Biblioteka Kombëtare e Izraelit ka shpluhurosur një grumbull të munguar të letrave të Franz Kafkës, duke i dhënë fund një dekade të përplasjeve ligjore mes Izraelit dhe Gjermanisë lidhur me trashëgiminë e autorit.
Kur luftonte me tuberkulozin në një sanatorium austriak, Kafka, një hebre gjermanishtfolës nga Praga, i kishte kërkuar mikut të tij të ngushtë Max Brod që t’i asgjësonte të gjitha letrat dhe shkrimet e tij, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.
Pas vdekjes së Kafkës, më 1924, Brodi, edhe ai hebre, ndjeu se nuk mund të çonte në vend amanetin e mikut të tij dhe në vitin 1939 iku nga Çekosllovakia e pushtuar nga nazistët drejt Tel-Avivit, duke i bartur letrat e shkrimtarit në një çantë dore.
Brodi ka botuar shumë prej veprave dhe ka luajtur një rol kyç në etablimin e suksesit të Kafkës si një prej figurave madhore letrare të shekullit njëzet.
Brod, që kishte lindur në Pragë, ndërroi jetë në vitin 1968. Vdekja e tij paralajmëroi “tregim kafkian” në arkivën e Brodit, sipas Vered Lion-Yerushalmit, zëdhënëse e Bibliotekës. Grumbulli ishte ndarë në dysh.
Pastaj një pjesë e tij u vodh dhe u ofrua për shitje në Gjermani.
Që prej marsit të vitit 2008 Biblioteka Kombëtare ka luftuar për të rimbledhur koleksionin dhe për ta sjellë në Izrael, ka thënë drejtuesi i Bibliotekës, David Bulmberg, gjatë një konference për shtyp të mbajtur të mërkurën.