“Zana” i Antoneta Kastrati në festivalin e madh të Torontos

“Zana” i Antoneta Kastrati në festivalin e madh të Torontos

Filmi i gjatë artistik ZANA (prodhim i Kosovës dhe Shqipërisë) nga Antoneta Kastrati, do ta ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF), që mbahet me 5-15 Shtator 2019.

“Të jesh nga një vend i vogël,” thekson regjisorja Antoneta Kastrati, “dhe ti përkasësh brezit të parë të kineasteve femra nga Kosova, është nder për mua që ta shfaq filmin tim të parë në një festival kaq të respektuar dhe në mesin kineastëve të mrekullueshëm. Këtë vit shënohet edhe 20 vjetori i Luftës së Kosovës, dhe filmi ZANA është përpjekja ime e gjatë për të reflektuar në të kaluarën time personale të kohës së luftës. Për mua është shumë e veçantë që për herë të parë arrij ta ndaj këtë histori me një audiencë më të gjerë. TIFF e ka bërë të mundur këtë”

Filmi Zana është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Projekti Filmik ZANA është poashtu filmi i gjatë në të cilin motra e Antonetës, kinematografja e suksesshme Sevdije Kastrati e ka xhiruar filmin me kamerat dhe lentet e Panavision-it pasi që kanë fituar çmimin the New Filmmaker Grant.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike të Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës. Projekti filmik ishte poashtu pjesëmarrës i MIDPOINT Feature Launch 2017, fitues i MIDPOINT Development Award, dhe pjesëmarrës i MIDPOINT Editing Room.

Producent i filmit ZANA është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentē Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Vedat Bajrami, Çun Lajçi, dhe Ilire Vinca.