrojtjes, në vlerë prej gati 8 milionë eurove.

Në janarin e këtij viti, përmes procedurave urgjente të prokurimit, Ministria e Mbrojtjes ia vazhdoi edhe për gjashtë muaj kontratën kompanisë “Beni Dona Plast”. Vlera e kontratës ishte mbi një milion euro, raporton Insajderi.

E, megjithëse shumica prej ushtarëve të helmuar të FSK-së përfunduan në spital për të marrë trajtim mjekësor, Ministria e Mbrojtjes tentoi ta fshihte skandalin.

Para dy ditësh, nga Ministria e Mbrojtjes thanë se vetëm tre pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës u helmuan nga ushqimi i restorantit “Beni Dona Plast”.

Mirëpo, një raport i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes – të cilin e publikoi të martën televizioni T7 – konfirmon se rreth 45 ushtarë të FSK-së u helmuan nga ushqimi.

“Disa pjesëtarë të shërbimit të rojës janë ankuar se kanë probleme shëndetësore, simptomat e sëmundjes kanë qenë ethe, temperaturë, barkqitje, dhimbje të trupit dhe plogështi. Gjithashtu 45 pjesëtarë të K3B kanë pasur të njëjtat simptome, pas ushqimit të darkës, problemet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së nesërme”, thuhet në raportin e brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje në raport thuhet se pjesëtarët janë trajtuar me injeksione dhe barna.

Insajderi ka kontaktuar sot me Ibrahim Shalën, zëdhënësin e FSK-së, i cili ka insistuar se nuk ka informata për helmimin e 45 ushtarëve të FSK-së.

“Nuk kam koment”, ka thënë Shala, teksa ka kërkuar nga gazeta që t’i drejtohet përmes e-mailit lidhur me këtë çështje. /Insajderi.com