200 mijë euro për një zyre burokratike – Kompleksi “Adem Jashari” rrezikon të rrënohet

200 mijë euro është vlera e mjeteve që Qeveria e Kosovës ka ndarë, në muajin qershor, për hapjen e një zyre që do të menaxhoj projektin për kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. Pavarësisht se për këtë projekt janë ndarë mbi 10 milionë euro përmes 45 tenderëve, ky memorial tash 20 vjet nuk ka përfunduar. Ekspertët kanë paralajmëruara rrezik të shkatërrimit të ndërtesave brenda së cilave u vranë anëtarët e familjes Jashari.

200 mijë euro për një zyre burokratike – Kompleksi “Adem Jashari” rrezikon të rrënohet

Shumës prej mbi 10 milionëve, të shpenzuar për ndërtimin e Kompleksit “Adem Jashari”, në qershor të këtij viti i janë shtuar edhe 200 mijë euro tjera, në bazë të një vendimi të qeverisë, së drejtuar deri të premten nga Ramush Haradinaj.

Në mbledhjen e mbajtur më 11 qershor të këtij viti, qeveria ka marrë vendim që për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” t’i ndajë edhe 200 mijë euro të tjera që do të shërbenin për jetësimin e një zyre që do të merret me projektin e përgjithshëm të këtij kompleksi.

Këto para janë ndarë nga kategoria e rezervave shtetërore, shkruan Gazeta Insajderi.

Bashkë me hapjen e zyrës do të angazhohet edhe një ekspert i jashtëm i cili do ta bëjë një projekt të përgjithshëm të shtëpive të rezistencës. Ky ekspert ndër të tjera do të vlerësojë edhe nëse do të inkorporohet projekti Slloven, i cili buxhetit të shtetit i ka kushtuar 500 mijë euro vetëm për ta hedhur në letër.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e  Memorialëve të Kosovës, Bislim Zogaj, ka sqaruar detaje se për çfarë do të shërbejë zyra, për të cilën u ndanë 200 mijë euro.

“Paratë janë ndarë që të bëhet një zyre ku do të vijë një ekspert i jashtëm dhe do ta bëjë projektin ku do të zhvillohen procedurat për të. Ajo zyre do ta bëjë projektin e përgjithshëm të Kompleksin dhe pastaj do ta bëjë edhe vlerësimin se a do të mundet ta inkorporojë edhe projektin aktual në të”.

“Pra ai do të vlerësojë se a do të duhet që në kuadër të projektit të përgjithshëm të bëhet edhe një projekt për konservim apo do të përdoret ai”, ka thënë për Gazetën Insajderi, Bislim Zogaj.

Këto mjete janë ndarë pas një kërkesë të Komitetit Ndërministrorë për Memorialin “Adem Jashari”, që drejtohet nga Fatmir Limajt.

Gazeta Insajderi, përgjatë tërë javës ka tentuar që të marrë një përgjigje nga kryetari i këtij komiteti Fatmir Limaj, por ai ka qenë i paqasshëm. Ndërsa këshilltari i Limajt, Leotrim Berisha edhe pse kishte premtuar që të hënën do të përgjigjej rreth këtyre 200 mijë eurove, ai ende nuk i ka kthyer përgjigje gazetës.

Kjo zyre në vlerë të 200 mijë eurove, nuk dihet ende se cilin ekspert do ta sjellë dhe as ku do të bëhet.

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, përvec këtyre 200 mijë eurove,  në fillim të këtij viti kishte ndarë edhe 3 milionë euro për restaurimin e këtij kompleksi.

Pavarësisht ndarjes së buxhetit tash e 20 vite ku numërohen të jenë ndarë 45 tenderë për të, Memoriali “Adem Jashari” nuk po e gjen rrugën që të restaurohet, ani pse, tashmë ekspertët kanë paralajmëruara se ai mund të ketë një shkatërrim total shumë shpejt.

Gazeta Insajderi bashkë me InDoks, para katër muajve kanë publikuar një dokumentarë për këtë memorial, duke e paraqitur gjendjen aktuale të tij e po ashtu duke i paraqitur të gjithë tenderët një e nga një, se kujt i janë ndarë dhe sa janë ndarë. Për 45 tenderë janë shpenzuar hiç më pak se 10.5 milionë euro ndërsa pjesa më e madhe e tyre është fituar nga një ortak i Bekim Jasharit – djalit të Hamzë Jasharit. /Insajderi.com