Ndikimi i kryeprokurorit që vdekja e dyshimtë të cilësohet vetëvrasje e jo vrasje  

Prokurorja Fitore Sadikaj, ka mbyllur hetimet për vrasjen e Dafina Zhubit dhe e ka cilësuar vdekjen e saj si vetëvrasje, ani se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte vlerësuar se provat çojnë në përfundim se e ndjera është vrarë nga i dashuri i saj, Astrit Dibra. Prokurorja Sadikaj ka sqaruar se vendimin për mbyllje hetimesh e ka marrë bazuar në konsultimin me kryeprokurorin e Prishtinës, Imer Beka. Insajderi ka mësuar se i pandehuri ka lidhje të forta në Prokurori.

Ndikimi i kryeprokurorit që vdekja e dyshimtë të cilësohet vetëvrasje e jo vrasje   

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka ka ndikuar mbi prokuroren, Fitore Sadikaj që vdekjen e Dafina Zhubit ta cilësojë si vetëvrasje, e jo vrasje. Ka ndikuar po ashtu që ta lirojë nga paraburgimi të dyshuarin Astrit Dibra.

Vendimin për këtë konstatim, prokurorja e rastit e ka marrë bazuar siç thotë ajo në prova dhe në konsultim me eprorin e saj.

Mirëpo, vlerësimi që i është bërë provave të mbledhura gjatë hetimeve nga Prokuroria e Shtetit, çonin në dyshimin se vajza nga Gjakova me shtetësi zvicerane, është vrarë nga i dashuri i saj natën e 17 shkurtit të këtij viti.

Ajo kishte vdekur në banesën e Astrit Dibrës në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Ishte gjetur e shtrirë në shtratin e dhomës pa shenja jete. Një plumb kishte shpuar kokën e saj. Dibra kishte thënë se kishte qenë në dhomën tjetër kur kishte dëgjuar të shtënën.

Në një takim në mes të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorit nga kjo zyrë, Lulzim Sylejmani dhe kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka ishte nxjerr përfundimi se duhet të ngritet aktakuzë për vrasje bazuar në prova.

Takimi ishte mbajtur pasi nëna e viktimës dhe avokati i saj ishin ankuar se prokurorja e rastit nuk po i përfillte kërkesat e tyre dhe po refuzonte të kryente veprime hetimore që do të ndikonin në zbardhjen e së vërtetës.

Prokurori i Shtetit: Ka prova për vrasje

Insajderi ka siguruar një dosje të këtij rasti në të cilën përfshihen disa shënime zyrtare. Mes tyre është edhe një shënim zyrtar i prokurorit të Shtetit, Lulzim Sylejmani i cili në cilësi të mbikëqyrësit kërkon nga prokurorja, Fitore Sadikaj që të ngrit aktakuzë kundër të dyshuarit për veprën penale të vrasjes.

Me gjithë këtë kërkesë të bazuar në prova, prokurorja Sadikaj ka marrë vendim që të lirojë nga paraburgimi Astrit Dibrën dhe t’i mbyll hetimet për vrasje, duke e cilësuar vdekjen e të ndjerës si vetëvrasje.

Për këtë vendim, prokurorja Sadikaj ka bërë një shënim zyrtar në të cilin konstaton konsultat me Imer Bekën për mbylljen e hetimeve.

“Më datën 5 korrik 2016 rreth orës 10:30 jam takuar me kryeprokurorin z. Imer Beka. Kemi shikuar shkresat e lëndës dhe mendimi i përbashkët ka qenë që në këtë çështje penale nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale – vrasje pasi që të gjitha provat që i kemi siguruar gjatë hetimeve rezultuan se tani e ndjera Dafina Zhubi ka bërë vetëvrasje”, thuhet në këtë shënim zyrtar.

Prokurorja Sadikaj thotë se në atë takim kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka ka thirrur prokurorin Ilaz Beqiri, i cili kishte qenë në vend të ngjarjes dhe se për një kohë ka qenë në dijeni për rrjedhën e hetimeve.

Sipas Sadikajt, prokurori Beqiri shumë bindshëm ka shprehur mendimin se në këtë rast nuk ka elemente të veprës penale të vrasjes.

“Që të dy (Imer Beka dhe Ilaz Beqiri v.j.) më thanë që të dyshuarit t’i ndërpritet paraburgimi dhe të pushohen hetimet”, shkruan në këtë shënim zyrtar të protokolluar më 16 shtator 2016.

Prokurorja Fitore Sadikaj ka dhënë një version tjetër rreth kësaj ngjarjeje. Në një deklaratë për Insajderin, ajo ka mohuar se është konsultuar me kryeprokurorin Beka për këtë çështje, ani se shënimi zyrtar i saj e dëshmon një gjë të tillë.

