Nuk akreditohet kolegji ku diplomoi Agim Bahtiri

Nuk akreditohet kolegji ku diplomoi Agim Bahtiri

Kolegji ku ka përfunduar studimet i pari i komunës së Mitrovicës, nuk do të mund të pranojë student të rinj për këtë vit. Agim Bahtiri kishte arritur që të marrë diplomën nga ky universitet para rreth tri vitesh. Me të njëjtin kolegj, ai kishte nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi, me anë të së cilit favorizoheshin studentët e këtij kolegji për punë praktike në komunë.

Listës së kolegjeve private që nuk do të mund të pranojnë studentë për vitin akademik 2019/2020 i është bashkuar edhe Kolegji Biznesi. Ky kolegj nuk ka të drejtë të regjistrojë studentë të ri për shkak se nuk i është nënshtruar vlerësimit institucional nga ana e ekspertëve ndërkombëtar, e që me automatizëm nënkupton mos akreditim.

Në mesin e të diplomuarve nga ky kolegj është edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, shkruan Express. Bahtiri kishte arritur që të përfundojë studimet në drejtimin “Menaxhment dhe ekonomiks”, para rreth tri vitesh në ketë kolegj.

Madje, në tetor të vitit 2016, derisa Bahtiri ishte student në kolegjin “Biznesi”, kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi me të njëjtin kolegj, por si kryetar komune.

Përmes këtij memorandumi që palët ishin marr vesh për bashkëpunim në fushën e kërkimeve shkencore, Bahtiri si kryetar komune kishte favorizuar studentët e kolegjit “Biznesi”, për punë praktike në komunë.

Në web faqen zyrtare të Komunës së Mitrovicës ekziston komunikata që tregonte për memorandumin e nënshkruar mes Agim Bahtirit si kryetar i Mitrovicës dhe dekanit të kolegjit “Biznesi”, Shyqeri Kabashi.

Në këtë komunikatë që mbante datën 6 tetor 2016 thuhej se memorandumi ka për qëllim që të përcaktoj fushëveprimin e bashkëpunimit të të dyja palëve për realizmin e interesave të dyanshme në fushën e njohurive kërkimore dhe shkencore.

“Me memorandum palët dakordohen që të bashkëpunojnë për kualifikimin e kuadrove të reja dhe njëkohësisht të japin ndihmë reciproke në këtë aspekt”, thuhej aty.

Në komunikatë thuhej se me memorandum komuna merr përsipër që studentët e Kolegjit “Biznesi”, të rajonit të Mitrovicës, të bëjnë punë praktike në institucionet e veta, ndërsa që Kolegji të ju mundëson nxënësve të shkollave të mesme të larta vijimin e kurseve për përgatitjen e testit kombëtar.

“Përveç të tjerash, me memorandum komuna merr përsipër që studentët e Kolegjit “Biznesi”, të rajonit të Mitrovicës, të bëjnë punë praktike në institucionet e veta”, thuhej në komunikatë.

Ndërkohë, studentë për këtë vit nuk do të mund të pranojnë as Universiteti i Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit.

Përveç universiteteve publike, me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që t’ia tërheq akreditimin institucional për vitin akademik 2019-2020 Kolegjit Fama, Kolegjit Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy.

Me këto vendime, këto kolegje nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik 2019 – 2020.