11 korriku i këtij viti është një dëshmi tjetër se si Kosova është vend tejet i këndshëm për fëmijët e politikanëve dhe një vend krejt tjetër për fëmijët e komuniteteve të Kosovës. Një 11-vjeçar që dilte për të mbledhur kanaçe u gjet i vdekur, teksa dyshohet të jetë përdhunuar paraprakisht.
Por, gjendje krejt tjetër kanë fëmijët e politikanëve të Kosovës. Përderisa Endriti, djali i Hashim Thaçit dhe vajzat e Lutfi Hazirit, kanë mijëra euro në xhirollogaritë e tyre, 11-vjeçarit në Fushë-Kosovë nuk i doli në ndihmë as Policia e Kosovës.
Nëna e 11-vjeçarit, K. Veseli kishte treguar se kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës në janar të këtij viti, për shkak të ngacmimeve që i ishin bërë djali të saj, që sot është i vdekur, shkruan Insajderi.
I mituri që dilte për të mbledhur kanaçe, i kishte treguar nënës së saj për maltretimet që i janë bërë nga personat e tjerë. Dyshimet janë ndaj një 20-vjeçari se kishte përdhunuar të miturin dhe më pas e kishte mbytur.
K.Veseli i kishte ankuar nënës së vet se personat në fjalë po e dhunonin. Ajo thoshte se djali i saj kur kthehej në shtëpi ishte i ënjtur dhe kishte shqetësime të mëdha nga përdhunimi.
“’Po më kap’, më thoshte ‘oj nanë. Po m’rreh, po m’kap’, më thoshe. E ka dhunu, dy herë djalin seksualisht. Unë po du me ditë se kush ma ka ba këtahen. Djali më vinte me ftyrës. Sa herë që vinte në shpi krejt i ënjtur ishte në fytyrë. Thoshte kam djagësim kur e kryente nevojën e madhe”, tregonte nëna e saj.
Nëna e 11-vjecarit kishte treguar hapur edhe për media edhe në polici për personin që po ia malltretonte djalin.
“Ai e ka kap djalin oj motër. Ka që dy muaj a tre. Unë e kam lajmërua edhe ma herët këtë rast. Ai djalë është i ri, merret edhe me do punë tjera. Aj ka qëndrua ka shtëpitë tona. Në baraka”, thoshte tutje nëna e të ndjerit K.Veselit.
“Kosova e ëndrrave” që e shijojnë fëmijët e politikanëve
Teksa nëna e 11-vjeçarit nuk i ndalte lotët në rrëfimin për mediat ku po fliste për maltretimet e djali të saj tashmë të ndjerë, fëmijët e politikanëve kosovarë kanë shijuar pushimet verore në vendet e shtrenjta.
Një pushim të tillë, kishte qenë duke e bërë vetëm dy ditë pas vdekjes së 11-vjeçarit në Fushë – Kosovë, vajza e Lutfi Hazirit, kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo ishte lajmëruar nga pushimet e saj në Greqi, dy ditë pasi 11-vjeçari kishte vdekur nga përdhunimi.
Në fakt vajzat e Hazirit njihen për pushimet luksoze dhe për pasurinë e tyre. Vetëm gjatë këtij viti ato kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit mijëra euro në xhirollogaritë e saj bankare.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion kursimet e fëmijëve. Fiks 15 mijë e 791 euro, sipas formularit të pasurisë i kanë fëmijët e tij në xhirollogaritë e tyre, shkruan Insajderi.
Njëra nga vajzat e Hazirit në xhirollogarinë e saj ka 6 mijë e 950 euro. Vajza tjetër ka 5 mijë e 145 euro, vajza tjetra ka 1 mijë e 914 euro si dhe një xhirollogari e një prej fëmijëve të Hazirit ka 1 mijë e 782 euro.
Teksa, vajzat e Hazirit kanë kursyer para në banka, djali i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit njihet për udhëtimet e tij luksoze në vendet më të shtrenjta në botë. Nga Majami e deri në Rio de Janier, janë vetëm disa prej udhëtimeve të tij.
Një kontrollim i thjeshtë i profilit të tij në Instagram nxjerrë një pah udhëtimet e pandalshme të djalit të presidentit Hashim Thaçi, Endritit.
Para se babai i tij të bëhej kryeministër, udhëtimet më të shpeshta ishin në Zvicër dhe në Burojë të Skenderajt, vendlindja e Hashim Thaçit.
Madje fotografia e parë që Endrit Thaçi, fëmija i vetëm i presidentit Hashim Thaçi e ka postuar në Instagram është nga Cyrihu i Zvicrës e publikuar me 22 dhjetor 2012.
Në fotografinë që ai kishte postuar më 30 prill 2017, ai gjendet në plazhet e Majamit në Florida të SHBA-së.
Udhëtimet e tija, të cilët bashkëmoshatarët e tij por edhe të gjithë qytetarët nuk mund ti realizojnë për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave dhe shkallës së lartë të varfërisë, përfshijnë edhe vendet sikurse Oslo e Norvegjisë, ku Endriti ka qenë në vitin 2015. Së paku nga koha kur ai i ka postuar fotografitë.
Ai nuk e ka lënë pa vizituar as Dubrovnikun e Kroacisë, ishujt e Greqisë, Milanon e Italisë dhe natyrisht Luganon e Zvicrës, shtet ky në të cilin ka jetuar edhe vet presidenti Thaçi.
Endrit, nuk do të ketë asnjë pengesë që pushimet e shtrenjta t’i ndalë. Nga xhirollogaria e tij shihet se paratë nuk do të jenë aspak problem. Në formularin e deklarimit të Presidentit shihet se Endriti ka 13 mijë e 500 euro në xhirollogarinë e tij. /Insajderi.com