Më 12 korrik 1874, në Janjevë lindi Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu, njëri nga figurat e ndritura të klerit katolik shqiptar, me kontribute shumë të rëndësishme në kulturën tonë kombëtare.
At Shtjefen Gjeçovi ishte klerik françeskan, veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare, etnograf, folklorist, shkrimtar, ishte ndër arkeologët e parë shqiptarë, etj.
As gjuha, as kombi shqiptar nuk vriten…
Një natë para se shovinistët serbë t’i zinin pusi dhe ta vrisnin pabesisht mësuesin At Shtjefën Gjeçovi, ai i mblodhi nxënësit në shkollën e tij, në fshatin Zym të Prizrenit dhe u përsëriti, si gjithmonë pas çdo mësimi, këto fjalë:
“Shqypnia asht vendi ku kena le e na jena vetëm shqiptarë. Gjuha jonë asht shqypja. Këto mos i harroni kurrë, fëmijë të dashur”.
Dhe atë mbrëmje, kur do të kthehej për në shtëpi, rojtari i shkollës i tha:
– Ruaju, At Shtjefën. Armiqtë të kanë vu në shenjë e nuk e durojnë këtë shkollë shqipe!
– Ani ç’ka!, – u përgjegj duke qeshur At Gjeçovi – Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë…