Qendra Kinematografike e Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Xhuvani, filmbërësve dhe të gjithë admiruesve të tij krijuesit të kinematografisë shqiptare, Gjergj Xhuvani.
QKK thotë se Xhuvani njihet si një ndër krijuesit më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, ndër veprat më të njohura që i sollën edhe famë ndërkombëtare janë “Parullat”, “I dashuri Armik”, “Lindje Perëndim Lindje”, ndërsa vepra e tij e fundit “Liqeni im” që ishte e mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike, pritej të jepet premierë këtë vit.
“Është humbje e madhe për kinematografinë shqiptare dhe evropiane ikja kaq e hershme e Xhuvanit. Do ta kujtojmë si një njeri të mrekullueshëm, si mik të madh dhe artist të përmasave globale”, u shpreh drejtori i QKK-së, Arben Zharku.
Gjergj Xhuvani u lind në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 diplomoi në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet dramatike.