Cameron Diaz nuk ka interesim që të rikthehet në Hollywood, duke këmbëngulur që ajo ndoshta kurrë më nuk mund t’i kthehet aktrimit. Filmi i fundit i yllit 46-vjeçar ishte “Annie” në vitin 2014 dhe ajo e pranon se ideja që të dalë përsëri para kamerave nuk i intereson fare.
“Këndvështrimi im është se ia kam dhënë më shumë se gjysmën e jetës sime publikut”, tha Cameron për “InStyle”, e cila e bëri debutimin e saj të madh si aktore në komedinë e vitit 1994 “The Mask”, në një intervistë të rrallë. “Mendoj se është në rregull që t’ia dedikoj kohën vetes sime tani, të riorganizohem dhe ta zgjedh mënyrën se si unë dua t’i kthehem botës. Nëse vendos. Nuk më mungon aktrimi.”
Cameron shtoi: “Është argëtuese që nuk e kam askënd që e di se çfarë po planifikoj. Sepse koha ime është e imja. Nuk po shes filma, dhe për shkak se nuk po shes asgjë, nuk kam pse i jap dikujt diçka. Nuk po e bëj këtë më. Po e jetoj jetën time”.
Edhe pse ylli i Shrek, e cila u martua me rokerin Benji Madden në vitin 2015, e ka harruar aktrimin tani për tani, ajo po eksploron mundësi të tjera biznesi.
“Tani po e hulumtoj sferën e mirëqenies dhe gjërave të tilla”, tha ajo, “por çfarëdo që të bëj, duhet të jetë diçka për të cilën kam pasion – diçka që thjesht nuk kërkon përpjekje”.
Cameron, e cila tashmë i ka shkruar dy libra në lidhje me shëndetin dhe mirëqenien, madje po mendon edhe për modelim.
“I kam disa gjëra që po i krijoj, por është pak herët të flas për to”, tha ajo. “Më pëlqen gjithçka që e bëjnë shoqet e mia, si ajo që e ka bërë Gwyneth Paltrow me Goop dhe kunatën time, Nicole Richie, me shtëpinë e saj të modës House of Harlow.”