Franceinter: Shqipëria nga diktatura drejt turizmit

Franceinter: Shqipëria nga diktatura drejt turizmit

Pasi ka qenë, përgjatë 46 viteve, një nga shtetet më të izoluara në botë, i drejtuar me dorë të hekurt nga diktatori Enver Hoxha, sot Shqipëria po promovohet në fushën e turizmit, shkruan Philippe Lefebvre, i radios së njohur publike franceze me një audiencë mbarëkombëtare, franceinter.fr.

”Në rrugët e Tiranës, kryeqytetit, gjenden ende, 28 vite pas rënies së diktaturës, gjurmë të kësaj periudhe të tmerrshme, shëmbëlltyra e një piramide gjigante, tashmë e braktisur, që kohë më parë ishte muzeu për nder të Enver Hoxhës. Sot banorët e Tiranës pyesin veten për fatin e kësaj godine.

Jo larg saj, ndodhet muzeu ”Shtëpia e gjetheve”, kushtuar tërësisht mënyrave që përdoreshin në atë kohë nga Sigurimi, policia politike, i vendosur në një godinë të vjetër me tulla të kuqe që ishte edhe selia e përgjimeve telefonike (çdo person ishte përgjuar, mikrofonat madje ishin vendosur edhe në rezidencën e diktatorit për të përgjuar punonjësit e tij), por gjithashtu një vend ku zhvilloheshin marrjet në pyetje dhe ku kundërshtarët mund të torturoheshin ose të vriteshin.

Për Albanën, guida për turistët francezë, vendi vijon të jetë mbresëlënës. Pikërisht këtu gjyshi i saj, avokat, është burgosur, megjithatë sqaron ajo një muze i tillë është i rëndësishëm pasi lejon për të mos harruar sesi ka qenë jetë e shqiptarëve gjatë 46 viteve.

Në brendësi të godinës ju mundeni të shikoni të gjithë materialin që ishte përdorur nga spiunët e Sigurimit dhe të testoni sistemin e përgjimit në një dhomë, në dukje e zakonshme, ku ishin fshehur mikrofonat. Ju do të dëgjoni me saktësi atë që dëgjonin agjentët e policisë politike.

Ndërkohë, ekziston rreziku që kjo e kaluar tragjike të transformohet në park atraksioni për turistët, të cilat janë në kërkim të eksperiencave origjinale si ai tek ”Bunk’Art 2”, ish-bunkeri i projektuar për të mbrojtur diktatorin në rast sulmi bërthamor (Enver Hoxha nuk përjetoi asnjë herë diçka të tillë), që sot ai vend është i përzier mes muzeut dhe një galerie arti.

Turizmi përparësi kombëtar

Edhe nëse Shqipëria nuk e kthen faqen e së kaluarës së saj të dhimbshme, ajo po e projekton vetë të ardhmen. Dhe për qeverinë shqiptare, kjo e ardhme do të kalojë nga turizmi. Është e vërtetë që vendit nuk i mungojnë burimet (mundësitë për të korrur sukses).

Janë 465 kilometra vijë bregdetare në Adriatik përballë Italisë, plazhe të shumta, një gastronomi e shijshme, qendra historike të regjistruara në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, një dhuratë e çmuar në sektorin e turizmit mjekësor (kryesisht për atë që përfshin shërbimin dentar), pa harruar hotelet luksoze, por me çmime shumë të leverdishme ashtu si “Grand Blue Fafa” në Durrës, që ofron dhoma me 5 yje për vetëm 85 euro nata.

Ky turizëm si për vijën bregdetare dhe atë kulturore, mbi të gjitha me çmime ekonomike do t’i mundësojë pa dyshim Shqipërisë të renditet në mesin e shteteve ballkanike në fushën e turizmit dhe të konkurrojë seriozisht në vitet e ardhshme Kroacinë fqinje, që po has vështirësi që lidhen me super fluksin e turistëve.

Megjithatë, Shqipëria nuk pritet të qëndrojë për shumë gjatë një destinacion i lirë, pasi kompanitë ajrore po luftojnë ndërkohë për të ulur avionët e tyre në pistën e aeroportit ndërkombëtar ‘’Nënë Tereza’’ dhe kompanitë ndërkombëtare në fushën e hotelerisë si ‘’Accor’’ po monitorojnë nga shumë afër performancën e vendit.