“Çështjet penale të cilat i kam punuar unë që nga koha kur kam filluar të punoj si prokurore e deri më tash, i kam vendosur dhe do t’i vendos në bazë të provave të cilat i kam siguruar gjatë kohës së hetimeve dhe në harmoni me ligjin”, ka thënë Sadikaj për Insajderin. “Në punën time nuk ka ndikuar askush dhe as që do të ndikojë”.

Sadikaj ka insistuar se nuk ka marrë ndonjë mendim nga kryeprokurori, Imer Beka.

“Nuk kam marr mendim nga Kryeprokurori për këtë çështje penale e as për çështje tjera, por e kam njoftuar me rezultatin e hetimeve”, ka thënë ajo.

Beka, ka refuzuar të flasë për më shumë se një muaj për këtë çështje. Përgjigje nuk kanë dhënë as në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

20160922_131624

Takimi Lumezi, Sylejmani, Beka

Mirëpo, në një takim paraprak mes Lumezit, Sylejmanit, Bekës dhe Sadikajt ishte konstatuar se ka prova për ngritje të aktakuzës për vrasje.

“Sot me datën 31 gusht 2016, nga ora 11:00 deri në ora 12:00, në zyrën e Kryeprokurorit të shtetit u mbajt takimi konsultues në mes kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka”, thuhet në këtë shënim zyrtar.

Arsyeja e takimi kishte të bënte më çështjen e ngritjes së shqetësimeve të palës së dëmtuar, Ganimete Lloqanin – nëna e tani të ndjerës, Dafina Zhubi, për shkak të ndërprerjes së masës së paraburgimit për të pandehurin, Astrit Dibra.

Në këtë takim, Beka kishte thënë se prokurorja Fitore Sadikaj e kishte informuar rreth sigurimit të dy provave të reja ku njëra i referohej një ekspertize mjeko-ligjore të kryer nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, në të cilën eksperti kishte ardhur në përfundim se Dafina Zhubi, kishte bërë vetëvrasje.

Ai kishte prezantuar edhe një provë tjetër mjekësore të siguruar nga shteti i Zvicrës që konstatonte se Dafina Zhubi, ka pasur trajtime mjekësore të karakterit psikologjik-neuropsikiatrik.

“Në të njëjtin takim unë personalisht ia dorëzova disa shkresave të cilat i kishte sjellë pala e dëmtuar Ganimete Lloqani, në zyrën time me rastin e takimit të saj më datën 25 gusht 2016, ku njëra prej tyre i referohej një vërtetimi mjekësor të lëshuar nga mjeku i familjes së Dafina Zhubit, në Bern të Zvicrës, Prof. Dr. Med. Ph. Cottagnout i datës 29. 06. 2016, përmes të cilit konfirmohej se i njëjti mjek e kishte trajtuar Dafina Zhubin, që nga muaji shkurt 2011 e deri para vdekjes së saj dhe se e njëjta përveç problemeve shëndetësore të natyrës së lehtë si ndonjë: ftohje, inflamacion stomaku, gripi, astma bronkiale e lehtë, që e njëjta i gëzohej një shëndeti shumë të mirë dhe në asnjë mënyrë dhe formë nuk ishte e sëmurë psikologjikisht”, thuhet në shënimin zyrtar të prokurorit Sylejmani.

Ai përmend edhe një propozim të avokatit të familjes Zhubi, Naim Rudarit, për të verifikuar faktin se me 25 prill 2015, Dafina Zhubi ka fjetur e vetme në Hotel “Emerald”, në periferi të Prishtinës.

“Kështu, pas konsultimeve u dakorduam që në rastin konkret nga prokurorja Fitore Sadikaj të ngritet aktakuza kundër Astrit Dibrës në drejtim të atyre veprave penale (vrasje dhe armëmbajtje pa leje v.j.) për çka i ka zhvilluar hetimet, pavarësisht dy provave të reja të sipër cekura dhe në aktakuzën të propozohet caktimi i masës së paraburgimit”, thuhet në këtë shënim zyrtar.

Prokurori Sylejmani kishte takuar prokuroren Sadikaj dhe kryeprokurorin e Prishtinës, Imer Beka edhe më 25 gusht 2016. Në këtë takim ai kishte dhënë opinionin se ka prova për ngritjen e aktakuzës. Me këtë ishin pajtuar edhe Sadikaj dhe Beka.

