Në listën me 100 shkrimtarët më të mirë, gazeta francezë “Le Monde”, ka përzgjedhur edhe shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare me romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.
Kjo vjen në formën e sugjerimit për lexuesin, të një plejade elitare të autorëve të evidentuar nga kritika e gazetës që prej vitit 1946.
Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare dhe vepra e tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është përfshirë në listën e 100 romaneve më të mirë që kritikët e gazetës “Le Monde” kanë evidentuar që prej krijimit të saj në 1946. Kadare renditet mes shkrimtarëve të mëdhenj të këtij shekulli, si Kazanzaqis, Pasternak, Kundera, Solzhenicin, Aragon, Jursenar, Graham Green, Salman Rushdi etj, shkruan “Oranews”.
“Ajo që godet menjëherë është ironia fine e autorit, gjenerali i tij italian nuk është një karikaturë. Ai ka virtytet e tij, një nga të cilat është besimi gjysmak në misionin e vet, dhe të meta si për shembull indiferenca ndaj gjithçkaje”, shkruan Boske për romanin e Kadaresë.
Për kritikët e “Le Monde”, kjo përzgjedhje e vetëm disa shkrimtarëve mes emrave të mëdhenj, nuk ka qenë një punë e lehtë. Në suplement sqarohet se lista e autorëve ka qenë frut i diskutimeve dhe debateve të forta./ Insajderi.com