Një projekt tjetër i Luan Kryeziut, dhëndrit të deputetit të PDK-së Nait Hasani ka fituar subvencion nga shteti i Kosovës. Pasi në shkurt Kryeziu kishte fituar 180 mijë euro, ai në mars të këtij viti ka marrë mbështetje edhe për një projekt tjetër filmik. I njëjti projekt është shpërblyer nga MKRS dhe Qendra Kinematografike.
Luan Kryeziu, dhëndëri i Nait Hasanit ka fituar përsëri para nga taksapaguesit e Kosovës për t’ia subvencionuar projektin filmik “Njeriu me këmishë”. Në mars të këtij viti, regjisori Kryeziu ka marrë lajmin e mirë se projekti i tij filmik do të subvencionet nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sporteve (MRKS).
Me të njëjtin projekt, Kryeziu pas katër muajsh ka marr përkrahje edhe nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës (QKK), e cila është në vartësi të MKRS-së.
Juria në përbërje të Arzana Kraja, Visar Krusha, Ilir Bajri, Bujar Luma, Lura Limani, Alban Muja, Besa Luci, mori vendim që të subvencionohet në kategorinë e Postproduksionit për film të metrazhit të gjatë artistik, projektin e dhëndrit të Hasanit.
“Njeriu me këmishë” vjen me skenar e regji të Luan Kryeziut, ndërsa producent ka Agron Kryeziun.
Ky projekt u financua në kuadër të konkursit për vitin 2019-të nga QKK, institucion ky që një vit më parë projektit “Lojë jete” të dhëndrit të Nait Hasanit nuk i kishte dhënë dritën jeshile për tu jetësuar.
Ato para ishin ndarë nga rezervat shtetërore, ndërsa Qeveria shkeli Ligjin për Kinematografinë e Kosovës, sipas të cilit është Qendra Kinematografike e Kosovës ajo që i vlerëson projektet dhe vendos për subvencionimin e filmave me mjetet që ndahen nga shteti për këtë fushë, e jo Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Nait Hasani, asokohe, pati akuzuar mediet ku pati thënë se i vjen keq për nivelin e gazetarisë lidhur me raportimin e vendimit të dyshimit që dhëndëri i tij, regjisori Luan Kryeziu ka arritur ta “bind” Qeverinë e Kosovës t’i ndajë një subvencion në shumë prej 180 mijë euro nga rezervat e shtetërore.
“Unë i lexova të gjitha gazetat edhe më vjen keq për nivelin e gazetarisë, unë tanë kohen jam marr çështjen e ligjeve as që kam pas kontakte për këtë. Mendimi është për turp, por lere më për tjerët që mendojnë më tutje”, kishte thënë Hasani për Insajderin.
“Vitin e kaluar pjesë e konkursit të QKK-së, ka qenë edhe projekti “Lojë jete”, ku juria shtatë anëtarësh nuk e ka votuar mjaftueshëm që të arrijë të financohet. Nga 15 projekte që kanë aplikuar në kategorinë për film të metrazhit të gjatë artistik, juria ka mbështetur 6 projekte, ndërsa projekti “Lojë jete”, ka qenë i radhitur i 12-ti në listë. Ky është komenti i vetëm që mund ta bëjmë për faktin se nuk i komentojmë vendimet e qeverisë apo institucioneve tjera që nuk janë në kompetencë tonën”, kishte theksuar Arben Zharku – drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Regjisori i cili në krijimtarinë e tij e ka të suksesshëm vetëm filmin “Heroi”, përfitoi në mënyrë të kundërligjshme nga Qeveria e Kosovës, 180 mijë euro për realizimin e filmit “Lojë jete”, ndërsa përveç këtyre mjeteve ai i përfitoi edhe dy projekte të tjera nga institucionet e Kosovës.
Kujtojmë se marsin e vitit të kaluar regjisori Luan Kryeziu, bëri bujë nëpër mediat vendore me deklaratën e tij për filmin me Adem Jasharin. Ai pati deklaruar se aktori serb Rade Šerbedžija, ka kërkuar ta luajë rolin e Heroit Kombëtar por që Kryeziu nuk e ka pranuar. Këto deklarata u hodhën poshtë nga aktori Šerbedžija, i cili pati thënë se ai asnjëherë nuk është ofruar për këtë rol dhe se Kryeziu ka gënjyer vetëm për të tërhequr vëmendjen kah projekti i tij. /Insajderi.com