Edhe një tjetër seri e HBO-së është bërë me sezonin e ri: fjala është për serinë kontroverse të zhanrit dramë Euphoria në të cilën rolin krye" />

HBO konfirmon sezonin e dytë të “Euphoria”

HBO konfirmon sezonin e dytë të “Euphoria”

Edhe një tjetër seri e HBO-së është bërë me sezonin e ri: fjala është për serinë kontroverse të zhanrit dramë Euphoria në të cilën rolin kryesor e luan Zendaya.

Seria e kishte premierën e saj një muaj më parë dhe edhe pse flet për adoleshentët, është e dedikuar për të rriturit, për shkak të skenave eksplicite seksuale dhe temës rreth drogës, shkruan KOHA Ditore. Ngjarja bën fjalë për 17-vjeçaren e varur nga droga Rue (Zendaya), e cila sapo është kthyer nga rehabilitimi dhe lufton për të ardhmen e vet. Jeta e saj ndryshon në mënyrë drastike kur e takon mikeshën e saj më të mirë të ardhshme Jules (Hunter Schafer), vajza e cila sapo është zhvendosur në qytet pas shkurorëzimit të prindërve të saj.

Autor i serisë është Sam Levinson, i cili e ka shkruar atë sipas modelit të serisë izraelite me po të njëjtin titull, ndërsa në rolet e tjera shfaqen Maude Apatow, Angus Cloud, Eric Dane, Alexa Demie, Jacob Elordi, Barbie Ferreira, Niko King, Storm Reid, Algee Smith dhe Sydney Sweeney. Disa e përshkruajnë atë si përgjigje amerikane ndaj serisë Skins, vetëm se e bërë në mënyrë tipike të HBO-së.

“Autori i Euphorisë Sam Levinson e ka ndërtuar një botë të mahnitshme me një ekip fantastik të aktorëve të cilin e udhëheq aktorja e talentuar Zendaya. Jemi mirënjohës që ai e zgjodhi pikërisht HBO-në si shtëpi për serinë e vet të parë. Presim me padurim t’i ndjekim këto personazhe komplekse dhe udhëtimin e tyre i cili do të vazhdojë në atë botë në të cilën janë,” tha nënpresidentja ekzekutive e programit HBO Francesca Orsi për sezonin e dytë.

Zendayan mund ta shihni edhe në vazhdimin e fundit për superheroin Spider-Man, Spider-Man: Far From Home, i cili shfaqet edhe në kinematë tona.