Legjenda e kinemasë dhe shkrimtari i famshëm i “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” jetuan një nga historitë më të pazakonta të të gjitha kohërave.
Ndanë bashkë disa nga vitet më të errëta të historisë botërore, në një periudhë tragjike të Europës, përfshirë këtu edhe mërgimin nga Gjermania naziste.
Do të ishte pikërisht ai, baroni Erich Maria Remarque, që atë mbrëmje të vitit 1937 do të merrte guximin i pari teksa aktorja flokëverdhë darkonte në Venecia.
Do të ishte pikërisht ajo, Marlene Dietrich, e cila do ta ftonte më pas të ulej në tryezën e saj.
I gjithë ky etyd flirti, në restorant. Sepse pasionet e mëdha vijnë duke ngrënë. Ajo duke darkuar me regjisorin e saj nga ku do të dëgjonte një zë që do t’i ndalte frymën:
⁃ Zoti, Strenberg…
⁃ E dashur, zonjë…
Kaq do të mjaftonte. Një zë burri si i tij, për të eksituar kuriozitetin e divës dhe një puthje e përkryer e dorës së Marlene për ta ftuar të bashkohej me ta.
⁃ Dukeni tepër i ri për të shkruar një prej librave më të bukur të historisë sonë, – i tha ajo, duke iu referuar romanit “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” që kish parë dritën e botimit në 1929, i shkruar nga një ish-ushtar i frontit.
⁃ Mbase e kam shkruar vetëm për të dëgjuar një ditë zërin tuaj të mrekullueshëm teksa më thotë këto fjalë. – ia kthen Remarque duke i ndezur cigaren me një çakmak të florinjtë. Strenberg, do të largohej.
Eric dhe Marlene bashkëbisedojnë gjithë natën. Vetëm në ag shkrimtari i njohur i rrëfen të vërtetën me atë zë të veshur e të thellë:
⁃ Jam impotent.
⁃ Oh, mrekulli… Çfarë lehtësimi. Ti nuk e di sa e urrej të bërit dashuri.
Jo ç’do gjë shkonte fjollë. Ai kishte mbushur të 39-at dhe ajo një 36 vjeçare që vazhdonte lidhjen e kahershme me gruan e saj, Jutta; një bukuri e rafinuar shumë e ngjashme me të. Ndërsa Eric, duhet të duronte joshjen e pashtershme biseksuale të aktores dhe një mish-mash situatash si më poshtë
”Shkrimtari, diva, e bija me bashkëshortin e saj të cilëve u shtohej edhe Tami dashnorja depressive e të shoqit, që duronte orë e çast tradhtitë e aktores” të gjitha arsye për të shpërthyer.
E, megjithatë ulje-ngritjet e humorit të Marlene, Remarkut i jepnin një kënaqësi të papërsëritshme. Një ditë qenë zënë për më shumë se dy orë. Fill më pas, ajo me sytë gjithë lot do t’i shpjegonte se në ç’mënyrë i donte burrat.
⁃ Nuk i dua në shtrat. Aty dua vetëm femrat.
Ishte koha kur Remark ende s’e kishte mbledhur veten nga fama dhe pasuria që kish bërë falë romanit të vet. Një grusht njerëzish e dinin se dhjetë vjet më parë, titullin baron e kish blerë nga një fisnik. Të gjithë e shihnin me dyshim. Nga nazistët gjer tek kolegët ziliqarë për suksesin dhe historinë e tij me Dietrich.
Gjendeshin në Paris kur një mëngjes, vajza e vogël Maria do të shkonte në suitën e së ëmës për ta ndihmuar si zakonisht të vishej. Por papritur bllokohet nga dy roje përballë derës, e cila me t’u hapur shfaq një officer shtatlartë gjerman që përshëndetet me të ëmën me kërcitje takash si ushtarak. Me t’u larguar aktorja shpërthen para së bijës.
⁃ Të kanë zënë sytë ndonjëherë skenë të ngjashme? – Si është e mundur që një burrë i edukuar si Ribbentrop të besojë ende tek Hitleri? M’u desh ta fshihja Remarkun në banjë pasi ata i dogjën të gjithë librat e tij. Imagjino sikur ata të nëmur ta shihnin… Ç’situatë qesharake! Ua pe uniformat? Ja ku kanë përfunduar tërë rrobaqepësit hebrenj. I kanë përdorur për t’u qepur kostumet. I Shko zemër dhe lajmëroje zotin Remarque….Tani mund të dalë nga banja.
Shkrimtari kishte ardhur tym e zjarr:
⁃ Marlene… Mos guxo më të më mbyllësh me çelës. Më dëgjove?Nuk jam një fëmijë i llastuar apo një idiot i papërgjegjshëm.
⁃ Oh, dashuria e jetës time sa frikë kisha për ty. Ata të urrejnë sepse pikërisht, ti që nuk je hebre, braktise Gjermaninë. Ndoshta kanë ardhur këtu pikërisht për ty. Ka vetëm një arsye që Hitleri m’i sjell në derë kokat e mëdha. Do të më bindë të kthehem në atdhe sepse më ka parë me zharretierë tek filmi “Engjëlli i kaltër” dhe do të fusë tek hundët ato të mbathura.
Teksa jetojnë buzë “Lago Maggiore” historia e Marlene dhe Eric vijon plot ulje-ngritje gjithmonë nëm trysninë dhe ankthin e tradhtive të saj të panumërta . Aktorja të cilën partneri i saj e thërret me përkëdheli Puma vijon aventurat ndërsa shkrimtari, një njohës i pashoq i verërave, të dehet, aq sa shpesh ishte Marlene ajo që e kthente mbrapsht nga baret e Kanës apo Montekarlos për të shmangur që lajmi të përfundonte në faqet e para të gazetave.
Tradhtia e radhës me ambasadorin amerikan (ky i fundit, babai i dy vëllezërve të ardhshëm Kennedy) do të ishte pikërisht dhimbja e madhe prej nga do të merrte jetë kryevepra “Harku i Triumfit”. Ku personazhi i Xhoanë Madusë do të mishëronte pikërisht aktoren gjermane.
Thesarin e përkthimit në Shqipëri na e ka lënë i madhi Robert Shvarc. Jo vetëm kaq, por mjafton të hapësh kopertinat e një sërë librash nga më mjeshtërorët të Remark për të lexuar aty emrin e tij “Tre shokë”, ” Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, ” Shkëndija e jetës”, ” Obelisku i Zi”.
Mbase kështu Eric, gjeti më në fund forcën për t’u larguar nga Marlene. Duke shkruar për të. Duke e quajtur Xhoanë. Duke i dhënë trajtat që lexojmë sot, të një gruaje rrëzëllitëse dhe magjepsëse, të heshtur e të pabesë, gënjeshtare dhe egoiste. Dhe Remarque u hakmorr. Dashnori i fundit e vret Xhoanën në mbyllje të romanit
“Sepse dashuria nuk vdes kurrë” siç shkruan ai tek Harku
” Ne nuk vdesim. Vetëm koha. Koha e mallkuar. Ne jetojmë gjithmonë.”
A nuk ka të drejtë? Ndoshta po!
Remarque gjeti forcë të shkëputet përfundimisht nga Ditrich vetëm kur kjo e fundit shkoi në Hollivud dhe ra në dashuri me Jean Gabin. Vijuan t’i shkruanin letra njëri-tjetrit deri në vdekje, ndonëse gruaja e fundit e shkrimtarit Paulette Godard i dogji të gjitha pusullat e Marlene/TCH.