“Pra, unë i kam dhënë opinionin se në këtë rast penal mbi bazën e provave të grumbulluara deri në atë fazë e të cilat më janë referuar nga prokurorja Fitore Sadikaj, se ka vend për ngritjen e aktakuzës për çka prokurorja dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka janë dakorduar me opinionin tim, ndërsa çështja e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurit nuk ka qenë fare temë e diskutimit, pasi që i pandehur ka qenë nën masën e paraburgimit”, thuhet në këtë shënim zyrtar.

Prokurorja Sadikaj ishte zotuar që brenda dhjetë ditësh do ta ngrehte aktakuzën për vrasje kundër Astrit Dibrës.

“E njëjta prokurore ka premtuar se së shpejti ndoshta brenda një jave apo dhjetë ditësh do ta ngritë aktakuzën dhe ka kërkuar nga unë që pasi ta përpilojë draftin e aktakuzës një kopje të këtij drafti të ma përcjellë, në mënyrën që të vlerësohet se a është përfshirë në mënyrën profesionale e tërë gjendja e fakteve të kësaj çështjeje penale, e nëse kam ndonjë sugjerim të ia sqaroj asaj. Mirëpo, deri më këtë datë 25 gusht 2016, nuk posedoj informacion se a është ngritur aktakuzë apo jo në këtë çështje penale”, shkruan Sylejmani.

Mbyllja e hetimeve për vrasje

Me gjithë këto sugjerime dhe konsulta, prokurorja Sadikaj nuk ka ngritur aktakuzë dhe e ka liruar nga paraburgimi të dyshuarin, Dibra. Pas këtij vendimi ajo është detyruar të sqarojë me anë të një shënimi zyrtar se pse ka nxjerr vendim që vdekjen e Dafina Zhubit ta kualifikojë si vetëvrasje e jo si vrasje.

Ka thënë se vendimin e ka marrë bazuar në prova dhe në konsultim me eprorin e saj, Imer Beka.

Prokurorja Sadikaj, ka bërë edhe një shënim tjetër zyrtar me të cilin ka sqaruar veprimet hetimore dhe konsultat para se të nxirrte vendim për pushimin e hetimeve. Ka përmendur një dokument mjekësor që konstaton problemet mendore të të ndjerës. Ka përmendur deklaratën e ekspertit mjeko ligjor Naim Uka i cili ka qenë në vendin e ngjarjes si dhe ka bërë autopsinë e trupit të të ndjerës Dafina Zhubi.

Në këtë deklaratë ai thotë se “si përfundim mund të deklarohem bazuar në të gjitha gjetjet mjeko-ligjore gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe gjatë procedurave të autopsisë me besueshmëri të lartë se kjo vdekje është shkaktuar si rezultat veprimi dinamik të predhës së hedhur nga arma zjarri nga vetë e ndjera”.

Ka përmendur po ashtu takimin me prokurorin paraprak Ilaz Beqiri dhe eprorin, Imer Beka, të cilët sipas saj kanë thënë se nuk ka prova për vrasje, por për vetëvrasje.

Ka përmendur gjithashtu edhe një takim me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti i cili sipas saj ka thënë se bazuar në këto prova nuk ka elemente të veprës penale të vrasjes.

I është referuar po ashtu edhe raportit balistik në të cilin thuhet se “rrethanat e lartpërmendura çojnë te konstatimi se tani më e ndjera Dafina Zhubi ka shkrepur vetë me pistoletën Beretta gordone model – PX4-STROM, e kalibrit 9x19mm, me numër serik PX-11354 në drejtim të kokës nga distanca me puthitje apo gjysmë puthitje duke i shkaktuar vetvetes plagë të rënda me pasoj vdekjen”.

Ajo ka përmendur po ashtu edhe propozimin e avokatit të palës së dëmtuar, Naim Rudari i cili kishte kërkuar rikonstruktim të vendit të ngjarjes.

“Unë kam menduar se një gjë e tillë nuk është e nevojshme e bile për këtë propozim e kam marr mendimin e kryeprokurorit Imer Beka”, thotë Sadikaj.

Mes tjerash ka thënë se më datën 30.08.2016 ka një raport mjekësor nga avokati Naim Rudari se raporti i parë mjekësor ka qenë i përkthyer gabimisht duke konstatuar problemet mendore të së ndjerës.

Avokati kishte kërkuar që raportin e parë ta largojë nga shkresat e lëndës.

Por, Sadikaj nuk e kishte eliminuar këtë shkresë duke e pranuar si provë, ani se ishte e përkthyer gabimisht.

“E gjendur në këtë situatë e për të vërtetuar se cili raport është origjinal unë do të kërkoj ndihmë juridike ndërkombëtare nëpërmes Ministrisë së Drejtësisë”, thotë Sadikaj. “E pas marrjes së këtij raporti mjekësor nga Klinika e Zvicrës në rrugë ligjore do të ju njoftoj”./Insajderi.com