Në prag të koncertit të tenorit Ramë Lahaj, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti bëri të ditur se ka një interesim të madh të qytetarëve për ta dëgjuar muzikën e Lahajt.
Ndërsa tenori Lahaj, kërkoi që Prishtina të ketë një sallë të denjë koncertale.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në një konferencë për media tha se nata e koncertit do të jetë tejet e veçantë.
“Pas një koncerti të suksesshëm me filarmoninë e Kosovës në kuadër të aktiviteteve 20/20, kemi vendosur që gjatë këtyre ditëve të diasporës kur ka edhe më shumë njerëz, që publikut të Prishtinës dhe Kosovës t’i ofrojmë edhe një eveniment fantastik, me këtë rast artistin tonë të mirënjohur Ramë Lahaj. Ai me miq do performojë në sheshin tonë. Po më pyesin për bileta, por s’ka bileta është falas. Interesimi është tepër i madh”, tha Ahmeti.
Tenori Ramë Lahaj tha se e ka ndjerë si borxh ndaj Prishtinës një koncert të tillë. Ai tha se një sallë e madhe koncertesh i duhet Prishtinës. Për të është e patolerueshme që objekti ku filarmonia bën prova të jetë salla e kuqe, transmeton kp.
“Jam i lumtur, duke e pasur parasysh agjendën, që arritëm të organizojmë këtë koncert pasi ka edhe nga ata që i kanë shtyrë pushimet. E bukura e kësaj është edhe me ecë pak në shesh, me e pa se Prishtina po zhvillohet”, u shpreh ai.
Drejtoresha e Kulturës në komunën e Prishtinës, Blerta Basholli tha se një koncert i tillë me tenorin Ramë Lahaj është një nder për Prishtinën.
Dirigjenti David Crescenzi, tha se ndjehet krenar që ndodhet në Kosovë për koncertin.
“Mbrëmë pashë entuziazëm të mirë tek njerëzit dhe kjo është shumë mirë”, tha ai.
Koncerti Ramë Lahaj and Friends’ do të mbahet nesër, më 1 gusht në orën 20:30, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.