Pas një viti tenori kosovar Ramë Lahaj, rikthehet në Kosovë për një koncert të dytë, shkruan Insajderi.
Tenori i skenave botërore ka mbledhur disa nga miqtë e tij për t’i sjellë më 1 gusht në sheshin “Skënderbeu”, në koncertin me titull “Ramë Lahaj me miq”.
Një koncert i madh dhe i hapur për të gjithë, ka qenë ajo që Lahaj ka pasur në mendjen e tij. Do ta konkretizojë në ditën e parë të gushtit edhe si një balancim kundrejt situatës dhe gjendjes politike në vend.
Lahaj për këtë koncert ka ftuar dirigjentin David Crescenzi, me të cilin bashkëpunon, sopranon Besa Llugiqi, baritonët Kiril Manilov nga Bullgaria Adhurim Grezdën nga Kosova, sikurse edhe pianistin Edon Ramadani, të shoqëruar me orkestruesit nga Kosova e Shqipëria.
Barrën më të madhe interpretuese në këtë koncert do ta mbajë vetë Lahaj. Miqtë e tij do t’i ndihmojnë për t’i dhënë më shumë laramani programit. Në Prishtinë ai do të sjellë repertorin e arieve, me të cilat është paraqitur nëpër skenat më prestigjioze të botës. E pasi që është edhe 20-vjetori i çlirimit, Lahaj do të sjellë edhe pjesë nga veprat shqipe. Po ashtu në repertorin e përzgjedhur prej tij janë edhe këngët italiane.
Ky koncert është pjesë e aktiviteteve “Ditët e diasporës në qytetin e Prishtinës”, si dhe organizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./ Insajderi.com